A e konsideron islami gruan me të meta në të menduar?

A e konsideron islami gruan me të meta në të menduar?

Imagjinojeni veten, pas një ditë të lodhshme pune, të kalamendur shkoni në xhami dhe aty nis dersi ku fyhen: nënat, gratë, motrat tuaja. Si qenie njerëzore ‘me të meta në të menduar’.

Ligjërimi fetar, kryesisht nëpër xhami, shpesh merr përmasa skandaloze. I karakterizuar me një stilizëm gjuhësor që merr nuanca vajtuese, kënduese, që ka qëllimin të të bindë se ajo që po del nga goja e hoxhës është e vërtetë, kësaj më së miri i kundërpërgjigjet forja e vjetër me shekuj: ngo çka thotë hoxha, po mos bën çka thotë hoxha.

Hoxhallarë të cilët duket se kanë shumë nge, trajtojnë shpesh tema ku në fokus janë gratë. E tillë është edhe deklarata e fundit e hoxhës nga Shkupi, i cili i referohet një citati të Profetit Muhamed të ketë thënë se ‘gratë janë me të meta në të menduar’.

Në literaturën fetare që kam lexuar, përfshirë edhe të të ashtuquajturat ‘hadithe’ (fjalë të Profetit Muhamed), nuk kam hasur asnjëherë në një gjë të tillë. Por unë s’jam dhe s’mund të jap përgjigje definitive, se a ekziston në të vërtetë një fjali e tillë. Këtë përgjigje duhet ta japin interpretuesit fetarë (mundësisht diçka më shumë se hoxhallarë).

Por, çka tregon një deklaratë e tillë?

Imagjinojeni veten, pas një ditë të lodhshme pune, të kalamendur shkoni në xhami dhe aty nis dersi ku fyhen: nënat, gratë, motrat tuaja. Si qenie njerëzore ‘me të meta në të menduar’. Në fakt, një deklaratë e tillë, do të mund të konsiderohej edhe në përmasa blasfemike, sidomos kur i referohesh gojës së Profetit (pra fjalëve që ai i paska qitur nga goja e vetë), sepse kjo bie ndesh me parimin tjetër fetar në islam: se të gjithë njerëzit janë të barabartë para Zotit’.

Që gruaja trajtohet si ‘qenie ndryshe’ nuk është diçka e re. Kështu trajtohet edhe në libra jofetarë, romane, në filma, në muzikë, ngapak në filozofi, në pikturë etj., por të gjitha këto nuk na imponohen si ‘këshilla përfundimtare për jetën’. Pra ‘qenien e butë’, ‘qenien e bukur’, ‘qenien e ndjeshme’ – gruan, ta trajtojmë kështu si është: butësisht, bukur dhe ndjeshëm.

Ama, ta trajtosh kështu se ‘është me të meta mendore’, kjo është diçka shumë e re në botë. Mundësia për të dëgjuar deklarata hoxhallarësh edhe përtej konitentit, sot mund të matet me shpejtësinë e dritës. Mjafton një click në YouTube dhe ju do të shini mendimin/qëndrimin e një hoxhe në Pakistan, Angli, Australi, për seksin, burrin, gruan, familjen.

Por ajo që na intereson neve, janë qëndrimet dhe interpretimet e hoxhallarëve shqiptarë. Por duket se për deklarata të tillë, udhëhqësve të Bashkësive fetare nuk u bëhet vonë. Ata ngarendin të fusin hundët në çështje të politikave shtetërore, para se ta japin një sqarim të nevojshëm dhe të domosdoshëm: a e kondiseron islami gruan ‘me të meta mendore’.

Fillimisht, këtë do të duhej ta bënte Sulejman Rexhepi i Bashkësisë Islame në Maqedoni, i cili njihet për lutjen e tij të famshme, që ‘Allahu ta bekojë gospodin Gruevskin’.

 

 

 

Shpërndaje në: