A u bë bajat Vedati në rolin e Jakup Krasniqit? Pse skeçi shkoi keq?
Everyday same shit, thotë Vedati i Stupcave, teksa imiton të folurën e Jakup Krasniqi në një skeç ku e paraqet ish-zëdhënësin e UÇK-së gjoja në një qeli në Hagë. Pse ky lloj humori kosovar, që nuk sjell ndonjë risi në përmbajtje, përnjëmend është ‘everyday same shit’?
Videoja/ skeçi humoristik i aktorit të njohur si Vedati (Bajrami) i Stupcave ku imiton Jakup Krasniqin, u përcoll me ngapak mbështetje e kryesisht me kritika.
Cili është problemi me këtë video?
Nëse e gjykojmë nga këndvështrimi i të bërit humor, do të mund të thonim: asnjë. S’ka asnjë problem. Shto këtu klishenë e njohur por të domosdoshme, që humori nuk ndalohet – jo në vendet demokratike – shyqyr zotit.
Por, cili është problemi, pra?
Problemi qëndron në atë shijen humoristike që duket se na ka lënë kërshëria ndaj saj. E ajo është që nuk duam gjëra që përsëriten kaq shpesh.
E kemi parë ndoshta qindra herë Vedatin duke imituar të folurën e Jakup Krasniqit, për ç’gjë vajza e tij, Gresa, tha se janë bullizuar sa ishin në shkollë. Prandaj, nuk duket humor përmbajtësor, pavarësisht interpretimit që kjo video ishte një ‘solidarizim’ me e ish-luftëtarët e UÇK-së në Hagë.
Të bërit humor me ata që ndodhen në Hagë, nuk është ndonjë blasfemi, por qëndrojmë në kritikën dhe interpretimin që mund të tingëllojë paksa melodramatik, sidomos në përzgjedhjen e vetëm të një personazhi prej atje, e ai personazh (Jakup Krasniqi) nuk e ka gjendjen e mirë shëndetësore, siç tregojnë.
As kjo s’e përjashton Jakup Krasniqin nga të qenit personazh në skeçe humoristike?
Natyrisht që jo.
Pavarësisht që jemi gojë-plot në konstatimin e Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e shenjtë, me këtë shenjtëri ne (prapë shyqyr zotit) nuk nënkuptojmë rrafshin teologjik. Pra, blasfeminë e të bërit hajgare me UÇK-në, Stupcat moti e kanë ‘prishë’. Moti e kanë bërë. Dhe kjo, s’e ka penguar askënd. Por videoja e fundit, ishte thjeshtë e pa kurrfarë shije.
Diçka të re, urdhëroni! Jo gjëra që përsëriten për çdo vit! Kemi qeshur boll me Vedatin si Jakup Krasniqi dhe nuk e kemi gjykuar e as paragjykuar kurrë. S’mund të qeshim miliona herë me të njëjtën pamje, me të njëjtën përmbajtje, me të njëjtat fjalë, me të njëjtin imitim./Periskopi