A ishte e justifikuar vrasja e gjeneralit Soleimani?
Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara vranë Qassem Soleimani, një komandant të lartë ushtarak iranian, ndërsa ai po linte Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit me një makinë me Abu Mahdi al-Muhandisin, një udhëheqës irakian i Kata’ib Hezbollahut – milici e mbështetur nga Irani. Të gjithë ata që ishin në makinë, u vranë. Të nesërmen, në një konferencë speciale për shtyp, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se Soleimani kishte qenë, për 20 vjet, “arkitekti kryesor” i sulmeve terroriste të Iranit dhe se kishte “vrarë 608 amerikanë vetëm në Irak.” Ai shtoi se Soleimani dhe Muhandisi ishin cilësuar si terroristë nga Kombet e Bashkuara dhe se “të dy këta njerëz janë vërtet të këqij”.
Në vitin 2003, inteligjenca amerikane në lidhje me posedimin e armëve të shkatërrimit në masë nga ana e Irakut ishte plotësisht e gabuar. Këto gabime çuan në pushtimin e Irakut, gjë e cila i hapi rrugën përfshirjes së Iranit dhe Soleimanit në vend. Por, le të supozojmë se këtë herë faktet janë siç thotë administrata amerikane. A ishte e justifikueshme vrasja e dyfishtë?
Mund të fillojmë me supozimin se është e gabuar të marrësh jetën e njeriut. Presidenti Donald Trump nuk do ta mohojë këtë. Një vit më parë, për shembull, ai tha: “Unë do të mbroj gjithmonë të drejtën e parë në Deklaratën tonë të Pavarësisë, të drejtën e jetës.” Trumpi po i referohej komenteve të tij drejtuar aktivistëve të fushatës kundër abortit, por një e drejtë jete që vlen për fetuset duhet të vlejë edhe për njerëzit e moshuar.
Megjithatë, a ka ndonjë përjashtim për “njerëzit e këqij”? Përsëri, për ta mbajtur argumentin sa më të drejtpërdrejtë që është e mundur, le të supozojmë se e drejta për jetën mbron vetëm njerëzit e pafajshëm. Kush e gjykon pafajësinë? Nëse përkrahim, siç thonë shpesh amerikanët, “një qeveri të ligjeve, jo të burrave”, duhet të ketë një proces ligjor për të përcaktuar fajin. Që nga viti 2002, Gjykata Penale Ndërkombëtare, ICC, është përpjekur ta zbatojë këtë proces në të gjithë globin. ICC ka pasur disa suksese të dukshme në ndjekjen penale të autorëve të krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit, por qëllimi i gjykatës është i kufizuar dhe shtrirja e saj nuk është ndihmuar nga refuzimi i SHBA-së për t’u bashkuar me 122 vendet e tjera që kanë pranuar juridiksionin e saj.
Në vazhdën e vrasjes së Soleimanit, Agnès Callamard, raportuese speciale për ekzekutimet jashtëgjyqësore në Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, vuri në dukje se nuk ka mbikëqyrje të vrasjeve të kryera përtej kufijve të një vendi. Ekzekutivi thjesht vendos, pa ndonjë proces të rregullt ligjor apo miratim nga ndonjë degë tjetër e qeverisë, se kush do të vritet. Pranimi i një veprimi të tillë e bën të vështirë gjetjen e ndonjë kundërshtimi parimor ndaj vrasjeve të ngjashme, të planifikuara ose të kryera nga vendet e tjera. Kjo përfshin “Cafe Milano Plot” të vitit 2011, të supozuar se është projektuar nga vetë Soleimani, në të cilën agjentët iranianë planifikuan të vrisnin ambasadorin saudit në SHBA ndërsa ai drekonte në një restorant të famshëm në Uashington.
E vetmja gjë që Shtetet e Bashkuara mund të thonë në mbrojtje të vrasjeve të kryera nga ana e tyre është se ata shënjestrojnë vërtet njerëz të këqij dhe ambasadori saudit nuk ishte një njeri i keq. Kjo e vendos sundimin e njeriut mbi sundimin e ligjit.
Arsyetimi tjetër që Pentagoni ofroi për vrasjen i referohej “pengimit të planeve të ardhshme të sulmeve iraniane”. Siç theksoi Callamard, kjo nuk është njësoj me sulmin “e menjëhershëm” të kërkuar për të justifikuar këtë veprim në kontekstin e vetëmbrojtjes sipas ligjit ndërkombëtar. Ajo gjithashtu vuri në dukje se në sulm u vranë edhe të tjerë, raportohet se gjithsej shtatë persona vdiqën, dhe sugjeroi se këto vdekje të tjera ishin shumë qartë vrasje të paligjshme.
Një lexim i kujdesshëm i transkriptit të konferencës për shtyp të 3 janarit, të mbajtur nga tre zyrtarë të lartë të panjohur të Departamentit të Shtetit, zbulon mendimin e vërtetë të administratës Trump. Në përgjigje të pyetjeve të përsëritura në lidhje me arsyetimin e vrasjes, një zyrtar e krahasoi atë me rrëzimin e një aeroplani të vitit 1943 që transportonte admiralin japonez Isoroku Yamamoto, i cili po vizitonte trupat japoneze në Paqësor – një incident që ndodhi në mes të luftës, më shumë se një vit pasi japonezët sulmuan Përl Harburin. Një zyrtar tjetër tha: “Kur dëgjoj këto pyetje, më duket sikur po përshkruani Belgjikën këto 40 vitet e fundit. Bëhet fjalë për regjimin iranian. Kemi 40 vjet akte lufte që ky regjim i ka kryer kundër vendeve të ndryshme në pesë kontinente.” Në një moment, zyrtari që e kishte krahasuar vrasjen me vrasjen e Yamamotos shpërtheu: “O Krisht! A duhet vërtet të shpjegojmë se përse i bëjmë këto gjëra?”
Nëse zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit besojnë se SHBA-ja është e angazhuar në një luftë të drejtë me Iranin, siç ishte me Japoninë në vitin 1943, vrasja e Soleimanit ka kuptim. Sipas teorisë standarde të luftës së drejtë, mund t’i vrasësh armiqtë e tu sa herë që ke mundësinë ta bësh këtë gjë, për sa kohë që rëndësia e objektivit tejkalon të ashtuquajturin dëm kolateral ose lëndim të të pafajshmëve. Por, SHBA-ja nuk është në luftë me Iranin. Kushtetuta e SHBA-së i jep Kongresit autoritet të shpallë luftë dhe ai nuk i ka shpallur kurrë luftë Iranit. Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, sugjeroi se liderët e Kongresit duhej të ishin konsultuar në lidhje me planin për të vrarë Soleimanin. Nëse ai do të ishte një akt lufte, ajo ka të drejtë.
Nëse, nga ana tjetër, vrasja nuk ishte një akt lufte, atëherë, si një vrasje jashtëgjyqësore që nuk ishte e nevojshme për të parandaluar një sulm të afërt, kjo vrasje ishte e paligjshme dhe jo etike. Ajo rrezikon të shkaktojë pasoja negative, jo vetëm përsa i takon përshkallëzimit të një hakmarrjeje në Lindjen e Mesme, por duke kontribuar gjithashtu në një rënie të mëtejshme të sundimit të ligjit ndërkombëtar. /Burimi: Project Syndicate/Në shqip nga: BIRN/