A do të flisnim serbisht po të mos ishte Xhavit Haliti?

A do të flisnim serbisht po të mos ishte Xhavit Haliti?

Tri konstatime dhe një profetim. Të gjitha këto mund të futen brenda një skeme të domethënies.

Konstatimi I: “Ne iu çliruam!”

Konstatimi II: “Do të flisnit serbisht po të mos ishim ne.”

Konstatimi III: “Krejt ne i kemi kah 2-3 milionë.”

Profetimi: “Do të dalin të gjitha pas tre-katër muajsh!”

Këto u thanë në një emision televiziv nga goja e njërit prej themeluesve të UÇK-së, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Fjalë që u përcollën me çehre të ngrysur e mosduruese. Ai e kishte të pamundur që ta mbulonte hapësirën të cilën e përvijonin vetë fjalët e tij për keqpërdorime eventuale. Kishte mungesë dokumentesh, mungesë të rregullsisë ligjërimore, mungesë qartësie. E natyrshme. Po bëjmë fjalë për një organizim ilegal në kushtet e një represioni të egër. Për një organizim ilegal që nuk kishte strukturë të definuar e as vizion të qartë. Që ishte thjesht reaksionare.

Dy konstatimet e para ishin mjaft gjëmuese këto njëzet vitet e fundit. Themeluesit e UÇK-së përnjëmend besojnë se ‘e çliruan shoqërinë tonë’, dhe se ‘do të flisnim serbisht po të mos ishin ata’. Po, një gjë e tillë mund të jetë e vërtetë. Përpjekja pacifiste e Rugovës nuk dukej aspak e frytshme. Ndërkohë që, përpjekjet e tjera mungonin. UÇK-ja doli në dritë jo vetëm si një rezistencë e armatosur kundër Millosheviqit, por edhe si një opozitë ndaj politikës së Rugovës. Edhe si reaksionare ndaj një mendësie qytetare që kishin lejuar t’i përdhosej dinjiteti, që hante dajak e mbeste pasive. Kosovarët e fillimit dhe mesit të viteve ’90 i frikësoheshin luftës. I frikësoheshin dhunës së tejshtuar nga pushteti. I frikësoheshin edhe një ristrukturimi social. E ndoshta, i frikësoheshin edhe lirisë – ekzistencës pa kanosjen e përditshme nga ‘tjetri’. Domethënë, i frikësoheshin edhe mungesës së armikut.

Trupi shoqëror kishte pësuar aq shumë poshtërim e dhunë sa ishte mpirë dhe kishte filluar ta arsyetonte dhe ekonomizonte atë. Ta mendonte veten brenda saj. Ta riogranizonte angazhimin e saj në inferioritet. Trupi shoqëror ndjente nevojë për edhe më shumë poshtërim në mënyrë që ta riprodhonte në vazhdimësi rrethanën e saj mendore. Një konformizëm për gjynah! Racizmin internal ne e vërejmë edhe sot kudo.

E vërteta e trishtë është se një shoqëri dy-tre milionëshe u çlirua nga vetëm dhjetëra njerëz. Ata i morën në dorë mjetet e prodhimit të një eventi që e quanin luftë, dhe i kanë në dorë sot, mjetet e prodhimit në ekonomi. Është naive të pritet që metodat e tyre në atë vakt, të ishin institucionaliste – dhe madje strategjikisht për të mirën e përbashkët. Që në fill, themeluesit e UÇK-së e ndjenin jo veç armiqësinë e pushtetit represiv serb, por edhe armiqësinë e shoqërisë që donin ta çlironin.

Para disa vitesh, në një përpjekje tjetër moderimi, Hashim Thaçi kishte thënë se “e gjithë shoqëria ishte në UÇK.” Ai nuk e beson një gjë të tillë. Shoqëria jonë u bë me UÇK-në veç në një periudhë të shkurtër kohore, kur lufta veç ishte produkt i kryer, kur ndodhia/eventi kishte ngjallur reagime të faktorëve ndërkombëtarë, dhe sidomos kur kufomat e kësaj lufte rrinin në pozicione të çakërdisura mbi dhe. Kur ndodhën masakra.

Shoqëria jonë i dha një mbështetje të madhe UÇK-së në muajt e fundit të luftës – me shpresë se do të harrohej armiqësia fillestare. Por, kështu nuk ndodhi. Themeluesit e UÇK-së nuk mund ta harronin shpërfilljen e madje edhe përqeshjen gjithëqytetare. Kësisoj, u patën të domosdoshme të tregonin se kush i çliroi. E kishin të domosdoshme të tregonin se do të flisnim serbisht po të mos ishin ata. Armiqësia ndaj shoqërisë kishte një fill gati organik – dhe kjo iu pamundësoi që të ndjenin çfarëdo empatie për hallet e shoqërisë. Kjo bëri që të gjithë ata “t’i kenë sot kah 2-3 milionë.” – siç tha vetë Haliti. Jo duke vjedhur. Por thjesht duke pasur dorë mbi strukturën sociale. Mbi mjetet e prodhimit. Dhe me të njëjtën metodë organizative – në terr, joinstitucionalisht, me dashamirësi e besim. Dhe natyrisht, që kjo shtron mundësinë për shumë keqpërdorime – madje edhe të atilla që ne, si njerëz të mirë që jemi, s’mund as t’i marrim me mend.

Edhe konceptimet antropologjike të organizimit ilegal të UÇK-së dhe të rendit demokratik liberal ndeshen me njëra-tjetrën. I pari ia mendon njeriut një farë thelbi të mirë. Ndërkohë që i dyti, njësoj si Freudi, mendon se liria, ose njeriu kur lihet i lirë, e shpërfaq anën e tij kafshërore. Natyrisht, ne nuk besojmë që aty ku ka liri për të vjedhur, njeriu nuk vjedhë. Prandaj, gjithë kjo nevojë e madhe për transparencë.

Në dy konstatimet e para e kemi të përbrendësuar logjikën “ne/ata”. Pra, ne në njërën anë, dhe shoqëria në tjetrën. Te konstatimi i tretë ne gjejmë thjesht një pranim të asaj që do të pasonte si një rrjedhojë e pashmangshme e kësaj mendësie: pasurimi. Nuk mund të pritej nga njerëzit që e shohin veten si çlirimtarë, e që mbase edhe janë të tillë, që të rrinin duarkryq në një idealizëm të përkorë, dhe të rrinin varfanjakë për të mirën e përbashkët.

Lufta – siç thotë Nietzsche – është e përhershme. Dhe këtë logjikë, fare natyrshëm, e përbrendësuan themeluesit e UÇK-së. Ata luftuan jo vetëm ndaj Millosheviqit, dhe ndaj pasivitetit shoqëror, por më pas edhe për të marrë në dorë mjetet e prodhimit – dhe për të pasur një pozicion të mirë në skemën sociale.

Imagjinoni se çka do të ndodhte në Kosovë nëse nuk do të ishin faktorët ndërkombëtarë. Dhe pikërisht nga këta faktorë mund të jetë prodhuar profetimi se “të gjitha do të dalin në tre-katër muajt e ardhshëm.” Nga kush? Nga ata që një rugovist do të thoshte se përnjëmend n’a çliruan.

Shpërndaje në: