E vërteta e fshehur e UÇK-së
Ka kohë që plot njerëz snobçe kukasin pse UÇK-ja nuk ishte më e pranueshme estetikisht e më urbane. Pra, ka kohë që njerëz të privilegjuar të këtij sistemi kukasin mbi formën se si u çlirua Kosova. Pse UÇK-ja nuk kishte të tjerë liderë, të tjerë ushtarë dhe tjetër organizim. Është kukatja e zakontë për shije e njerëzve të klasës së mesme të lartë kundër shtresës së varfër rurale së cilës i përkisnin shumica e liderëve dhe e ushtarëve. Është deridiku e kuptueshme për një shoqëri në urbanizim e sipër. Por, e papranueshme dhe që meriton me u sfidu ashpërsisht.
UÇK-ja e ndërroi karakterin kolektiv të shqiptarëve. Si me dorë e hoqi gjithë atë qyqarllëk të ndyrë e të gërditshëm me të cilin jetonte rehatshëm në poshtërim, fyerje e rrahje, e me të drejta të shkelura brutalisht. Në një rehati për gjynah. UÇK-ja nuk mund të kuptohet nga dikush që nuk ka ide mbi karakterin shoqëror të shqiptarëve gjatë viteve ’80 e ’90. Nga dikush që ishte i çlidhur me atë fat. Nuk ishin të gjithë shqiptarët të shtypur. Dhe nuk ishin të gjithë serbët shtypës.
UÇK-ja ishte e vetmja herë kur kosovarët më të varfër e më të diskriminuar të shoqërisë po luftonin për nderin dhe dinjitetin e tyre. Hera e parë kur disa jo-bajraktarë që s’kishin as çka të mbronin mbytën frikën për t’i dalë kundër shtypjes, pabarazisë, padrejtësisë dhe fashizmit. E para herë kur diskursi i ndrydhur me anë të veprimit përmbysi pallavrat inkonsistente që vjedhnin zërin e të shtypurve në emër të mbrojtjes së tyre. E vetmja herë kur varfanjaku e mori në dorë fatin e vet. Armiku nuk ishte domosdo një serb. Armiku ishte e gjithë struktura ekzistuese, me shqiptarë e me serbë. Të gjithë njerëzit, që në një mënyrë a tjetrën, e legjitimonin regjimin e atëhershëm. Kjo është e vërteta që po ndrydhet meqë u hesht bile edhe prej vetë përfaqësuesve të UÇK-së.
Shumica e shoqërisë kosovare në atë kohë ishte e befasuar me UÇK-në. Ishte e befasuar me luftën. Dhe ishte e befasuar që ekzistonte mundësia për t’u çliruar.
Kjo ushtri ishte e vetmja lëvizje e majtë që e prodhuan kosovarët deri tash. E vetmja që nuk ishte e gjitha e shkrirë në simbolikë, logo, pallavra të bukura e nacionalizëm. E vetmja që funksionoi organikisht. Shihni partitë e sotme të majta. Jo veç në Kosovë por edhe në Shqipëri. Të gjitha janë më të çlidhura bile edhe se vetë partitë e djathta me shtresën e varfër rurale të shoqërisë, e prandaj, sillen e pështillen dhe përfundojnë në nacionalizëm. Secila më përbuzëse se tjetra. UÇK-ja përmbysi atë përbuzje që ishte produkt i atij sistemi vlerash. Një përbuzje që megjithatë u kthye në pushtet në pesë vitet e fundit. Unë besoj seriozisht që karakteri klasor i UÇK-së ishte larg më i fuqishëm se sa karakteri nacionalist. Kjo u dëshmua edhe me shkeljen e të ashtuquajturit “betim të UÇK-së” që shprehte kërkesën për Bashkim Kombëtar. Liria, barazia e demokracia ishin në të vërtetë qëllimet e fundme të asaj lufte.
Ngritja e aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veselit bëri që një pjesë e madhe e njerëzve ta shihnin e përjetonin një gjë të tillë si një njollosje e sulm ndaj UÇK-së. Një sulm që bëhej nga jashtë dhe që po e njolloste imazhin e UÇK-së, e të Kosovës, pikërisht jashtë vendit. Por, unë mendoj që këto aktakuza në fakt nuk do ta njollosin imazhin e UÇK-së jashtë Kosovës. Mirëpo, nga ato ‘shpurdhje’ e nga e gjithë dinamika diskursive mbi UÇK-në në dhjetë vitet e fundit, imazhi i UÇK-së do të dëmtohet pikërisht brenda Kosovës. Sepse, Kosova e sheh veten në pasqyrë tashmë me ‘sytë e tjetrit’ duke qenë në një ngarendje jonormale për t’i gëlltitë pa i shiju ‘vlerat perëndimore’.
UÇK-ja pa dyshim që është përtej Thaçit e Veselit. Mirëpo, kurthi i ngritur prej njerëzve me tendencë për rrënimin e UÇK-së fshihet pikërisht në lidhjen e UÇK-së me fatin e këtyre dy politikanëve, apo edhe të politikanëve tjerë në të kaluarën e në të ardhmen. Ata thonë, ja kjo ishte UÇK-ja duke e rishkruar tinëz historinë mbi të.
Gjykata Speciale nuk do të thotë që krimet e kryera prej regjimit të Millosheviqit nuk ekzistuan. Nuk do të thotë që ne gënjyem për vrasjet, përdhunimet, shkatërrimet e pronave e dëbimet. Nuk do të thotë as që lufta e UÇK-së ishte e padrejtë e kriminale. Kosovarët do ta thonë.