Abdixhiku bën thirrje që të ndiqet rruga e LDK-së për bojkot të RTK-së: Lajmi i rremë, njollë e zezë në historinë e këtij medium

Abdixhiku bën thirrje që të ndiqet rruga e LDK-së për bojkot të RTK-së: Lajmi i rremë, njollë e zezë në historinë e këtij medium

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumri Abdixhiku ka dalë me një reagim pas sulmit të Radiotelevizionit të Kosovës ndaj Periskopit dhe Nacionales duke raportuar një lajm të rremë.

Fillimisht, kreu i LDK-së ka thënë se pikërisht sot, mbushen një vit e gjysmë kur subjekti politik që ai drejton, ka vendosur ta bojktojë RTK-në.

Sipas tij, kjo për shkak të ndikimeve nga ai që e quan “Grupi i PolitByrosë nga Tirana”, duke nënkuptuar kështu për Dejona Mihalin dhe zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes nga Shqipëria.

“Asnjë intervistë, asnjë bashkëpunim, asnjë deklarim – deri në shkarkimin e militantëve partiak të vënë në krye të mediumit publik.

Një vit e gjysmë më parë ne kishim kuptuar kapjen e plotë të politikave redaktoriale të RTK-së nga pushteti popullist. Kishim kuptuar dhe ndikimet direkte të ‘Grupit të PolitByrosë nga Tirana’ dhe gjithë rreziqet propaganduese që buronin nga një konstrukt i tillë.” – ka shkruar ai.

Abdixhiku tutje ka shtuar se tashmë është parë që RTK-ja përmes urdhërave të partisë në pushtet, ka sulmuar mediat me lajme të rreme dhe ka rrezikuar jetën e gazetarëve.

“Tani që u pa hapur se kapja, orkestrimi i propagandës e politikat redaktoriale përcaktohen nga pushteti e parapushteti, paralajmërimi dhe bojkoti ynë marrin edhe më shumë kuptim! Një vit e gjysmë më pas, u kuptua se RTK nëpërmjet urdhëresave të partisë në pushtet, sulmoj mediat me lajme të rreme e kështu rrezikoj dhe jetën e kolegëve të tyre gazetarë në vend. Do të jetë një njollë e zezë ky segment në historinë e këtij mediumi që brenda vetes mbanë mundin e gjeneratave të tëra në gazetari.” – shtoi ai.

“LDK vazhdon të mbetet edhe sot e vetme në bojkotin ndaj mediumit të kapur publik. Ne vazhdojmë të besojmë se veprimet e parapushtetit sulmojnë fundamentet e demokracisë, vlera këto që LDK jo vetëm i ka kultivuar në vend, por dhe i mbronë me çdo mjet! Prandaj sot, secili akter publik, duhet të rreshtohet prapa një qëndrimi si ky! Një vit e gjysmë më vonë, por më mirë vonë se hiç!” – ka thënë tutje Abdixhiku.

Sipas tij, këto qëndrime nuk janë pozicione të garave partiake, por shqetësime serioze:

“Dhe që ta kuptoni, qëndrimet e veprimet e LDK-së, mbi kapjen, grupet parapolitike e propagandën, nuk janë pozicione të garave partiake. Ato janë përfundime konstatuese të shqetësimeve serioze mbi rrënimet fundamentale të vlerave të shoqërisë.

Dhe herët apo vonë do të dalin secila!

Si ajo e kapjes së RTK-së; si ajo e ‘Grupit të PolitByrosë nga Tirana’; si e ajo propagandës së sondazheve e mbi të gjitha, e dëmeve të mëdha antishtetare që pushteti i majtë popullist ka shkaktuar për katër vjet!”

Ndryshe, pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.

Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.

“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.

PDK ndërkaq ka bërë të ditur se do të iniciojë mocion për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Shpërndaje në: