Abdixhiku kritikon Qeverinë: Kërkojnë llogari hajnish minatorëve që i lanë pa paga me muaj, s’mund të sillen si kapadai
Vizita e djeshme e Ministritë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të minatorët e Trepçës ka nxitur reagime të shuma. Kjo pasi është publikuar një video, ku ministri Sveçla kërkon llogari nga minatorët. Në bashkëbisedim me një minator, ai kërkon nga minatori të tregoi se “kush po vjedh”, ndërsa minatori i thotë se nuk e di.
Për këtë ka reaguar ashpër kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku duke thënë se VV-ja e ka keqkuptuar pushtetin.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se mbrojtësi e Nagip Krasniqit e Martin Berishajt u kërkojnë llogari minatorëve që i lënë pa paga me muaj.
E për këtë, Abdixhiku fajëson vet Qeverinë të cilët e kanë emëruar Bordin e Trepçës.
Postimi i plotë:
Këta kanë keqkuptuar shtetin.
Kanë keqkuptuar rolet, kanë keqkuptuar përgjegjësitë, kanë keqkuptuar mbi të gjitha idenë se s’mund të sillen si kapadai!
Emëruesit dhe mbrojtësit e Nagipit e Martinit, u kërkojnë llogari hajnish, besoni ose jo minatorëve të ngratë të lënë pa paga për tre muaj rresht!
E ka katër vite që menaxhojnë vet me Trepçë.
Ky pushtet ka caktuar Bordin e Trepçës!
Ky pushtet ka caktuar menaxhmentin e Trepçës!
Ky pushtet ka caktuar fatin pa paga të Trepçës!
Përgjegjësi e plotë! Por marre nuk kanë hiç.
Këtë arrogancë pushteti e sjellje mbajeni në mend. Zgjedhjet janë afër. 9 shkurti po vjen. Kuptojeni se këta nuk njohin ndjenjën e shërbimit ndaj tjetrit sepse i shërbejnë veç vetes. Siç nuk kuptojnë se aty – me 51% – janë për udhëheqje e zgjidhje problemesh; më së paku për ofendim, poshtërim e nënshtrim të hallgjorëve!