A do të “Guxo-jë” Gërvalla e Peci të garojnë të vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit?

A do të “Guxo-jë” Gërvalla e Peci të garojnë të vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit?

Edhe dy ditë ka afat për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit. Të gjitha partitë që synojnë të garojnë në zgjedhje për koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ’në më së largu deri më 30 gusht, ora 16:00, shkruan Periskopi. 

Lista ‘Guxo’ në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2021, me në krye Vjosa Osmanin i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Që nga marrja e pozitës së Presidentes së vendit nga Vjosa Osmani, Lista Guxo tashmë ka kryetarë tjerë. Jo një, por dy kryetarë – Donika Gërvallën dhe Faton Pecin.

Periskopi ka mësuar se ka mendime të ndryshme në partinë e udhëhequr nga Peci e Gërvalla, nëse do të i bashkon VV-së në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Siç mëson Periskopi, nesër është thirrur Këshilli i Përgjithshëm i ‘Guxo’, për të diskutuar rreth kritereve të bashkëpunimit.

Andaj, 48 orët e ardhshme janë vendimtare për këtë parti e cila në zgjedhjet e fundit kishte garuar me 14 kandidatë në listën e LVV-së, teksa ka arritur të sigurojë 6 ulëse.

Kujtojmë se në këtë përbërje ishin Vjosa Osmani dhe Doarsa Kica-Xhelili. E para tani Presidente, ndërsa e dyta e rikthyer në Lidhjen Demokratike të Kosovës. /Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: