A ju shkruajnë punëdhënësit jashtë orarit të punës? Si ta menaxhoni situatën
Kohë më parë, shefit/es ose menaxherëve u duhej që të shkonin t’i pyesnin personalisht punonjësit, ndërsa në epokën e teknologjisë, e sidomos në kohën edhe të punës në distancë, shumë prej jush mund ta dinë që nuk është e nevojshme që të jeni në të njëjtin ambient që shefi/ja t’ju shkruajë.
Mirëpo kur komunikimi bëhet jashtë orarit të punës, mund të kthehet në stres. Të qenit vazhdimisht në kontakt me punën mund të çrregullojë kufijtë mes punës dhe jetës personale, mes kolegëve dhe njerëzve të afërt.
Shumë punonjës mund të ndihen në presion për t’iu përgjigjur menjëherë një mesazhi, ndonëse nuk janë në orarin e punës. Studiuesit kanë zbuluar se kur një punonjës merr një email pas orarit të punës, priren të mbivlerësojnë se sa shpejt dërguesi pret përgjigje.
Urgjenca e një mesazhi nuk është e vetmja pjesë e paqartë e komunikimit dixhital që streson punonjësit. Toni dhe qëllimi i mesazhit gjithashtu mund të jenë të hapur për interpretim, duke i bërë njerëzit të shqetësohen nëse po e lexojnë saktë.
Megjithatë ka disa mënyra se si mund të zvogëloni këtë stres. E gjitha fillon me vendosjen e kufijve të fortë midis qenit në punë dhe jo. Vendosni oraret, komunikojini me ekipin.
Përpiquni t’i kujtoni vetes se nuk kërkohen përgjigje të menjëhershme për çdo mesazh që merrni.
Punëdhënësit mund të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm për komunikimin në vendin e punës dhe se si ai të jetë më pak i dëmshëm për shëndetin mendor të stafit.
Duke u siguruar që të gjithë punonjësit janë të qartë se çfarë duhet bërë dhe kur, cilat detyra janë prioriteti më i lartë, mund të ndihmojë në rritjen e produktivitetit dhe t’i bëjë punonjësit të ndihen më të sigurt se po bëjnë gjënë e duhur.