Labinot Tahiri largohet nga Kosova pasi nuk po lejohen dasmat
Këngëtari i njohur i muzikës së çuditshme kosovare dhe ish-deputeti, Labinot Tahiri, gjatë këtyre ditëve ishte mjaft aktiv me protestën për “dasma” dhe me deklaratën se “koronavirusi ishte rrenë”.
Në protestën që u mbajt të hënën nga estrada dhe përfaqësuesit e hotelerisë, të cilët kërkuan t’u lejohet mbajtja e dasmave, ai bëri disa deklarata që u komentuan në masë të madhe nga publiku.
Tahiri, i cili ishte edhe organizator i protestës, tha se nëse nuk hapen restorantet për organizimin e dasmave, ai do të këndojë jashtë Kosovës.
Dhe duket se këtë ‘premtim’ e ka mbajtur në bazë të njoftimit që ka bërë së fundmi në llogarinë e tij personale, Instagram.
Artisti i mirënjohur ka publikuar një video në InstaStory, ku tregon se është nisur për në Ulqin me familjen e tij dhe se atje do të këndojë.
“Me nënë e baba për Ulqin, bile atje këndojna pak”, ka shkruar krahas videos ai.