A është Gjermania e sëmura e Europës?
Modeli gjerman i rritjes ekonomike është ‘kaput’. Edhe pse Gjermania mbetet ekonomia më e madhe e eurozonës, ajo tani është një nga më të këqijat e saj, thuhet në analizen e zymtë të britanikes The Guaradian.
The Guardian
Gjermania po përpelitet. Ekonomia e saj nuk ka shënuar rritje në pjesën më të mirë të dy viteve. Infrastruktura e saj ka shumë nevojë për modernizim. Në hekurudha ka greva. Protestat e fermerëve e kanë bllokuar Berlinin. Deutsche Bank po shkurton mijëra vende pune. Cilësia e arsimit po bie. Ka një mbështetje në rritje për partitë e së majtës ekstreme dhe të së djathtës ekstreme. Për herë të dytë në një çerek shekulli Gjermania po etiketohet si e sëmura e Evropës.
Gjermania ka një histori problemesh ekonomike që ushqejnë ekstremizmin politik, por të flasësh për një kthim në Republikën e Vajmarit është paksa e tepruar. Ekonomia është në rënie, por jo në kolaps. Nuk ka asgjë që të përputhet me hiperinflacionin e vitit 1923 ose me papunësinë masive të fillimit të viteve 1930.
Thënë kështu, koalicioni qeverisës i udhëhequr nga kancelari, Olaf Scholz, është në telashe serioze, duke u tronditur nga kriza në krizë. Në fund të vitit të kaluar, gjykata kushtetuese e vendit vendosi kundër një plani që lejonte që paratë e destinuara për masat emergjente për pandemin të shpenzoheshin për kalimin në një ekonomi me zero emetim të karbonit. Kjo krijoi një vrimë prej 60 miliardë eurosh në buxhetin që tashti i duhej të plotësohej nga masat shtrënguese. Si në shumë vende të tjera evropiane, imigrimi është një çështje politike toksike.
Herën e kaluar, etiketa “i sëmuri i Evropës” nuk iu ngjit. Gjermania u tërhoq nga problemet e saj dhe shpejt u rikthye si ekonomia kryesore e Evropës. Baza e saj prodhuese nënkuptonte se ajo ishte e vendosur në mënyrë ideale për tregun kinez me rritje të shpejtë. Bashkimi me euron me një kurs këmbimi konkurrues dhe sigurimi i furnizimeve me energji të lirë nga Rusia rriti fitimet e korporatave dhe gjeneroi një suficit kolosal tregtar.
Kur vendet e Evropës Jugore hasën në vështirësi të rënda financiare gjatë krizës së eurozonës, ata mund të prisnin leksione nga politikanët në Berlin. Mesazhi i hapur për Spanjën, Italinë, Portugalinë dhe Greqinë ishte se ata duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë.
Edhe pse Gjermania mbetet ekonomia më e madhe e eurozonës, ajo tani është një nga më të këqijat. Ajo u tkurr me 0.3% në tre muajt e fundit të 2023 dhe – disi për ironi – ishte performanca më e mirë se sa pritej e Portugalisë, Italisë dhe Spanjës që e kurseu eurozonën nga kalimi në një recesion teknik.
Peter Bofinger, profesor i ekonomisë në Universitetin e Würzburgut, thotë se ekonomia gjermane ka probleme strukturore dhe se ato që dikur konsideroheshin si pika të forta të modelit të biznesit gjerman janë kthyer në dobësi. Gjermania është shumë më e përqendruar tek eksportet sesa vendet e tjera të zhvilluara, prodhimi zë një pjesë më të madhe të ekonomisë dhe sektori i makinave u bë shumë i varur nga Kina dhe ka qenë i ngadalshëm për t’u përshtatur me kërkesën në rritje për automjete elektrike. Ekonomia gjermane, thotë Bofinger, po përballet me një sfidë themelore për modelin e saj të biznesit i cili nuk mund të ndreqet duke zbutur rregullat dhe shkurtuar taksat.
Duke shkruar për Evropën Sociale, Bofinger, thotë se “Gjermania është e sëmurë. Por mund të kurohej nëse do të ishte e gatshme të ndryshonte stilin e jetës dhe të merrte ilaçin e nevojshëm për të rifituar shëndetin.”
“Ilaçi është borxhi publik i përdorur si një motor rritjeje – jo duke ulur taksat dhe transfertat shoqëruese, por duke rritur investimet publike për të stimuluar kërkesën e brendshme dhe shfaqjen dhe vendosjen e teknologjive të reja.”
Holger Schmieding, ekonomist në Berenberg Bank, është shumë më optimist për perspektivat e Gjermanisë. Ky është i bindur se ekonomia do të rikthehet.
“Gjermania nuk është njeriu i sëmurë i Europës. Ajo ka një nga tregjet më të forta të punës në Evropë dhe një pozicion fiskal që e kanë zili ekonomitë e tjera të përparuara. Ka probleme por janë kryesisht të përkohshme.”
Schmieding thotë se Gjermania po vuan përkohësisht sepse Kina nuk është më motori i rritjes globale dhe sepse iu desh të largohej nga energjia e lirë ruse.
“Gjermania është shumë e varur nga tregtia globale. Kur tregtia globale po lulëzon, të gjithë habiten se sa mirë po ecën Gjermania. Kur tregtia globale është e dobët, Gjermania bëhet njeriu i sëmurë i Evropës.
Por, kërkesa e Kinës për mallra industriale gjermane do të jetë gjithnjë e me e pakët si rezultat i orientimit të gjigantit aziatik drejt një ekonomie të orientuar nga sektori i shërbimeve dhe zhvendosja drejt një proteksionizmi më të madh. Ndërkohë, rreziqet për të qenë të varur nga gazi rus janë u bënë të qarta gjatë dy viteve të fundit dhe ekspozuan dobësitë në modelin e rritjes së Gjermanisë.
“Gjermania është bërë dukshëm më pak konkurruese si një vend biznesi vitet e fundit. Përveç kostove më të larta të energjisë, një sërë faktorësh të tjerë kanë kontribuar në këtë: një barrë e lartë e pandryshuar tatimore, rritja e kostove burokratike, përparimi i ngadaltë në dixhitalizim dhe mungesa në rritje e punëtorëve të kualifikuar.”, thotë Timo Wollmershäuser, kreu i parashikimeve në Institutin IFO, një prej institutiteve kryesore të mendimit ekonomik gjerman.
Lajmi i mirë për Gjermaninë është se ajo ka treguar në të kaluarën një vendosmëri për të zgjidhur problemet e saj. Ashtu si me SHBA’në, ata që fshijnë Gjermaninë e bëjnë këtë me rrezikun e tyre. Në fund të fundit, ky është një vend që shpenzoi 2 trilionë euro gjatë 30 viteve për të ngritur nivelin e Landeve lindore pas ribashkimit.
Lajmi i keq është se rruga për të dalë nga vështirësitë e vendit do të jetë e vështirë dhe nuk do të ndihmohet nga shkurtimet e qeverisë dhe aversioni i rrënjosur ndaj borxhit publik.
Carsten Brzeski, nga banka ING, thotë se Gjermania po përballet me probleme të ngjashme me ekonomitë e tjera të eurozonës – norma më të larta interesi dhe lufta në Ukrainë – por me disa çështje të veta shtesë që do të kërkojnë kohë për t’i zgjidhur dhe do të kërkojnë që kompanitë gjermane të përshtaten për të mbijetuar.
Sipas tij, rrjeti i internetit është i dobët, infrastruktura po shkatërrohet, ka vonesa dhe greva që prekin hekurudhat dhe vendi po bie në tabelën e ligës ndërkombëtare për arritjet arsimore.
“Të gjitha këto janë çështje strukturore që po dëmtojnë ekonominë gjermane. Ato nuk pikën nga qielli.”, përfundon Brzeski./Përktheu nga The Guardian: Periskopi