A mund të ndikojë vaksina antiCOVID-19 në ciklin menstrual?

A mund të ndikojë vaksina antiCOVID-19 në ciklin menstrual?

Vaksinat janë krijuar për të aktivizuar sistemin imunitar dhe disa ekspertë po pyesin nëse kjo mund të ndikojë përkohësisht në ciklin menstrual. Shkencëtarët kanë filluar kërkime, por është ende e panjohur nëse vaksinat kundër koronavirusit mund të ndikojnë në ciklin menstrual te gratë.

Deri më tani, ka qenë e vështirë të vendoset një lidhje midis ndryshimeve të ciklit dhe vaksinave. Ndryshimet e raportuara mund të kenë qenë gjithashtu rezultat i ndikimit të disa faktorëve të tjerë, të tilla si stresi, dieta ose zakonet e jetesës. Kishte gjithashtu një mungesë të shpenzimeve për të monitoruar ndryshimin në ciklin pas marrjes së vaksinës në nivel global.

Nëse shkencëtarët përfundimisht do të përcaktonin se ekziston një lidhje midis vaksinave dhe ndryshimeve afatshkurtra në cikël, kjo, ata besojnë, nuk do të ishte arsye e mjaftueshme për të shmangur vaksinat.

“Përfitimet e vaksinave sigurisht që janë më të mëdha se një cikël i vështirë, edhe nëse ato janë të lidhura”, tha Mary Jane Minkin, një gjinekologe dhe profesoreshë pranë Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Yale.

Kohët e fundit është nisur një studim për të mbledhur të dhëna për këtë. Megjithëse gjetjet nuk do të përcaktojnë nëse ekziston një lidhje midis vaksinës së koronavirusit dhe ndryshimeve në ciklin menstrual, ato mund të ndihmojnë në hedhjen e bazave për kërkime të mëtejshme, thotë studiuesja nga Universiteti i Sent Louis, Katharine Lee.

Gjinekologia Jen Gunter nga San Francisco thotë se është e mundur që ka një lidhje pasi mukoza e mitrës përmban qeliza imune që ndihmojnë në mbrojtjen e saj.

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nuk ka asnjë provë që ndonjë vaksinë, përfshirë edhe atë kundër koronavirusit, ndikon në fertilitet, raporton AP.

Shpërndaje në: