Sharje, fyerje dhe kërcënime ndaj gazetarëve në Slloveni

Sharje, fyerje dhe kërcënime ndaj gazetarëve në Slloveni

Gazetarët sllovenë që nuk pajtohen me qeverinë e tyre, po përballen këto ditë – në Twitter ose në Facebook – me të shara, fyerje e madje edhe kërcënime me vdekje. Kjo vlen edhe për yjet e televizionit publik. Sikur të mos mjaftonin këto kërcënime, edhe kryeministri u dha gazetarëve një goditje të fuqishme: “Nën patronazhin e së majtës ekstreme, RTV Slovenija është bërë një nxitës qendror i urrejtjes dhe kërcënimeve”. Sipas tij, radiotelevizioni publik slloven është pjesë e një “grupi ogurzi” që kërcënon “shëndetin dhe jetën” gjatë pandemisë së koronavirusit.

Askund në Evropë lufta për masat e krizës për koronavirusin nuk po zhvillohet kaq e fortë sa në Slloveni. Kryeministri i ri, Janez Jansa, ka vetëm gjashtë javë në detyrë dhe po përpiqet të përdorë momentin për të zgjeruar më tej pushtetin e tij. Epidemia është një mundësi unike për ta bërë këtë: armiku është virusi, dhe kushdo që kritikon qeverinë është i lidhur me virusin. Edhe emërimet dhe largimet nga detyra në televizionin publik justifikohen me gjendjen e emergjencës. Në kohë normale, shanset për ndryshime të tilla do të ishin të pakta. Janša udhëheq një koalicion të dobët prej tre partish. Me qëllimet e tij nacionaliste të djathta dhe qeverisjen autoritare, 61-vjeçari nuk ka as shumicë në qeveri, e lëre më popullsi.

Sapo u bë e njohur se gazetari investigativ Blaz Zgaga u nderua me çmimin Çmimin e Lirisë së Fjalës (Freedom of Speech Award – FOSA) nga Deutsche Welle, ai u godit në mediat sociale me një sulm të stilit rus. “Fakti që Zgaga mori çmimin është dëshmi se askush nuk di sllovenisht në Deutsche Welle” – u shpreh p.sh. një deputet i partisë qeveritare. Qindra trollë nga llogari të rreme po shajnë këto ditë “lajmet e rreme të drejtuara nga George Soros”.

Burimi kryesor i fushatave është radiostacioni privat Nova24, i themeluar pesë vjet më parë sipas modelit të FoxNews në ShBA për të thyer hegjemoninë e mediave liberale. Nova24 sulmon refugjatët, homoseksualët dhe romët dhe financohet nga partia e Jansas, SDS, e cila është e afërt me Orbanin. Në mes të marsit, shefi i Nova24, Ales Hojs, një nga twitter-istët më të etur, u bë ministër i Brendshëm në qeverinë e drejtuar nga SDS.

Blaz Zgaga është figurë e urryer për kampin e Jansas pasi zbuloi një skandal për blerjen e tankeve finlandeze më shumë se dhjetë vjet më parë. Ekspertiza e tij ishte e padiskutueshme: me një koleg të radios, botoi tri vëllime mbi kontrabandën e armëve në kohën e luftërave në Jugosllavi – një vepër standarde me më shumë se 1,300 faqe e hulumtuar me përpikëri. Që nga ajo kohë, ish-redaktori i gazetës së Mariborit, “Vecer”, ka shkruar kryesisht për mediat e huaja, përfshirë “Spiegel” dhe “Guardian”. Në shkrimet e tij nuk është marrë vetëm me Jansan dhe kampin e tij – por edhe me ish-presidentin Milan Kucan, i cili qe përfshirë në një tregti armësh. Kur gazetari shkruan për korrupsionin në furnizimin me aparate frymëmarrjeje në fillim të muajit prill, kryeministri Jansa e sulmoi personalisht atë – një veprim i palejueshëm për qeveritë demokratike. Zgaga “i përtyp gënjeshtrat e tij për dekada të tëra”, shkroi kryeministri në Twitter.

Në intervistë me DW-në, Zgaga tha se jeton në një izolim të dyfishtë: “Nga njëra anë për shkak të koronavirusit, nga ana tjetër për shkak të kërcënimeve që mora. Për ca kohë guxoja të dilja nga banesa vetëm natën”. Ai është i vetëdijshëm se politika nganjëherë ka si qëllim frikësimin e gazetarëve dhe shmangien e kritikave ndaj shtetit. “Ne të gjithë duhet të jetojmë të frikësuar, qëllimi është një diktaturë e frikës”, tha gazetari investigativ. /DW/

Shpërndaje në: