Kriza ekonomike mundësi për një model të ri ekonomik Kosovë-Shqipëri
Ajo që duhet të bëhet tani është shfrytëzimi i kësaj situate ekonomike që ekonomitë tona, të Kosovës dhe të Shqipërisë, të dalin nga korniza e të vepruarit dhe të menduarit në të cilën janë tash e dy dekada. Ekonomitë tona të vogla, nuk do të duhej të izoloheshin më tej nga njëra tjetra si pasojë e krizës ekonomike, por do të duhej shfrytëzuar kjo situatë që të shndërrohen në një ekonomi të përbashkët. Në rrugë e sipër për t’u shndërruar në një ekonomi të përbashkët edhe masat e luftës kundër krizës do të ishin të tilla që nuk do të kishin një efekt afatshkurtër socio-ekonomik por ndikimi i tyre do të ishte afatgjatë, e në funksion të ndryshimit të strukturës sonë ekonomike dhe të orientimit në zhvillim të përshpejtuar por edhe të qëndrueshëm ekonomik.
Shkruan: Valon Murati
Zakonisht krizat nëpër të cilat kalojnë shoqëritë, e ndonjëherë edhe pjesë të mëdha të njerëzimit, përveçqë krijojnë rreziqe të mëdha për shoqëritë dhe njerëzimin, ato njëkohësisht mund të ofrojnë edhe mundësi të mëdha. Ato mund të shtrojnë rrugë deri atëherë jo shumë të njohura, por të cilat, duke mos qenë konvencionale, mund të bëjnë kapërcime të mëdha në zhvillimin njerëzor. Të tilla janë edhe krizat ekonomike. Modelet ekonomike që deri në kriza ekonomike nuk kanë mundur as të paramendohen se mund të realizohen, në situata të tilla mund të gjejnë zbatim me më shumë lehtësi.T’i përmendim dy prej tyre,të njohura për shumicën, si dëshmi e kapërcimeve të mëdha: atë që njihet si NewDeal(“Marrëveshja e re”) në SHBA pas Depresionit të Madh të viteve 1929-1933, si dhe rimëkëmbja e ekonomive evropiane pas Luftës së Dytë Botërore përmes Planit Marshall. Në të dyja rastet, por gjithsesi në rrethana krejtësisht të ndryshme, në shoqëritë me ekonomi të tregut kemi ndërhyrje të shtetit (të SHBA-ve) në funksion të kapërcimit të krizës dhe të shtrimit të rrugës për zhvillim të hovshëm ekonomik. Në rastin e parë është karakteristike ndërhyrja ekonomike e qeverisë amerikane,sidomos përmes investimeve në projekte të mëdha publike, për të tejkaluar një krizë të thellë ekonomike si pasojë e recesionit të madh dhe në të dytën përmes ndihmave financiare amerikane të gjithanshme në rindërtimin e ekonomive të Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Në të dy rastet është arritur kthimi i ekonomive jo vetëm në normalitet, por lakorja e zhvillimit ka marrë përpjetën dhe njëkohësisht mirëqenia e qytetarëve është rritur.
Sot bota e ballafaquar me pasojat e pandemisë COVID-19 për shkak të mbylljes disamujore të ekonomive rrezikohet të futet në një recesion të gjatë. Ekonomitë e botës po reagojnë në mënyra të ndryshme, por të gjitha duke iu përshtatur interesave të tyre do të bëjnë përpjekje për të forcuar ekonomitë e tyre. Rrjedhimisht, mund të pritet një kthim drejt ekonomive kombëtare përmes pakove stimuluese për t’i ringjallur ato. SHBA-të tanimë kanë ndarë mbi 2 trilionë dollarë në përpjekjet për ta ndihmuar ekonominë, kurse BE-ja, megjithëse me vonesë, po punon në krijimin e një fondi prej 750 miliardë eurosh që do t’u jepet në formë të granteve (500 miliardë euro) dhe kredive (250 miliardë euro) sektorëve të caktuar ekonomikë në nevojë në vendet e BE-së që janë prekur më së shumti ekonomikisht nga pandemia. Sigurisht, ky është edhe një reagim solidariteti evropian aq i munguar në fazën e parë të pandemisë.Ky fond është pjesë e një kompromisi franko-gjerman (të cilët propozuan 500 miliardëeuro, por Komisioni i BE-së e ngriti në 750 miliardë euro) dhe për shumëkënd ishte e habitshme sesi Gjermania, në parim konservatore sa i përket ndarjes së përgjegjësisë financiare(rrjedhimisht edhe të borxheve të mundshme që nuk do të mund të paguheshin) me vendet të cilat kanë një disiplinë të vogël të shpenzimeve financiare, ishte pajtuar për një fond të tillë ndërhyrës në ekonomitë e Evropës. Por për dallim prej vitit 2008 dhe krizës në Greqi e Portugali, kur Gjermania hezitonte të merrte përsipër pagesën e borxheve të këtyre vendeve, sot një goditje e ekonomive të Italisë dhe Spanjës do të thoshte edhe një goditje e ekonomisë gjermane, e cila ka një shkëmbim të madh tregtar me këto dy vende. Për më tepër, industria automobilistike gjermane varet nga prodhimi i pjesëve të cilat bëhen nga industria italiane. Një goditje e kësaj të fundit do të dëmtonte rëndë edhe vetë industrinë gjermane.
Kriza ekonomike sigurisht do ta godasë kësaj radhe edhe Kosovën, për dallim prej goditjes më të vogël që Kosova pësoi në vitin 2008 për shkak të strukturës së saj ekonomike dhe të integrimit të saj të vogël në atë kohë në ekonominë globale. Sigurisht që qeveria e Kosovës do të vazhdojë të marrë masa dhe do të përpiqet që goditja të jetë sa më e vogël. Masat e pakos së parë emergjente natyrshëm ishin më shumë të natyrës socio-ekonomike, përderisa pakoja e fundit ekonomike, ajo e rimëkëmbjes ekonomike e propozuar këto ditënga ministri i financave në detyrë Besnik Bislimi, është e menduar të jetëmë afatgjatë dhe me ndikim jo vetëm në kapërcimin e krizës, por edhe në mundësitë e hapjes së rrugës për zhvillim ekonomik.Një situatë të njëjtë të ndërhyrjes së qeverisë e kemi edhe në Republikën e Shqipërisë. Këto masa do të kritikohen e lavdërohen, varësisht prej këndvështrimit qoftë politik, qoftë të interesit ekonomik, por edhe të vizionit e të shkollës ekonomike që përfaqësojnë ata që do to debatojnë për to. Një është e vërtetë: trendi i masave të të dy shteteve është krejtësisht në frymën e izolimit dhe të marrjes vetëm me veten, e në këtë rast edhe të injorimit të njëra-tjetrës dhe të mundësisë së solidaritetit apo të bashkëpunimit në tejkalimin e përbashkët të kësaj krize ekonomike.Ndërsa do të duhej të ndodhte pikërisht e kundërta. Ajo që duhet të bëhet tani ështëshfrytëzimi i kësaj situate ekonomike që ekonomitë tona, të Kosovës dhe të Shqipërisë, të dalin nga korniza e të vepruarit dhe të menduarit në të cilën janë tash e dy dekada. Ekonomitë tona të vogla, nuk do të duhej të izoloheshin më tej nga njëra tjetra si pasojë e krizës ekonomike, por do të duhej shfrytëzuar kjo situatë që të shndërrohen në një ekonomi të përbashkët. Në rrugë e sipër për t’u shndërruar në një ekonomi të përbashkët edhe masat e luftës kundër krizës do të ishin të tilla që nuk do të kishin një efekt afatshkurtër socio-ekonomik por ndikimi i tyre do të ishte afatgjatë, e në funksion të ndryshimit të strukturës sonë ekonomike dhe të orientimit në zhvillim të përshpejtuar por edhe të qëndrueshëm ekonomik.
Për t’u shndërruar në një ekonomi të përbashkët duhet vizion e guxim politik për t’i tejkaluar barrierat e deritanishme, por edhe modelet përkatëse të zhvillimit ekonomik dhe duhet pasur projekte konkrete. Miku im Gjergj Buxhuku, administratori i Kofindunstrisë së Shqipërisë, një prej përkrahësve më të mëdhenj të një ekonomie të përbashkët shqiptare ka vite që lobon për një mendësi ndryshe të zhvillimit ekonomik dhe rrjedhimisht për një model tjetër ekonomik. Sa isha ministër i diasporës disa herë kemi organizuar konferenca të përbashkëta me Kofindustrinë dhe ministritë përkatëse në Tiranë e Prishtinë për të prezantuar këto modele të reja ekonomike, por fatkeqësisht ato nuk kanë avancuar përtej këtyre konferencave. Projekti i cili kishte nisur dhe trajtohej si mundësi e një modeli suksesi të bashkëpunimit ishte ai i interkoneksionit 400 KV (i financuar nga Kfw gjermane) e i cili një kohë u bllokua nga Serbia,por i cili më në fund rezultoi me daljen e Kosovës nga blloku energjetik i Serbisë dhe bashkimi me atë të Shqipërisë (një zhvillim ky jashtëzakonisht pozitiv për pavarësinë energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë dhe fuqizimin e potencialeve të tyre energjetike). Sidoqoftë, projektet e tjera të mëdha nuk është se u bënin shumë përshtypje politik-bërësvenë Prishtinë e Tiranë, e besa as ndërkombëtarëve. Personalisht e kam pasur bindjen se pengesat në këtë rrugë ishin dy: e para, politikanët tanë provincialë në Prishtinë e Tiranë e kishin (dhe si duket e kanë ende) të vështirë tëdalin nga kufijtë mendorë provincialëdhe mendojnë vetëm për oborrin e vet në planin afatshkurtër elektoral (madje edhe kur është në pyetje zhvillimi ekonomik) dhe e dyta, kishte vazhdimisht një rezistencë ndërkombëtare ndaj një modeli të ri ekonomik përveç atyre që ta zëmë FMN-ja, BB-ja apo edhe BE-ja kishin promovuar në Kosovë e në Shqipëri për vite të tëra. E mos të flasim këtu edhe për frikën se projekte të tilla ekonomike do të mund të ishin prelud edhe i zhvillimeve të tjera politike në rajon. Sidoqoftë, tani po futemi në rrethana të reja, kur politik-bërësitqë janë në pozita vendimmarrëse do të duhej të ishin të guximshëm që me projekte të mëdha ekonomike të bënin hopin e madh të zhvillimit ekonomik.Njëkohësisht po krijohen edhe kushtet që me projekte konkrete e të përpunuara mirë edhe si modele financiare fitimprurëse, ky model i ri i zhvillimit ekonomik dhe i bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të shtyhet përpara edhe në raport me organizmat ndërkombëtarë politikë, e edhe me ata ekonomikë dhe financiarë.
Po cila është filozofia kryesore prapa modelit ekonomik të mikut tim Gjergj Buxhukut? Sipas tij,e vetmja mënyrë për të ndryshuar strukturën ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë është duke dizajnuar disa projekte të mëdha zhvillimore ekonomike të përbashkëta, në vlerë deri në 10 miliardë euro, të cilat do ta lëviznin me hapa të mëdhenj krejt ekonominë e përbashkët shqiptare, duke e ngritur jo vetëm mirëqenien ekonomike, por duke e emancipuar edhe mentalitetin shoqëror e politik. Këto projekte të përbashkëta mund të jenë: investimet në Trepçë dhe krijimi i metalurgjikëve përreth kombinatit, investimet në industrinë e kromit në Shqipëri, investimet në një termocentral të ri deri në 500 MW (qoftë në rrafshin e Kosovës, qoftë në atë të Dukagjinit), investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë (sidomos duke shfrytëzuar potencialin e madh ujor të Republikës së Shqipërisë),bursa e përbashkët energjetike, investimet në një projekt të madh turistik në Brezovicë, investimet në fushën e teknologjisë informative për ta shndërruar Kosovën e Shqipërinë në një SiliconValley të Ballkanit, hekurudha Prishtinë-Durrës, bujqësi dhe turizëm të integruar përmes investimeve të përbashkëta e projekteve komplementare në këto dy fusha, lidhja e Kosovës me projektin e gazit i cili kalon përmes Shqipërisë etj. Ideja bazë është që këto projekte të mëdha ekonomike të jenë nisma të Kosovës dhe Shqipërisë, pra të jenë fillimisht investime të shteteve tona, të cilat duke qenë të tilla krijojnë siguri për t’ua hapur derën fillimisht investimeve nga diaspora në formën e aksioneve në këto projekte, e më pas edhe përmes tërheqjes së investitorëve seriozë strategjikë në varësi nga sektori. Këto propozim-projekte dhe të tjera sigurisht që do të duhej të futeshin në sitën e një ekspertize të përbashkët qeveritare dhe profesionale qoftë nga akademia, qoftë nga shoqëria civile dhe biznesi dhe do të duhej të përcilleshinedhe me ndryshimet e duhura ligjore. Sigurisht, do të duhej krijuar një autoritet i përbashkët publik investues i cili do të mbartte barrën e projektimeve dhe investimeve fillestarenë këto projekte të përbashkëta.
Me një model të tillë të ri ekonomik jo vetëm që do të shtrohej rruga për tejkalim mëtë lehtë të krizës, por do të krijoheshin kushtet për një zhvillim të tillë ekonomik që do ta ndryshonte peizazhin ekonomik të Kosovës dhe Shqipërisë, duke i zënë dekadat e humbura. Kështu me investimet e shtetit në projekte të mëdha në fazën fillestare dhe me futjen e parasë në qarkullim jo vetëm që do të rritej kërkesa agregate aq e dëshiruar për kapërcimin e krizës ekonomike, por do të gjallërohej e rinohej krejt zinxhiri i ekonomisë kombëtare.Do të hapeshin krejtësisht horizonte të reja të zhvillimit ekonomik që do të kishin ndikime të qëndrueshme jo vetëm në planin ekonomik, por edhe në fushat e tjera, e sidomos në arsim, në çështje sociale, në sundim të ligjit e në stabilitet politik. Së dyti, do të mund të mobilizoheshin burime financiare dhe njerëzore e intelektuale të diasporës, duke i vënë ato në shërbim të vendit, e me përfitim të dyanshëm. Zakonisht financat e diasporës ne nuk kemi ditur dhe nuk kemi mundur t’i orientojmë në mënyrën e duhur edhe për shkak të mungesës së projekteve të detajuara ekonomike në të cilat do ta ftonim diasporën të investonte. Projektet e tilla, në të cilat diaspora do të kishte përparësinë e blerjes së aksioneve, do të ndikonin në afrimin më të madh të tyre me atdheun,si dhe do t’u mundësonte investim në atdhe jo vetëm biznesmenëve, por edhe atyre që kanë kursime e duan që diçka nga ato t’i investojnë në vendin e tyre. Krejt ky zhvillim do ta bënte ekonominë tonë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të besueshme edhe për investitorët e huaj. Ardhja e tyre në tregun tonë do të hapte të tjera perspektiva dhe do të ndihmonte edhe në ndryshimin e mentalitetit tonë ekonomik. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, një model i tillë ekonomik do t’i thyente barrierat provinciale në mes Prishtinë e Tiranës, duke ndikuar që krijimi i një ekonomie të përbashkët të krijonte edhe interesin e përbashkët për projektin politik të bashkimit.
E nëse nuk do të guxojmë të lëvizim nga vendi edhe në këto kohë krize, do të jemi të dënuar të sillemi në këto çifligjet tona të vogla me debate se sa qindra milionë u futën në ekonomitë tona të vogla, se në cilët sektorë u futën apo ku do të duhej të futeshin, se kush po përfiton më shumë, e kush më pak nga ndërhyrjet në ekonomi, por gjithherë duke mbetur të vegjël në zhvillim e në mendësi, e gjithnjë duke mbetur shumë prapa botës. Kjo botë është për ata që guxojnë. Andaj ta shfrytëzojmë këtë moment për lëvizjen e madhe ekonomike!