Shfrytëzimi seksual i grave në Kosovë
Para disa vitesh, një çikë e re u shfrytëzua seksualisht në moshë të mitur prej arsimtarit të saj të Informatikës. Ngjarja ndodhi në Drenas, një qytet i vogël veç gjysmë ore larg kryeqytetit. Ajo i kishte pasur pesëmbëdhjetë vjet dhe mësonte në klasë të nëntë. Pastaj doli në të dhjetën. Arsimtari i Informatikës – sipas rrëfimit të saj – fillimisht e kishte ngacmuar në Facebook. Pastaj ngacmimi doli edhe në rrugë. Sipas ligjit të ri të pagave, arsimtarët do të paguhen nga 670 euro në muaj. Bile, edhe nëse i ngacmojnë e i shfrytëzojnë seksualisht nxënëset e tyre pa u kapur. Bile, edhe nëse janë analfabetë. Paga minimale ndërkohë për të rinjtë poshtë moshës 30 vjeçare në sektorin privat mund të jetë vetëm 130 euro në muaj. Nejse. Për herë të parë ndërveprimin seksual me arsimtarin ajo e kishte bërë te stadiumi i futbollit në Drenas ku ekipi i këtij qyteti ishte shpallur kampion i Kosovës. Brenda veturës së arsimtarit.
Më vonë, vajza në fjalë e kishte denoncuar shfrytëzuesin e saj në polici. Mirëpo, edhe hetuesi policor i rastit e shfrytëzoi seksualisht. Bile, ky hetues e la edhe shtatzënë. Pastaj e çoi te një mjek që të kryente abort kundër vullnetit të saj. Edhe mjeku dyshohet se e shfrytëzoi. E pas mjekut, edhe avokati i saj. E kështu me radhë.
Kur çështja u bë publike, shoqëria u ngut që ta denonconte shfrytëzimin seksual të asaj vajze. Ndodhi një bërtimë e rëndë dalldisëse. Vajza, ashtu si nga katër të lartpërmendurit, u rrudh thjesht në organin e saj gjenital. Ajo ishte vajzë. U shfrytëzua seksualisht sepse ishte vajzë. Dhe vajza, gruaja – u nënkuptua si një e vërtetë e dhënë njëherë e mirë, e pakushtëzueshme, e mbyllur, një esencë eleatike. Dalldia e reagimit ia humbi të gjitha karakteristikat këtij rasti. E humbi edhe potencën për një shqyrtim më të imtësishëm. Çështja ishte e thjeshtë: katër burra e kishin abuzuar një vajzë. Dhe rasti e humbi rëndësinë. Por, si kishte mundësi që vajza të kalonte nga një shfrytëzues te tjetri? Rastësi?
Në fakt, përtej seksit përkatës, në një anë ndodhej një arsimtar, një polic, një mjek dhe një avokat ndërsa në tjetrën ndodhej një vajzë e një familjeje të varfër pa asnjë të punësuar. Një arsimtar tipik, një polic tipik, një mjek tipik, një avokat tipik dhe një vajzë e varfër tipike. Nuk ishte rastësi. Nga kjo rrjedh që drejtësia nuk vihet në vend kur të marrin dënimin katër shfrytëzuesit.
Edhe seksi i viktimës, por edhe i abuzuesve, ishte një konstrukt i pozitave sociale respektive, ingranazhet e të cilave i shohim përditë. Seksi, ashtu si gjinia, ashtu si seksualiteti, performohet bazuar në kushte specifike. Rasti në fjalë tregonte se si një vajzë e varfër në Kosovë kishte më shumë mundësi të abuzohej se sa të mos abuzohej nga përkujdesësi i saj.
Një rast tjetër ndodhi edhe pardje në një fshat të Pejës. Një burrë nga diaspora, 58 vjeçar, dyshohet se e vrau një vajzë të mitur 16 vjeçare. Raporti i vrasësit me viktimën nuk është krejtësisht i qartë. Por, ajo që dihet është se ekzistonte raporti i autoritetit me të nënshtruarin e atij autoriteti. Vrasësi i dyshuar – siç rrëfeu i vëllai i viktimës – ishte përkujdesur dhe e kishte rritur viktimën. Viktima nuk kishte pasur prindër. Gjendja ekonomike e familjes dukej se ishte e keqe. E kështu me radhë.
Duhet shtruar një pyetje për të matur emancipimin: a do të ishte reagimi publik gjatë viteve ’90 apo ’80 apo ‘70 po kaq i zëshëm në Kosovë për raste të ngjashme si ky në Pejë apo ai në Drenas? Natyrisht që po sepse vlerat shoqërore fisnore e familjocentriste do t’i konsideronin si skandale. Ta shfrytëzoje seksualisht e ta vrisje një vajzë që nuk të përkiste do të përbënte skandal. Të vetmit që mund t’i shfrytëzonin vajzat dhe gratë si fuqi punëtore e më pas si mjete këmbimi ishin baballarët dhe vëllezërit e tyre. Dhe të vetmit që mund t’i shfrytëzonin seksualisht ato ishin burrat e tyre.
Por, tash gjërat ndërruan drastikisht shkaku i kapitalizmit të egër. Përdorimi i gruas si mjet këmbimi dhe si alet i shfrytëzueshëm në fakt vetëm sa u rrit, madje edhe në emër të emancipimit.
Ripërcaktimi i roleve gjinore, në vend se ta hiqte qafe edhe këmbyeshmërinë por edhe shfrytëzueshmërinë nga gratë, në vend se të mos i konsideronte më si formë kapitali, atyre fshehurazi iu përforcoi të dyja përdorimet. Gruaja u bë njëkohshëm bartëse e barrës së rëndë morale por edhe e vlerës së madhe seksuale.
Dhe natyrshëm, gratë nuk janë thjesht gra. Derisa një pjesë e grave të shtresës së mesme të lartë apo të shtresës së pasur mund të përjetojnë liri të madhe seksuale, pjesa dërrmuese e grave të shtresës së mesme të ulët e të varfër përjeton shfrytëzim e shtypje të gjithanshme..
E vetmja mënyrë çlirimi për gratë është dëbimi i përkujdesësve.