Një gjykim për superkriminelët Albin Kurti dhe Arben Vitia
Një gjykim për superkriminelët Albin Kurti dhe Arben Vitia
Shkruan: Baton Haxhiu
Java e shkuar shpalosi shumëçka nga marrëdhënia e Albin Kurtit me jetën institucionale dhe rendin kushtetues të Kosovës në përgjithësi.
Gjykata Kushtetuese konfirmoi se Qeveria Kurti bëri shkeljen e dytë gjatë zbatimit të masave për ta frenuar pandeminë.
Shkelja e parë ishte krejtësisht e dukshme që në fillim: megjithatë, pavarësisht se shumë më e rëndë në përmbajtje, ajo mund të konsiderohet si më e lehtë për nga pikëpamja politike. Në fund të fundit, është e natyrshme të gabohet në interpretim të Kushtetutës, apo të bëhet ndonjë lëshim i paqëllimshëm.
Kurti, natyrisht, asnjëherë nuk do t’ua kishte falur këtë gabim kundërshtarëve të tij. “Shkelësi i Kushtetutës”, thoshte Kurti dikur, është “superkriminel”. Me këtë qëndrim ai jo vetëm që e tregonte kulturën e tij të vërtetë, e cila sot shpërfaqet në gjuhën plot helm dhe urrejtje të shokëve të tij, por edhe paditurinë e plotë për rendin civil, penal e kushtetues të Kosovës.
Përkundër kësaj, duke marrë parasysh pandeminë në Kosovë, publiku i gjerë e pothuajse gjithë partitë politike shfaqën mirëkuptim të bollshëm lidhur shkeljen e Kushtetutës nga Kurti.
Albin Kurti e cilësoi atë si shkelje të vogël që nuk përbën bazë për të dhënë dorëheqje, pavarësisht se është i shkarkuar nga shumica absolute e Kuvendit. Duket se Kurti e ka harruar kohën kur Behgjet Pacolli kishte dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit vetëm pse pati ngritur dorën krejt pa qëllim në seancën e Kuvendit.
Pra, për një shkelje të vogël në Kosovë pasoi një krizë e madhe politike vetëm pse ajo që nuk kontestohej ishte respektimi i Kushtetutës nga të gjithë.
Sot, ndërkaq, me proklamuesin më të madh të sundimit të ligjit – Kryeministrin e shkarkuar Kurti, jemi në një gjendje ku kemi shënuar prapakthim të madh sa i përket seriozitetit të qasjes ndaj shkeljeve të rendit kushtetues.
Në vend se ta marrë përgjegjësinë si burrështetas, ai bën lojëra fjalësh dhe fshihet prapa pandemisë për ta arsyetuar thyerjen e rregullave kushtetuese në Kosovë. Para pak ditësh, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkeljen e dytë të Ministrit Vitia.
Thelbi i gjykimit – karantinimi i Prizrenit – nuk ka fare rëndësi kësaj radhe. Nëse shkelja e parë ishte rastësi, shkelja e dytë tregon shpërfillje të plotë, përbuzje të thellë dhe nënçmim serioz të rendit kushtetues të Kosovës.
Pra, edhe nëse shkelja e dytë nga pikëpamja kushtetuese ka qenë më e lehtë, ajo gjithsesi nga pikëpamja politike është shumë e rëndë. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një qeveri që shkel e shpërfill hapur Kushtetutën dhe i jep përparësi ekzekutivit mbi kushtetshmërinë.
Kurti thotë se këto shkelje vijnë nga nevoja për të marrë masa kundër pandemisë, thuajse është aq i marrë sa të mos e dijë se Kushtetuta nuk mund të shkelet në emër të pandemisë. Megjithatë, situata do të ishte më e ndryshme nëse në media nuk do të ishte publikuar një letër kërcënuese e Albin Kurtit drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Gjuha e tij nuk është risi: ai tashmë edhe ashtu njihet për gjuhë të shfrenuar kur është opozitar, por me lëvdata buzagaze për Listën Srpska dhe veprimet humanitare të Aleksandër Vuçiqit në Veriun e Kosovës. Gjithë puna është te fakti se Kurti ua shpjegon ligjin gjyqtarëve të Kushtetueses dhe u tregon se çfarë pret ai prej saj në të ardhmen.
Pra, Kryeministri i shkarkuar nga Kuvendi (me fjalë tjera, pa legjitimitet demokratik), mbivendoset edhe proceduralisht edhe politikisht mbi Gjykatën Kushtetuese. Kjo është dëshmia kryesore e prirjeve të tij autoritare dhe marrëdhënies problematike me ndarjen e pushteteve.
Ai mendon se mund të sillet me gjithë qytetarët e lirë të Kosovës dhe me gjitha pushtetet ashtu siç i sundon aktivistët e partisë së tij. Njeriu që ka gojën plot fjalë për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit është pikërisht ai që jo vetëm se e shkel Kushtetutën në mënyrë të përsëritur, jo vetëm që i relativizon vazhdimisht këto shkelje, por edhe synon t’i urdhërojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese çfarë vendime duhet të marrin.
Meqë ra fjala, edhe një pyetje. Pse nuk duhet që, së bashku me Kurtin, të japë dorëheqje menjëherë edhe Arben Vitia, pasi e ka shkelur Kushtetutën? Sepse është kohë pandemie? Po Agim Veliu dhe Avdullah Hoti në ç’kohë u shkarkuan? Pikërisht mes valëve të pandemisë, kur puna e tyre ishte e domosdoshme për frenimin e saj.
Pra, Albin Kurti dhe Vetëvendosja janë duke u tallur me gjithë Kosovën për shkak të standardeve të tyre të dyfishta. Nëse nuk do të mjaftonte shkelja kushtetuese, Arben Vitia tashmë është dashur të shkonte në shtëpi pasi sot mban përgjegjësi institucionale dhe morale për vdekjen e djeshme të të riut 26 vjeçar në karantinë, në mes të Prishtinës.
Një i ri me probleme të dokumentuara shëndetësore, i cili u pengua të kontaktonte me familjen dhe ta merrte kujdesin e duhur shëndetësor vetëm e vetëm se nuk qëlloi as yll i estradës, e as aktivist i Vetëvendosjes.
Tash, po. Në këto rrethana, edhe Albin Kurti edhe Arben Vitia e meritojnë të quhen – superkriminelë.