A jemi përnjëmend derra?
Dje u raportua që një punonjës hoteli në Shqipëri kishte bërë ofendime raciste ndaj një turisti nga Kosova. I kishte thënë se “ju kosovarët jeni racë derri, dhe që serbët është dashur të kryejnë edhe më shumë krime ndaj jush.”
Natyrisht, nuk mund të thuhet se shqiptarët e Shqipërisë janë racistë ndaj kosovarëve. Do të ishte përgjithësim shumë arbitrar. Por në anën tjetër, përgjithësim po aq arbitrar është edhe të thuhet se ky është rast i izoluar, pa domethënie, dhe që pikëpamje të ngjashme gjejmë veç te një grup krejt i vogël njerëzish, ose për ta banalizuar, veç te hoteli në fjalë.
Por, njësoj gjykojnë e ofendojnë edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve të këtushëm. Pak-a-shumë racizmi ynë ndaj shqiptarëve të atjeshëm mund të reduktohet e replikohet në referencë me fjalinë e mësipërme si vijon: “shqiptarët e Shqipnisë janë rebelë, farë e fëlliq’t dhe Enveri është dashur t’ua bënte më zi”.
Por, të dyja këto sharje në fakt ndodhen përbrenda dijeve të shtypura nga nacionalizmi romantik që bën thirrje për bashkim, që bën thirrje për presidentë të përbashkët, që mbledh kot qeveritë e të dyja vendeve, që feston për 28 nëntor, por që në praktikë e bën një ekonomizim të vrazhdë të marrëdhënies që vendos kufij e taksa.
Shqiptarët e atjeshëm i njohin kosovarët më së miri si turistë. Dhe, si turistë të varfër, të një vendi që nuk dinte deri vonë se çka është turizmi. Prandaj, këto paragjykime nuk bën të shihen si shprehje të izoluara, në hava, kot. Jo, ato krijohen vetëvetiu nga marrëdhënia në fjalë, nga tensionet brenda saj, nga fëlliqja e varfëria, nga shëmtia e monotonia.
Derri është sinonim i fëlliqjes, dhe meqë kosovari turist është i varfër dhe bën turizëm të varfër, nuk është larg mendsh që një pjese njerëzish t’i duken si derra, dhe turizmi i tyre si turizëm derrash. Do të ndryshonte puna, nëse hoteli në fjalë të ishte luksoz, dhe të bëhej fjalë për para të majme. Në atë rast, kjo lloj sharje nuk do të kishte vend – sepse derri e fëlliqja, varfëria e pështirosja që sjell kjo e fundit, nuk do të ishin imazhet asociative në mendjet e këtyre njerëzve.
Jemi brenda një fataliteti krupndjellës. Me kalimin e kohës, kjo marrëdhënie do të bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Shqipëria paevitueshëm do ta përmirësojë dhe shtrenjtojë turizmin e saj, do ta bëj më të qasshëm për turistët e huaj dhe më të paqasshëm për varfanjakët kosovarë. Dhe natyrisht, të dyja palët do të kenë qëndrim përbuzës për njëra-tjetrën. Kosovarët e varfër që do të shkojnë veç në plazhet e lira do të marrin trajtime gjithnjë e më të këqija nga pjesa e atjeshme. Sepse do ta kenë ndërmend hierarkinë në turizëm, ku atyre vetë do t’iu duhet të merren me varfanjakë ndërkohë që bashkëkombësve të tyre më të pasur do t’iu duhet të merren me njerëz më të pasur, me jo-derra. Dhe të marrin më shumë para prej tyre.
Pra, e gjithë kjo ka të bëj me ekonominë, me paratë. Kosovarët, për aq sa plazhet e Shqipërisë të jenë kaq të këqija, për aq sa shërbimet të jenë aq të këqija, do të trajtohen si derra. Do t’iu ofrohet një respekt minimal. Por nuk do ta ndiejnë të kapluar nga zhurma e romantikëve të bashkimit kombëtar. Dhe, sapo që këto shërbime të përmirësohen e shtrenjtohen, respekti për kosovarët do të vihet në vend, sepse vetëm pjesa më e pasur e tyre, dmth joderrave, do t’iu bëhet vend.
Nejse, kjo nuk është aq shqetësuese sa duket. Faji nuk qëndron te Shqipëria, por te Kosova që po e lë pjesën më të madhe të shoqërisë me një pagë të mjerueshme, dhe nën detyrimin për të bërë turizëm prej derrash.
Varfanjakët kanë dhe ndjellin paragjykime. Çka po kujtoni? E, që të shesësh pordha patriotike duhet të kesh goxha para ose të jesh goxha hipokrit.
Shqipëria po bën çmos për të joshur turistët e huaj, të cilët edhe më tej në masë të pakrahasueshme e zgjedhin Greqinë dhe vendet e tjera. Derri i pronarit apo punonjësit të hotelit është simptomatik sepse shpreh lodhjen me turistët e varfër [jo domosdo kosovarë] i cili nuk gjeneron të hyra mjaftueshëm.