A duhet të shqetësoheni për fëmijët deri në 3 vjeç që përdorin pajisjet elektronike?
Të gjitha nënat që janë mësuar “të shpëtojnë” nga fëmijët e tyre duke u dhënë Smartphone-n në dorë, tani duhet të shqetësohen vërtet e të tregohen të kujdesshme
Smartphone apo tableti është një nga qetësuesit më të mirë për fëmijët, por herën tjetër duhet të mendoheni dy herë para se t’i japni një nga këto pajisje në dorë fëmijës suaj.
Sipas disa studimeve të reja, të publikuara në Scientific Reports, përdorimi i përditshëm i pajisjeve me ekran të ndjeshëm mund të ketë ndikime serioze në gjumin e fëmijëve.
Studiuesit gjetën që çdo orë që fëmija shpenzon në një pajisje elektronike, mund të rezultojë në afërsisht 15 minuta humbje gjumi në ditë dhe ky rezultat është shumë alarmues për fëmijët deri në 3 vjeç, duke qenë që gjumi mund të ndikojë shumë zhvillimin e tyre.
“Një zbulim surprizues ishte që megjithëse flinin mesatarisht më shumë gjatë ditës, fëmijët deri në 3 vjeç, që kalonin më shumë kohë me ekranin me prekje, përsëri shpenzonin më pak kohë të përgjithshme në gjumë”, ka thënë Celeste Cheung, bashkautore e studimit, sipas Real Simple.
Cheung punon si studiuese në Universitetin Birkbeck të Londrës, ku është realizuar studimi. “Si pasojë ata nuk arrijnë të jenë të ngopur me gjumë gjatë ditës”.
Studimi që grumbulloi informacion nga 715 prindër, u përqendrua në shpeshtinë e përdorimit të pajisjeve me ekran me prekje, gjatë ditës, te fëmijët nga 6 deri 36 muajsh. Prindërit realizuan një sondazh online, ku raportuan për gjumin dhe përdorimin e pajisjeve nga fëmijët e tyre.
Më pas, studiuesit analizuan të dhënat, duke kontrolluar gjininë, moshën, nivelin e arsimit të mamasë dhe kohën para televizorit. Rezultatet ishin impresionuese. Afërsisht 92 për qind e fëmijëve nga 25 deri 36 muajsh përdornin një ekran digjital çdo ditë dhe mesatarisht, fëmijët i përdornin pajisjet afërsisht 25 minuta në ditë.
Një shpjegim i mundshëm shkencor sesi pajisjet me ekran me prekje dëmtojnë gjumin? Drita blu që del nga ekranet mund të ndalojë prodhimin e melantoninës, hormoni që ka të bëjë me rregullimin e ritmeve të gjumit.
Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët nën 1.5, flitet me vite tani, nuk duhet të kalojnë fare kohë para ekranit, ndërsa fëmijët nga 2 deri 5 nuk duhet të kalojnë më shumë sesa një orë në ditë.
Megjithatë, nuk ka vetëm lajme të këqija. Studimi ka gjetur gjithashtu që fëmijët që përdornin në mënyrë aktive ekranet, duke rrëshqitur gishtat dhe duke luajtur lojëra, zhvillonin koordinimin e duarve, me gishtat dhe sytë më shpejt sesa fëmijët që nuk përdornin ekrane.
Sigurisht, asgjë nuk mund të thuhet me siguri në këtë fazë, por ndërkaq siç thotë Cheung, “prindërit nuk duhet të shqetësohen, por të jenë të vëmendshëm për ndikimin potencial të pajisjeve me ekran të ndjeshëm, si pozitive dhe negative”.