A e ka çnjohur Amerika, Kosovën?
Ishte fundi i vitit 2018. Qeveria e asokohshme ishte e bindur se Kosova do ta arrinte një fitore të madhe diplomatike pas një serie humbjesh turpëruese: do të pranohej në Interpol. Bile, qeveria ishte aq e bindur sa kryeministri Haradinaj s’e ndalte gojën duke u zotuar se pranimi ishte punë e kryer. Presidenti Thaçi me një tufë gazetarësh shkoi në vend të ngjarjes, në Dubai, për ta festuar atë “ditë historike”. Kosova humbi dhe këta liderë mbetën me gishta në gojë.
Kjo humbje çoi në veprimin dëshpëtimtar të tarifës. Një veprim i pamenduar që do ta vendoste Kosovën para një presioni të madh nga ShBA-të dhe BE-ja derisa fushata e Serbisë për revokim të njohjeve formale të pavarësisë do të bëhej tepër agresive. Fillimisht e vendosën një tarifë 10% ndaj mallrave të importuara nga Serbia, e e cila brenda natës u bë 100%. Serbia nuk pranoi të rikthehej në dialog. Haradinaj tha se po e ndalte “ndarjen e Kosovës”, një ide që po qarkullonte në atë kohë. Vetëvendosja e përshëndeti këtë veprim dhe tha se duhej të shkohej edhe më larg, të vendosej reciprocitet i plotë.
Kryeministri Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit shkaku i presionit amerikan e evropian. Por në zgjedhjet e ardhshme i pari doli një nacionalist edhe më ekstrem. Albin Kurti u bë kryeministër me premtimin se do ta hiqte tarifën e do ta vendoste reciprocitetin. Fillimisht tha se do t’ia çonte Serbisë një listë të gjatë me kërkesa para se të ulej në tavolinën e dialogut. Megjithatë, nacionalisti uli krye dhe e uli prapanicën e tij afër kryeministres serbe Ana Bërnabiq dhe e shprehu haptas gatishmërinë për dialog.
Kurti e mbajti tarifën e dyshes Haradinaj-Veseli përgjatë gjithë kohës sa ishte kryeministër. Më 25 mars do t’i rrëzohej qeveria ndërsa vetëm më 1 prill do ta hiqte tarifën dhe vendoste reciprocitetin. Por, me reciprocitetin do ta bënte punën edhe më lëmsh. Reciprociteti fillimisht u shpërfill nga ShBA-ja dhe BE-ja sepse iu duhej që në formë implicite të revokonin njohjen reale të pavarësisë tonë. E më pas, kur çështja u bë e madhe, iu desh të kundërshtonin. Ky kundërshtim efektivisht nënkuptonte mos-njohje faktike të pavarësisë së Kosovës por Kurti kërkoi që thjesht ta rriste popullaritetin e t’i shtonte votat. Kryeministri ynë do të ishte aq pështjellues për këtë çështje sa një herë do të premtonte zëvendësim të menjëhershëm të tarifës me reciprocitet, e më pas do të premtonte reciprocitet 90 ditë pas heqjes së tarifës. Më 1 prill propozoi të hiqej plotësisht tarifa, e më 15 qershor të vendosej reciprociteti.
Kosova nuk mori absolutisht asgjë në këmbim për heqjen e tarifës. Fushata e tërheqjeve të njohjeve nga Serbia vazhdoi me po të njëjtin agresivitet. Ndërkohë që shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën del se janë në pritje të rezultatit të dialogut njësoj si shtetet që nuk e kanë njohur. Gara e brendshme zgjedhore u bë më e rëndësishme se sa pavarësia e vendit.
Dëmet u bënë tashmë të pandreqshme. Qëndrimi i ShBA-ve për statusin e Kosovës është i ngjashëm me atë të Surinamit dhe vendeve tjera çnjohëse: duhet pritur dialogun.
E ndërkohë, ja çka tha mes thashethemeve të ndryshme kryeministri Kurti në ditën kur qeveria do t’i rrëzohej nga partneri i koalicionit: “Serbia mund ta pranojë edhe pavarësinë e Kosovës, por kurrë nuk mund të pranojë që të trajtohet e barabartë me Kosovën,”
E thellë.
Kryeministri i një populli thashethemxhi duket se nuk mund të ishte veçse thashethemxhi. Ai tha se ekzistonte një marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi, e në të cilën do të ndahej Kosova. Në foltore të Kuvendit ai tha se kështu i kishte treguar dikush. ShBA-ja reagoi zyrtarisht dhe e mohoi thashethemin kryeministror. E kështu me radhë.
Qeveria Hoti ndërkohë e ndali këtë abuzim të tmerrshëm me fatin e Kosovës duke e hequr edhe reciprocitetin dhe duke i dhënë fund konfliktit me partnerët ndërkombëtarë. Është e vërtetë që ShBA-ja dhe BE-ja nuk e njohin ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës, por të paktën njohja formale tregon qartë vizionin që Kosova të jetë shtet i pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm pas marrëveshjes.
Por, duhet kuptuar që ‘status quo’-ja aktuale është në dëm të Kosovës e në favor të Serbisë. Kosovës po i rrudhet vazhdimisht sovraniteti derisa bllokada vazhdon. Në anën tjetër, marrëveshja finale nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen dhe miratimin e plotë të Kurtit që gëzon popullaritet të madh, e për rrjedhë, edhe potencë të madhe për trazira.
Çfarëdo ideje për kompromis që mund të propozojë Hoti në vazhdim nuk pritet të gjejë pranim. Edhe nëse ideja pranohet nga Vuçiqi, ajo nuk do të pranohet nga VV-ja e ndoshta as nga PDK-ja.