Bota nuk i pret vendet që mbeten prapa
Nuk është habi që publiku amerikan dhe zyrtarët e zgjedhur të tyre i kanë përqendruar energjitë e tyre në këto sfida të brendshme. Problemi është se në botë po ndodhin shumë gjëra që kërkojnë vëmendjen e Amerikës dhe nuk po e marrin atë.
Shtetet e Bashkuara po përballen me disa sfida njëkohësisht. Është pandemia e COVID-19, e cila deri më tani ka marrë gati 120,000 jetë dhe tregon pak shenja përmirësimi në shumë zona të mëdha të vendit. Ndikimi ekonomik i pandemisë ka qenë shkatërrimtar, me rreth 40 milionë vetë aktualisht të papunë dhe Rezerva Federale parashikon që shumë prej tyre do të mbeten të papunë për një periudhë të zgjatur.
Përveç këtyre, është edhe vala e madhe e protestave pas vrasjes së George Floyd, një 46-vjeçar afrikano-amerikan, në duart – më saktësisht, në gjurin – e një polici në Mineapolis. Protestat, të cilat janë shtrirë vendin, nxorën në pah jo vetëm problemin e qëndrueshëm të racizmit të thellë në SHBA, por edhe sjelljen e policisë, e cila shumë shpesh është e dhunshme dhe aspak e bazuar në ligjin të cilin ata janë betuar të zbatojnë.
Nuk është habi që publiku amerikan dhe zyrtarët e tyre të zgjedhur i kanë përqendruar energjitë e tyre në këto sfida të brendshme. Problemi është se në botë po ndodhin shumë gjëra që kërkojnë vëmendjen e Amerikës dhe nuk po e marrin atë
Më keq akoma, vëmendja që administrata e presidentit amerikan Donald Trump po i jep botës, është totalisht e gabuar: kërcënimi për tërheqjen e rreth një të tretës së forcave të armatosura amerikane të vendosura në Gjermani dhe të gjithë në Afganistan, si dhe njoftimin për largimin e Amerikës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga marrëveshja e njohur si “Qiejt e Hapur”. Rezultati është një rritje shqetësimi midis aleatëve të Amerikës në lidhje me besueshmërinë e saj.
Ndërkohë, disa problemet në mbarë botën po përkeqësohen me ritme të shpejta. Muajin e kaluar, Kina miratoi një ligj sigurie për Hong Kongun që parashikon fundin e marrëveshjes “një vend, dy sisteme” që Kina pranoi kur ai rifitoi sovranitetin në 1997. Një goditje e ashpër ndaj ish-kolonisë britanike duket të jetë thjesht çështje kohe. Kina gjithashtu ka vepruar me bindje përgjatë kufirit të saj të kontestuar me Indinë dhe duke përdorur një retorikë më të ashpër në lidhje me Tajvanin.
Për më tepër, Koreja e Veriut sapo njoftoi se do të ndërpresë të gjitha linjat e komunikimit – përfshirë linjat ushtarake – me Korenë e Jugut, duke ngritur pyetje të reja rreth stabilitetit përgjatë kufirit më të armatosur në botë. Vendi e pasoi këtë hap me një deklaratë që hodhi poshtë diplomacinë me Shtetet e Bashkuara dhe u zotua se në vend të kësaj do të shtonte arsenalin e saj bëthamor. E fundit fare është se Koreja e Veriut krenohet me më shumë armë bërthamore dhe më shumë raketa balistike (të përmirësuara) sesa kishte para takimeve midis Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un.
Irani po shndërrohet gjithashtu përsëri në një shqetësim nuklear. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike sapo raportoi se nuk ka pranuar të bashkëpunojë me inspektorët që hetojnë raportet për materiale bërthamore të pa llogaritura.
Ndërkohë, stoku i uraniumit të pasuruar të Iranit, megjithëse ende në një nivel pastërtie shumë më poshtë sesa është i nevojshëm për të prodhuar armë, është rritur me 50% gjatë muajve të fundit. Vendi tani ka rreth shtatë herë më shumë sesa sasia e lejuar në bazë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 që ai nënshkroi me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Gjermaninë dhe Bashkimin Europian.
Diku tjetër në Lindjen e Mesme, ekziston një mundësi e lartë që Izraeli, me inkurajim dhe mbështetje amerikane, të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor. Bërja e kësaj mund t’i japë fund çdo lloj shprese sado të vogël për ekzistencën ende të një shteti palestinez. Aneksimi gjithashtu mund të dëmtojë stabilitetin në Jordani dhe traktatin e paqes Izrael-Jordani. Dhe kjo mund të rrezikojë të ardhmen e Izraelit si një shtet demokratik dhe hebre. Izraeli mund të ketë njërën ose tjetrën, por të dyja, nëse vazhdon me aneksimin.
Shtimi i konflikteve nuk është rreziku i vetëm me të cilin po përballet bota. Brazili është shfaqur si një pengesë kryesore për të luftuar ndryshimet klimatike, e cila mund të bëhet sfida përcaktuese ndërkombëtare e këtij shekulli. Nën udhëheqjen e presidentit Jair Bolsonaro, shkatërrimi i pyjeve tropikale të Amazonës po përshpejtohet. Kjo ka rëndësi sepse pyjet tropikale thithin një sasi të konsiderueshme të dioksidit të karbonit në botë dhe ndikojnë në motin në botë. Ndërkohë që këto pyje tropikale priten ose digjen, ritmi i ndryshimeve klimatike do të rritet, duke dëmtuar planetin dhe të gjithë ata që jetojnë në të.
Papërgjegjshmëria e Brazilit është në një farë mase një nënprodukt i trazirave të brendshme të vendit, për shkak të një zhvillimi të shpejtë të shpërthimit të COVID-19 dhe politikës populiste. Për fat të keq, ky nuk është i vetmi rast. Pandemia është gjithashtu e ashpër në Meksikë, Iran, Egjipt, Rusi dhe Bangladesh, duke reflektuar sisteme jo adekuate të shëndetit publik, lidership të dobët, ose të dyja bashkë.
Për fat të mirë, jo të gjitha lajmet janë të këqija. Ndoshta zhvillimi më premtues është në Europë, ku Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane, me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë, po ndëmarrin hapa për të ndihmuar vendet e prekura rëndë nga pandemia që të kalojnë dhe të marrin veten nga kriza ekonomike. Kjo është një shenjë e mirëpritur që në vazhdën e Brexit, Bashkimi Europian po tregon bashkëpunim dhe vendosmëri për të bërë një ndryshim.
Por ky zhvillim pozitiv është përjashtimi që vërteton rregullin. Përkundër sfondit të përkeqësimit të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kinës e Rusisë, po shtohen një sërë sfidash rajonale dhe globale. Amerika është më pak e aftë dhe e gatshme që t’i adresojë këto sfida. Partnerëve dhe aleatëve të saj u mungon fuqia për ta bërë këtë vetë dhe Kina ofron një model dhe një axhendë që pakkush e sheh si tërheqëse. MMund të shpresojmë vetëm që SHBA-ja t’i zgjidhë vetë sa më parë problemet e saj. Historia nuk ka asnjë buton pauze.
/ Project Syndicate