A do të na fusin bombat në gojë të kthyerit nga ISIS-i?
Që prej mbarimit të luftës e tekëndej, Kosovës i kanë ikur masivisht qytetarët nga vendi. Në fillim serbët, pastaj shqiptarët që nuk zunë hapësirë në tregun e vogël të punës, pastaj shqiptarët që kishin punë por donin më shumë para, e ndërkohë ikën edhe ekstremistët nacionalistë për ta çliruar Maqedoninë dhe ekstremistët fetarë për të bërë xhihad. Nëse ka diçka që e karakterizon shtetndërtimin e Kosovës është kjo ikje, dhe si hije, procesi i kthimit e ri-integrimit
“Ai që nuk lëviz nuk ndjen zingjirët” – shkruhet në murin e një ndërtese në rrugën Qamil Hoxha. E pikërisht zingjirët i kanë ndjerë qindra-mijëra vetë që u larguan nga Kosova, vetëm për t’u kthyer këtu më pas. E pra, jemi të lidhur me zingjirë. Të izoluar. Të dëshpëruar. Të dalldisur.
Koqeluajtja në përgjithësi
Të shtunën e kaluar, në mënyrë të fshehtë, u kthyen në Kosovë 110 qytetarë të Kosovës të mbetur në Siri. Mes tyre, katër ishin burra, tridhjetë e dy gra dhe kusuri fëmijë.
Në Kosovën e vogël sa troha debati dështoi të ngjizej – edhe pse numri i të kthyerve të rritur, me përgjegjësi penale, është shumë i madh. Në Amerikë e në Britani të Madhe ishte bërë poterë e ashpër për vetëm dy gra të kthyera. Për javë e muaj të tëra.
Kjo mungesë debati shpreh horizontet e ngushta kuptimore të shoqërisë, të cilat arrijnë të rrokin thjesht rrezikun e atypëratyshëm, ose telashet e problemet që shihen me sy. Problemet që s’mund të shihen, nuk debatohen. Për aq sa nuk rrezikojmë të vritemi në rrugë, e për aq sa nuk na fusin bombat në gojë, s’shihet nevoja për brengë.
Nejse.
Autoritetet kosovare i kthyen këta njerëz me një aeroplan amerikan – ndoshta në bashkëpunim me ndonjë levë të aparatusit të madh të sigurisë amerikane – dhe duke e mbajtur të fshehtë, e bënë atë ndodhi të dukej si gjë të jashtëzakonshme. Në fakt, nga aspekti operacional, s’ishte ndonjë ndërmarrje për hajmedet. Ata u morën nga një zonë ku lufta kishte mbaruar, hipën në aeroplan dhe u kthyen në Kosovë. Kaq. Njësoj siç u kthyen, me shumë aeroplanë, edhe ata që u kthyen nga Gjermania.
Pikërisht këto autoritete, dmth kosovare, e që shpesh bëhen koqovare, menduan t’ua hiqnin përgjegjësinë penale grave. Pse? Sepse ishin gra. Domethënë, ishin viktima për nga natyra e tyre. Ato s’mund të shkonin e të luftonin për Allahun pa i nxitur dikush. S’mund të besonin në xhihad. S’mund të vdisnin për ide. S’kishin koqe. E prandaj, s’ia vlente të ngarkohej më shumë gjykata, edhe ashtu e stërngarkuar me lëndë të pluhurosura nga vjetërsia. Do t’i gjykonte Allahu. Kështu mendonin institucionet e Kosovës – derisa u ndeshën me mrroljen e ndërkombëtarëve.
Dhe, edhe gratë po i nënshtrohen proceseve gjyqësore, njëjtë si burrat. Njëra prej tyre, e kishte bërë një farë distancimi të tërthortë nga Allahu, duke thënë se burri i saj paguhej nga ISIS-i. E gjithë kjo për të shfajësuar praninë e saj dhe burrit të saj në atë konflikt, ku grupi që i takonin bënte masakra e ekzekutime mizore ndaj civilëve e ushtarëve kundërshtarë. Dhe që mësynte rrënimin e plotë të botës sonë sekulare.
Ambasadori amerikan në Kosovë tha se Kosova përmes këtij veprimi po e vendoste një standard ndërkombëtar në procesin e kthimit të njerëzve të ISIS-it në atdheun e tyre. Procesi i kthimit është në fakt pjesë e themeleve të shtetësisë së Kosovës. Së pari, kthimi i serbëve të ikur gjatë luftës, e i cili nuk shkoi aq mirë. Dhe më pas, kthimi i vazhdueshëm i dhjetëra-mijëra shqiptarëve që iu refuzohej azili në vendet perëndimore. Tash, edhe kthimi i njerëzve të ISIS-it.
Por, të kthehemi te gratë. Të gjitha morën avokate që s’kishin koqe, domethënë gra. Dhe të gjitha ishin të mbuluara me shami, që tregon mos-luhatjen në bindjen e tyre fetare. Një pjesë e grave, siç kishin raportuar mediet ndërkombëtare, sapo kishin ikur nga ISIS-i i kishin hequr shamitë e tyre. Nuk dihet nëse kishin pëshurrur në to. Por, gratë kosovare të ISIS-it, nuk e bënë. Punë për to.
Kjo shami i pengoi në veçanti këshilluesit të kryetarit të Kuvendit me emrin Blerim Latifi, që përmes reagimit të tij në Facebook arriti të zbulonte ‘ujin e vakët’. Ai tha se veçori kulturore e shqiptarëve është ‘koncepti i fytyrës’ dhe jo mbulimi i saj – duke bërë referencë me gratë kosovare të ISIS-it [dhe me të tjerat që mbulohen, natyrisht]. Ndoshta z.Latifi nuk e njeh asnjë gjuhë tjetër të botës, e nuk e kupton se po të njëjtën lidhje mes moralit dhe fytyrës e gjejmë edhe te shumë e shumë popuj tjerë. A t’i përmendim disa? Gjermanët, anglezët, francezët, arabët, rusët, italianët, grekët, serbët, etj. Por, kush po flet për fytyrën? Latifi, dmth këshilltari i Kadri Veselit, i cili po në fytyrë, në sy, në vesh, në gojë, në hundë, e kahmos, i gënjente qytetarët në çdo fushatë elektorale, dhe që iu dhuroi po në fytyrë dy qeveri superskandaloze. Pa i përmendur dy të tjera, që u udhëhoqën nga tjetërkush.
Por, të mbesim te Kadri Veseli. Hashim Thaçi është njeriu që në mënyrë abuzive qeveris me aparatin e sigurisë së vendit. Dhe prandaj, është e pamundur që mendja të mos shkojë pikërisht te ky njeri si urdhëruesi i këtij veprimi. Dhe po ashtu, duke pasur ndërmend përpjekjen e tij sizifiane që me fytyrën e tij t’iu hynte në bythë, e bile në vrimë të bythës, akterëve ndërkombëtarë përgjatë viteve të fundit, atëherë kjo ide veç sa përforcohet. Tash që reputacioni i tij është përtokë; që e humbi luftën politike kundër Ramush Haradinajt; që i vdiq ideja e korrigjimit të kufijve, do t’i hynte në punë që Kosova të bëhej vendi ku do të kërkohej standardi për veprimin me ish-terroristët. E standarvënësi të kishte emrin Hashim e mbiemrin Thaçi.
Koqeluajtja me islamin
E përmendëm këshilltarin e Kadri Veselit. Ai është një ndër mijëra shqiptarët që s’e durojnë islamin e që kanë ideologji të përafërt me terroristin supremacist të bardhë që vrau 50 të tillë në Christchurch të Zelandës së Re. Edhe ai, po njëjtë si Latifi, e sheh me përbuzje kulturën islame në përgjithësi, e me dashamirësi kulturën e krishterë. Mos të harrojmë, terroristi në fjalë i kishte në një pjesë të municionit të tij, emrat e dy princave shqiptarë, atë të Skënderbeut dhe të Gjergj Arianitit.
Historia jonë e ka prodhuar në vazhdimësi idenë se islami e fëlliq apo rrezikon identitetin tonë etnik. Kësisoj, kushdo që e praktikon në mënyrë të devotshme këtë fe, shihet me dyshim. Në kombin shqiptar vend nuk ka për gratë me shami, por vetëm për myslimanët pasivë dhe ateistët e të krishterët. Ndaj myslimanëve të tillë, shkaku i këtij diskursi, ushtrohet intolerancë e stigmë e skajshme.
Dhe, padyshim, nëse gjurmojmë shkaqet që i çuan këta njerëz në Siri do të gjejmë hoxhallarë skandalozë e tekste skandalore – por të cilat parakushtin themelor e gjetën në frymën armiqësore kundrejt performimit të lirshëm, dmth jo veç nga shteti por edhe nga shoqëria, dmth të pastigmatizuar, të fesë së tyre.
Islami sot mund të shihet me gërdi, por në të vërtetë bëri shtytjen fillestare drejt urbanizimit të shoqërisë sonë. Hoxhallarët për shekuj me radhë konsideroheshin si njerëzit më të dijshëm të kësaj shoqërie analfabete. Xhami kishte vetëm nëpër qytete. Dhe gjuha turke flitet edhe sot mes qytetarëve të vjetër të vendit. Mejhanet ku nisi të pihej kafeja, mejtepet ku mësohej feja, e nxorën nga lloçi e prapambetja e thellë shqiptarin e dikurshëm. Islami e qytetarizoi atë. Prandaj, kah vjen e gjithë kjo gërdi?
Dinamikat kulturore është e zorshme të rroken shpejt e të thjeshtohen, veçse gjuha e veprimet e krerëve institucionalë duhet të ndërrojnë karshi feve e praktikimit të feve që ushtrojnë qytetarët e tyre. “Unë s’e di pse jam mysliman” thoshte Ramush Haradinaj, kryeministër i vendit duke shprehur përçmim për kulturën [s’ka rëndësi feja këtu] që i përkiste. Kjo do të duhej të mjaftonte që të uleshin dënimet e të rritej mirëkuptimi për kosovarët e ISIS-it.