”Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e drejtë”

”Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e drejtë”

Instituti i Historisë “ALI HADRI” në Prishtinë, Instituti i trashëgimisë shpirtëtore kulturore të shqiptarëve në Shkup dhe Instituti i studimeve të historisë ushtarake në Tiranë kanë reaguar ndaj publikimit të propozim-akuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, mbështetur nga Dhomat e Specializuara, në të cilën figurojnë emrat e dy nga ish-themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës dhe Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Reagimi i plotë:

Angazhimet e faktorëve ndërkombëtarë të kohëve të fundit për rifillimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje paqeje, kanë shpërfaqur një disonancë të faktorit Euro-Atlantik si dhe janë shoqëruar me një situatë të presionit ndërkombëtar mbi palët, por presioni për çudi po bëhet në mënyrë shumë selektive. Në njërën anë po ndodhë trajtimi preferencial i Serbisë, e cila vijon betejën kundër pavarësisë së Kosovës, edhe pse në anën tjetër Qeveria e Republikës së Kosovës, nën presionin e fuqishëm ndërkombëtar, hoqi dorë si nga taksa 100% në raport me Serbinë, po ashtu dhe nga zbatimi i masës së reciprocitetit. Trysnia më e fuqishme ndërkombëtare është publikimi i propozim-akuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, mbështetur nga Dhomat e Specializuara, në të cilën figurojnë emrat e dy nga ish-themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: z. Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës dhe z. Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Serbia dhe shumë pjesëtarë të forcave të saj policore-ushtarake, që kanë kryer krime monstruoze të vërtetuara botërisht ndaj mijëra e mijëra shqiptarëve në Kosovë, nuk janë vënë asnjëherë përpara përgjegjësisë ndërkombëtare, përkundrazi ata u shpërblyen dhe u privilegjuan nga kjo e fundit për gjenocidin që e ka kryer në Kosovë. Populli i shumëvuajtur i Kosovës ndjen se po i kufizohet liria dhe të drejtat e tij, të arritura përmes rezistencës mbi njëshekullore kundër okupimit serb, po i cenohet arritja më e madhe drejtësia e luftës së UÇK-së dhe fitoret e arritura prej saj në bashkëpunim më Aleancën ngadhënjimtare të Atlantikut të Veriut. Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e drejtë. Ajo drejtohej kundër një pushteti dhe pushtuesi, i cili përreth një shekulli përpiqej me zjarr dhe hekur për spastrimin e përgjakshëm etnik të Kosovës.

Lufta e UÇK-së, ishte në përputhje me vlerat themelore të lirisë së popullit shqiptar dhe me të gjitha parimet fondamentale të lirisë dhe ekzistencës njerëzore të çdo populli. Pavarësisht formulimeve juridike, për shqiptarët por edhe për këdo me gjykim të drejtë në botë, është e qartë se kush ishin çlirimtarët dhe kush ishin pushtuesit dhe agresorët, të cilët për të ruajtur sundimin e tyre me dhunë, kryen krime të shumta ndaj popullsisë civile shqiptare, të cilat bënë “xhiron e botës”. Asnjë institucion apo klauzolë juridike, nuk ka fuqi që të përmbysë të vërtetën historike, e cila është një dhe kalon shumë përtej klauzolave të tjera. Koha kalon, por nuk mund të mjegullojë të vërtetën historike e cila është e qartë si drita e diellit. Ne si institucione shkencore që merremi posaçërisht me të vërtetën historike, apelojmë që propozim-akuzat të jenë të argumentuara dhe të bazuara në fakte në raport me të vërtetën e dëshmuar dhe jo në disproporcion me të. Duhen gjykuar krimet serbe të cilat ishin të përmasave aq të mëdha saqë morën trajtën e një gjenocidi etnik, fizik, politik, kulturor dhe fetar, i paramenduar dhe i planifikuar nga Serbia, përkatësisht nga qarqet e saj politike, shkencore, kulturore dhe ushtarake. Të gjitha këto kanë koston e vet, pa harruar për asnjë moment vrasjet e mijëra qytetarëve të pambrojtur shqiptarë, jeta e të cilëve nuk kompensohet me asgjë.

Pa hyrë në kompetencën e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës, për ne si për këdo që vlerëson dhe respekton të vërtetën, është absurde të lihen krejt në heshtje krimet serbe që patën si rezultat vrasjen e rreth 12.000 civilëve shqiptarë të grup moshave të ndryshme dhe propozim-akuzat të fillojnë me drejtuesit e lëvizjes çlirimtare të këtij populli të shtypur që po i nënshtrohej një fushate të egër të spastrimit etnik, totale e përfundimtare, e cila është konstatuar dhe vërtetuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, kundër popullit shqiptar luftoi ushtria, policia dhe të gjitha institucionet shtetërore serbe. Sipas të dhënave zyrtare të Qeverisë jugosllave, në luftën e Kosovës humbën jetën 1.008 policë e ushtarë. Nga kjo shifër, vetëm në Kosovë kishin rënë 819 pjesëtarë të forcave serbe (ushtarë, ushtarë rezervistë, vullnetarë, policë e policë rezervistë), të gjithë në ballafaqim me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe si pasojë e sulmeve të NATO-së.

Ata ishin pjesë e efektivave aktivë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), e rezervistëve të MPB, e efektivave aktive të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ), e rezervistëve të UJ dhe vullnetarë të saj. Gjatë shekullit të kaluar, shteti serb ka keqpërdorur në mënyrë flagrante edhe qytetarët serbë, duke i angazhuar në njësite policore dhe ushtarake, në luftë kundër shqiptarëve, qofshin ata të armatosur apo civilë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka luftuar forcat qeveritare serbe të përfshira në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, të cilat paraqisnin një kombinim kompleks të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe njësive të saja speciale, të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe njësive të saja speciale, forcave paramilitare, milicisë lokale dhe një asortimenti luftëtarësh të sjellë nga jashtë, që të gjithë nën urdhrat e Qeverisë në Beograd. Në prill të vitit 1999, kishte 15.779 pjesëtarë të MPB-së.

Më 31 mars 1999, Korpusi i Prishtinës kishte 17.971 ushtarë. Më 13 prill 1999, nën komandën e këtij Korpusi gjendeshin gjithsej 61.892 pjesëtarë të UJ, përfshirë njësitet e tjera të bashkëngjitura dhe vullnetarët. Kundër këtyre forcave të shumta, të armatosura mirë, me teknikën më moderne të kohës, ka luftuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Duke ju referuar memories historike, të cilën e perifrazuam në këtë reagim, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar të nivelit shtetëror, vendimmarrës dhe atij akademik, opinionit krijues, gazetarë, humanistë dhe personalitete të shquara, që përgjegjësinë për krime lufte ta kërkojnë te agresori që është Serbia dhe jo tek drejtuesit e UÇK-së. Me këtë do të rikthenin shpresën dhe besimin tek populli i Kosovës dhe veçmas tek familjarët e civilëve të masakruar dhe të të zhdukurve, që bota demokratike gjykon drejtë dhe konform kësaj do të vendosë drejtësinë.

E kryejmë këtë reagim me besimin e plotë tek Zoti, tek paanësia e drejtësisë ndërkombëtare dhe tek e drejta e luftës çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së saj.

 

Shpërndaje në: