A mund të ndalet ngrohja globale?
Këtë vit, Toka ka hyrë në një epokë të zymtë. Sipas “Met Office”në Britaninë e Madhe, përqendrimi i dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë arriti në nivelin 150 për qind të sasisë që kishte në epokën para-industriale.
Për të parandaluar efektet më të këqija të ndryshimit të klimës, bota duhet të çojë në zero emetimet neto të dioksidit të karbonit deri në vitin 2050. Por edhe nëse do ta arrinim këtë synim, kjo gjë nuk do të frenonte menjëherë ngritjen e temperaturës globale, pasi do të duhet të kalojë disa kohë për të parë efektet e zvogëlimit të CO2.
Ndikimet negative të ngrohjes globale do të vazhdojnë për dekada. Por a ka ndonjë gjë tjetër që mund të bëjmë për të ulur më shpejt temperaturën globale?Një grup studiuesish në Universitetin e Harvardit, mendon se mund të jetë e mundur të arrihet një ulje e përkohshme e temperaturave globale duke rregulluar përbërjen e atmosferës së sipërme të Tokës. Studiuesit shpresonin që të testonin një pjesë të kësaj teknologjie – dhe qëndrueshmërinë e teorisë së tyre –që këtë verë, në atë që ata e quajnë Eksperimenti i Kontrollit të Turbullimit të Stratosferës (SCoPEx). Edhe pse testimi është pezulluar, ekipi shpreson ende që eksperimenti të vazhdojë në një të ardhme jo shumë të largët.
Burimi përfundimtar i nxehtësisë së Tokës është Dielli, që emeton drejt planetit tonë një fluks të vazhdueshëm rrezatimi me rreze infra të kuqe. Rreth 30 për qind e tyre reflektohet sërish në hapësirë nga atmosfera, ndërsa pjesa tjetër e ngroh planetin gjatë ditës, dhe rrezatohet sërish në hapësirë gjatë natës.
Në ekuilibrin delikat që ekzistonte në kohërat para-industriale, nxehtësia që hynte në Tokë kompensohej saktësisht nga sasia e humbur e saj në hapësirë, duke siguruar qëndrimin konstant të temperaturës mesatare globale.
Sot problemi është se emetimet e CO2 e prishin këtë ekuilibër, duke thithur një pjesë të nxehtësisë që duhet të rrezatohet përsëri në hapësirë, përmes bllokimit të saj brenda atmosferës. Sa më shumë dioksid karboni të ketë në atmosferë, aq më shumë rritet temperatura e planetit.
Në planin afatgjatë, njerëzit duhet të zvogëlojnë sasinë e dioksidit të karbonit në atmosferë, për të parandaluar efektet më të këqija të ndryshimit të klimës. Por proceset e tjera mund të prodhojnë rënie afatshkurtra të temperaturës globale.
Për shembull, shpërthimet vullkanike shpërndajnë retë e grimcave të pluhurit lart në stratosferë, një shtresë e sipërme e atmosferës, duke formuar një mburojë mbrojtëse që e parandalon një pjesë të nxehtësisë së Diellit të arrijë në sipërfaqen e Tokës.
Për shembull, shpërthimi i malit vullkanik Pinatubo në Filipine në vitin 1991, bëri që temperatura mesatare në Hemisferën Veriore të binte me rreth 0.5 gradë Celsius gjatë 15 muajve në vijim. Ekipi SCoPEx dëshiron të ndjekë të njëjtin shembull duke injektuar grimca në atmosferën e sipërme në mënyrë që të ulë temperaturën globale.
Ideja themelore – e quajtur injeksioni aerosolik stratosferik, ose SAI – është e thjeshtë.
Një avion i lartësive të mëdha ose një balonë me helium do të shpërndajë tufa grimcash mikroskopike të quajtura aerosole në stratosferë në lartësinë 20 kilometra ose më shumë, pra shumë më lart sesa fluturojnë zakonisht avionët.
Aerosolet do të qëndrojnë pezull në ajër. Ato janë shumë të vegjël për t’u parë si retë nga toka, por mjaftueshëm të errëta për të reflektuar sërish në hapësirë një pjesë të energjisë së diellit përsëri në hapësirë. Në simulimet teorike, SAI duket të jetë një koncept i zbatueshëm.
Raporti i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës (IPÇ) i vitit 2018, zbuloi se një flotë avionësh të lartësive të mëdha mund të depozitojë aerosole të mjaftueshme për të kompensuar nivelet aktuale të ngrohjes globale.
Por aerosolet duhet të plotësohen çdo disa vjet, dhe kjo metodë trajton vetëm një nga simptomat e ndryshimit të klimës, në vend që të adresojë shkakun e saj rrënjësor, efektin serë. Në rastin më të mirë, ajo është një masë parandaluese e përkohshme, që kundërshton rritjen e temperaturave ndërsa vendet ulin në të njëjtën kohë emetimet e tyre të dioksidit të karbonit.
Deri më tani, kërkimi mbi SAI ka qenë teorik, i plotësuar nga një sasi e kufizuar e të dhënave në botën reale nga shpërthimet vullkanike. SCoPEx dëshiron të bëjë matje në botën reale në kushte të kontrolluara me kujdes, duke mundësuar një kalibrim më të mirë të modeleve kompjuterike.
“Nëse duam t’u sigurojmë vendimmarrësve informacione të dobishëm se kjo skemë mund të funksionojë, ne duhet të vërtetojmë modelet tona”-thotë drejtuesit i projektit, Frenk Keutsh, nga Departamenti i Kimisë dhe Biologjisë Kimike në Universitetin e Harvardit.
Vullkanet nxjerrin kryesisht përbërje të bazuara tek squfuri. Ato jo vetëm që e ftohin atmosferën, por gjithashtu e dëmtojnë shtresën mbrojtëse të ozonit të Tokës, e cila na mbron nga rrezatimi i dëmshëm i rrezeve ultravjollcë, UV.
Prandaj ekipi i SCoPEx është duke u përqendruar tek një aerosol më pak i dëmshëm, karbonati i kalciumit, ose siç njihet në përditshmëri pluhuri i shkumësit, për të cilin studiuesit shpresojnë se do të prodhojë efektin e dëshiruar të ftohjes globale pa e dëmtuar shtresën e ozonit. / bota.al