A do t’ia dorëzojë Serbia trupin e Faton Hajrizit familjes, flasin juristë e ekspertë të sigurisë

A do t’ia dorëzojë Serbia trupin e Faton Hajrizit familjes, flasin juristë e ekspertë të sigurisë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha të premten se është vrarë Faton Hajrizi, i dyshuari për vrasjen e një polici në Serbi në orët e para të së enjtes. Tani shtrohet pyetja se si do të veprojë shteti serb me kufomën e viktimës.

Avokati Arbër Jashari ka thënë se nuk ka ndonjë pengesë që trupi i Faton Hajrizit t’i kthehet familjes për procedura të varrimit.

“Kjo çështje është e rregulluar edhe me ligje të Serbisë por edhe me norma ndërkombëtare për kthimin e trupit të tij në Kosovë. Procedurat e kthimit të trupit mund të bëhen edhe në mënyrë private nëse nuk bëhet me ceremoni shtetërore”, deklaroi Jashari në RTV Dukagjini.

Jashari thotë edhe faktori ndërkombëtarë mund të reagojë për të kthyer trupin e Hajrizit në Kosovë.

“Kjo është e drejtë humanitare dhe njerëzore që familja të ketë trupin e të ndjerit që t’i bëhet varrimi sipas traditave të vendit. Kështu që unë nuk shohë ndonjë pengesë në këtë drejtim”.

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj tha se situata aktuale është e palakmueshme edhe për faktin se Kosova e Serbia s’e njohin njëra tjetrën dhe se ekstradimi i kufomës së Hajrizit do të ketë edhe implikime të tjera.

“Kjo gjendje është e palakmueshme edhe për vaktin se Serbia e Kosova s’e njohin njëra-tjetrën dhe ekstradimi i kufomës së Faton Hajrizit do të ketë edhe komplikime të tjera, ku më gjasë do të duhet të përdorën edhe palë të treta që të arrihet një kompromis për kthimin e kufomës së Fatonit në vendlindje”, tha ai për Klan Kosovën.

Autoritetet në Serbi njoftuan të premten se është vrarë i dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri një ditë më parë në në Loznicë, në perëndim të Serbisë afër kufirit me Bosnjën e Hercegovinën.

Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiq, tha se “pjesëtarët e policisë vranë të dyshuarin në afërsi të Loznicës”, pasi ai nuk pranoi të dorëzohej dhe qëlloi mbi forcat e rendit të cilat që nga dje ishin vënë në kërkim të tij.

Autoritetet serbe nuk dhanë më shumë hollësi ndërsa familjarët thanë se i vrari është Faton Hajrizi.

Më herët gjatë ditës, ministria e Brendshme e Serbisë publikoi një fotografi të Faton Hajrizit, i cili që nga fillimi i këtij muaji ishte në kërkim të autoriteteve të Kosovës pasi që ishte arratisur nga një burg në vend.

Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje që rastit të mos i jepen ngjyrime politike ndërsa ministria e Jashtme e Kosovës kërkoi nga autoritetet serbe “që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë”.

Shpërndaje në: