Në ditën e 19-të, Glauk Konjufca…
(Shkruan: Dafina Demaku)
Pas rreth 19 ditësh, mbrëmë, ministri jashtëm në detyrë, z.Glauk Konjufca doli në publik, në emisionin Interaktiv të KTV-së. Pas shumë minutash ku foli për punët e mira që sipas tij janë bërë nga Qeveria Kurti, dikur u pyet lidhur me raportimet e fundit në media për mungesën e tij në publik. Periskopi për herë të parë ka raportuar për këtë cështje dhe më pas, edhe media të tjera kosovare kanë vërejtur e raportuar për mungesën e Konjufcës, mungesë e cila, kishte filluar qysh kur nuk mori pjesë në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Si dhe Periskopi, për herë të parë ka interpretuar mungesën e z.Konjufca në publik, duke ia numëruar ditët e mungesës.
Nejse.
Kur ra fjala te kjo cështje, z.Konjufca i quajti ‘pyka që paguhen’ këto raportime. Tha se ‘kjo nuk është gazetari’ por është ‘propagandë’.
Mandej, Konjufca ironizoi se qysh mediumi jonë (megjithëse nuk ia përmendi emrin), ia ka numëruar ditët e mungesës në publik dhe tha se ‘nuk e ka ditur se është person kaq i rëndësishëm sa t’ia numërojnë ditët’. Ne besojmë se ai nuk është edhe aq i parëndësishëm, derisa është numri dy më i votuar në partinë e tij. Si dhe nuk mendojmë që është shumë e vështirë të numërosh ditë, se nuk është ndonjë zbulim kush e di se cka, nuk është si ta zbulosh ndonjë element të ri në sistemin periodik. Është tepër e thjeshtë, si gazetar, ta dish se për shembull, qe sa ditë një figurë politike është ‘zhdukur’ nga skena publike, ndoshta të duhen nja’ 20 sekonda për ta gjetur.
Ditëve të fundit, ekziston një tendencë nga figura politike – kryesisht të pushtetit – që ta diksreditojnë cdo medium që iu jep ndonjë kritikë, që interpreton ose analizon rrethana të caktuara politike. Metodën diskredituese që kanë zgjedhur, është të thonë se ‘kjo nuk është gazetari’ dhe se ‘është propagandë’. Kjo terminologji bile është për t’u përshëndetur për butësinë e saj sepse ka edhe të atillë që gazetarëve u drejtohen edhe si ‘kriminelë’.
Kështu, derisa në Televizione përkujdesen figurat politike që t’i diskreditojnë mediat, në rrjetet sociale përkujdesen militantët.
Në grupe të ndryshme të rrjeteve sociale, militantët janë mbledhur për t’i ndarë mediat në ‘media që bëjnë’ (pro-qeveritare) dhe ‘media që s’bëjnë’ (anti-qeveritare). ‘Policia e mendimit’ (term i G.Orwell në ‘1984’) është aq aktive, saqë e bëjnë njeriun të mendohet dy-tri herë se a guxon ta shprehë një mendim qoftë edhe në profilin personal në Facebook, duke marrë parasysh pasojat, ku fyhesh e lincohesh gjithë ditën në formë të organizuar.
E kemi obligim t’ua sqarojmë:
Përvec se janë zhanre të gazetarisë, shkrimet analitike, interpretimet e madje edhe pikpyetjet për tema të caktuara, sot dominojnë në mediat më prestigjioze në botë (për ata që kritikojnë e ironizojnë, ju rekomandojmë disa sosh: si The Guaradian, NY Times, Independent etj).
Tendenca për ta lënë gazetarinë në Kosovë vetëm në nivelin e raportimit të komunikatave, nuk besoj se do të jetë e suksesshme sepse kushdo që synon ta bëj, është tepër vonë. Është kapërcyer si problem, më duket, në shekullin e kaluar.
E duke qenë se po ju mbajnë ligjërata moralizuese gazetarëve nëpër studio televizive, është mirë të thuhet edhe ajo se propagandë – ta zëmë – është nëse në kohë pandemie një Qeveri thotë se ka ulur papunësinë.
E pykë, për shembull është nëse mbi 400 persona i lejon të grumbullohen në shesh e ndërkohë ‘të tjerve’, jashtë këtyre 400, ju bën thirrje të rrinë në shtëpi, të mos shkojnë te familjarët dhe të lahen.