Dekor Sahiti tregon gjendjen e tij shëndetësore pak ditë pasi u infektua me koronavirus

Dekor Sahiti tregon gjendjen e tij shëndetësore pak ditë pasi u infektua me koronavirus

Dekor Sahiti, pronar i kafeterisë “Momo” dhe anëtari i Shoqatës së Gastronomëve, i cili ka rezultuar pozitiv me koronavirus ka thënë se gjendja e tij shëndetësore për momentin është e mirë.

Ai ka bërë të ditur se të gjithë familjarët e tij, përfshirë edhe gruan, dhe të gjithë miqtë kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19.

“Gjendja për momentin është e mirë, kam pak ftohje, por nuk është diçka serioze. Sot po ndihem shumë mirë. Para testimit nuk kam pasur ndonjë simptomë, gjithçka ka qenë normale. Për atë edhe nuk kam dyshuar se kam pasur virus, por në momentin që një shok i imi ka rezultuar pozitiv kam filluar të dyshojë se jam infektuar dhe unë, prandaj dhe kam vendosur të testohem. Të gjithë miqtë dhe familjarët e mi kanë rezultuar negative deri sot, madje edhe gruaja ime, Adea”, ka thënë Sahiti për RTV Dukagjinin

Ai më tej ka shtuar se nuk e ka shqetësuar shumë lajmi se është prekur me koronavirus, sa është shqetësuar nga lajmet të cilat i ka parë e dëgjuar në media, për të cilat thonë se nuk janë aspak të vërteta.

“Nuk më ka shqetësuar shumë fakti që kam rezultuar pozitiv, sa më kanë shqetësuar lajmet dhe dezinformatat e gazetarëve, të cilët kanë shkruar se është infektuar i gjithë stafi dhe që kjo ka shkaktuar panik te qytetarët. Apeloj te të gjithë që të kenë kujdes për hir të prindërve, të moshuarve, të atyre që kanë sëmundje kronike etj”, ka thënë ndër të tjera Sahiti.

Ndërsa sa i përket gjendjes me COVID-19 në kafeterinë “Momo”, Sahiti tha se është krijuar panik i panevojshëm.

“Që të jem korrekt, kam mbyllur menjëherë lokalin dhe kam vendosur që të testohen të gjithë punonjësit e stafit. Shumica prej tyre kanë rezultuar negativ, ndërsa disa rezultate të tjera po i presim. Ne si sektor i gastronomisë jemi dëmtuar shumë gjatë periudhës së pandemisë dhe nuk jemi ndihmuar askush. Po mundohemi që t’u përmbahemi rregullave dhe udhëzimeve të institucioneve shëndetësore, por kjo nuk do të thotë që virusi do të zhduket. Mendoj që duhet të mësohemi të jetojmë më këtë virus”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje në: