A po zbrazet Kosova? Rreth 6700 autobusë me udhëtarë nga Prishtina për 9 muaj kanë shkuar për në Evropë
Për 9 muaj hiç më pak se 6700 autobusë kanë qarkulluar me pasagjerë nga Kosova për në Evropë vetëm nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë. Këto statistika i kanë bërë të ditur për portalin “FrontOnline” zyrtarë të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, duke konfirmuar rritjen e numrit të nisjeve për mbi 25 për qind me autobusë nga Prishtina për në shtete të ndryshme të Evropës, kryesisht në Gjermani, Austri dhe Slloveni.
“ Nga janari deri në shtator 2024 për destinacione të ndryshme të Evropës perëndimore kemi përcjellë gjithsejtë 6,698 autobusë. Destinacionet me nisjet më të shumta janë: Gjermania, Austria dhe Sllovenia. Krahasuar me vitin 2023, ketë vit numri i nisjeve për destinacione të ndryshme të Evropës perëndimore është rritur për 25.3% apo 1,649 nisje me tepër se vitin e kaluar”, thuhet në përgjigjen e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë për portalin FrontOnline.
Bazuar në statistikat e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, çdo muaj nga këta të fundit për në Evropë nisen rreth 750 autobusë me pasagjerë, apo 25 autobusë në ditë.
Edhe në statistikat e publikuara nga Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës “Adem Jashari” thuhet se krahasuar me periudhën janar- qershor të 2023-tës, në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2024 është rritur numri i pasagjerëve për 20.46%.
Ndërsa numri i fluturimeve nga 10,460 ka shkuar në 11,948, që në përqindje i bie diferenca për 14.23% rritje.
Kryesindikalisti i sektorit privat: Mbi 250 mijë punëtorë jaanë larguar nga Kosova
Rritjen e numrit të udhëtarëve për në Evropë pas liberalizimit të vizave, kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi po e lidh me punësimin e kosovarëve jashtë vendit
Ai thotë për “Front Online” se mbi 250 mijë punëtorë janë larguar nga puna për t’u punësuar jashtë Kosovës.
“Ne mbas Vitit të Ri në Merdare kemi bërë një analizë dhe diku 22% kanë dalë për herën e parë. Përmbi 250 mijë njerëz që kanë dalë për kërkuar punë jashtë Kosovës”, deklaron Azemi për FrontOnline.
Azemi thotë se Qeveria nuk po iu jep shpresë fuqisë punëtorë të punojnë në Kosovë.
Sipas tij, largimi i tyre po ndodh shkaku i pagave dhe kushteve të punës.
“Ka plotë shkelje ligjore, aty ku dalin ligjet në oborrin e Parlamentit që 10 ditë janë punëtorët në grevë shkaku i pagave e kushteve. Largohen për shkak të pagave, Qeveria s’po jep shpresë për ta”, u shpreh Azemi për “Front Online”.
Rafuna: Qeveria me urgjencë të hartojë një strategji për parandalimin e ikjes së rinisë nga Kosova
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kërkuar nga Qeveria ta hartojë një strategji për parandalimin e rinisë për t’u larguar nga Kosova.
Ai thotë për “Front Online” se ende s’është bërë ndonjë lëvizje për këtë çështje.
Sipas tij, edhe qytetarët që janë jashtë vendit duhet të kthehen për investime në vendin e tyre.
“Duhet të kemi një strategji për parandalimin e të rinjve për t’u larguar nga Kosova, por edhe për kthimin e atyre që janë jashtë që t’i kthejmë në formë të investitorëve por ende s’kemi një strategji të tillë, por më mirë vonë se hiç. Kërkojmë me urgjencë që ekzekutivi ta draftojë një strategji që e parandalon shkuarjen e të rinjve dhe kthimin e atyre që janë për të investuar këtu”, u shpreh Rafuna.
Ish-ministri i Diasporës: Qytetarët po lëvizin, ashtu siç e kemi dëshiruar lëvizjen e lirë
Ish -ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka folur për “Front Online” lidhur me largimin e qytetarëve nga Kosova pas liberalizimit të vizave.
Makolli thotë se ashtu siç e kemi dëshiruar lëvizjen e lirë, ashtu po ndodhë.
“Ky është liberalizimi i vizave dhe njerëzit lëvizin dhe ashtu e kemi dëshiruar lëvizjen e lirë”, u shpreh shkurt për “Front Online Makolli.
Përndryshe, Kosova ka një histori të gjatë të largimit të qytetarëve të saj; histori e cila ka kaluar në faza të ndryshme. Faza e parë e emigrimit filloi në vitet e 1960-ta, për arsye ekonomike.
Faza e dytë e emigrimit ( vitet 1981-89) përmbante më shumë gjurmë politike, ndonëse kushtet e rënda ekonomike vazhdonin të luanin rol të rëndësishëm në emigrimin nga Kosova. Faza e tretë njëkohësisht, faza më dramatike e zhvendosjes masive të popullsisë, ndodhi në vitet 1998-99, gjatë luftës në Kosovë. Faza e katërt e emigrimit përfshin vitet e pasluftës deri në vitin 2015, ku qytetarët e Kosovës emigruan drejt vendeve perëndimore për arsye ekonomike, pesimizëm politik dhe arsye sociale.