Ky është dëshmitari i krimeve të luftës që duhet ta njohim
Duket sikur jemi tepër të lidhur me luftën, ashtu siç jemi tepër të lidhur edhe me të kundërtën e saj, paqen. Nga kjo lidhje e fuqishme e naive me këto ‘dy gjendje të përkundërta’ me gjasë u formësua një bipolaritet i patrajtuar kolektiv që mund të shpjegojë edhe helmin e derdhur përditë në sferën publike por edhe një varg karakteresh të përçudshme politike. Në një anë, pajtohemi dhe i nënshtrohemi një tjetri deri në vetëshkatërrim (paqja), ndërsa në tjetrën mospajtohemi aq thellë me një tjetër tjetër sa priremi ta poshtërojmë e ta asgjësojmë (lufta).
Para disa ditësh, këshilltari politik i kryeministrit Kurti denoncoi pjesëtarë të lartë të UÇK-së për krimet e luftës ndaj civilëve të pafajshëm të të gjitha etnive në Kosovë.
Mendoj se për ta kuptuar mirëfilli fjalën e këtij këshilltari duhet të njohim më gjerësisht kontekstin në të cilin shtrihej kjo fjalë, e edhe vetë autori i saj. Çka na thotë ky kontekst?
Këshilltari i Kurtit nuk ishte veç këshilltar i Kurtit por për fat të keq edhe partizan i tij. Në muajt e fundit, interesi i Vetëvendosjes, pra interesi partiak u bë papritmas edhe interes i shtetit për të. Nuk kishte asgjë ndërmjet dhe asgjë përtej atij interesi. Rrëfimi politik i Kosovës u reduktua në narrativën e ngushtë: “Ata vodhën për 20 vjet, kushdo që nuk është me ne është hajn”. Këshilltari në fjalë nuk ishte ekspert i ndonjë fushe të caktuar por një përdorues i thuktë i gjuhës partiake të urrejtjes dhe mosdurimit që prapa kishte “popullin” (krijesën fantome të VV-së që mirëmbahej nga aktivistë të mirëpaguar të saj, e ngjashme me veteranët e rremë, po ashtu të paguar, që i krijuan partitë e luftës për qëllime elektorale) i cili ishte i gatshëm ta poshtëronte secilin që do ta sulmonte. Këshilltari i Kurtit ishte luftëtar politik, aspak i ngjashëm me Adem Demaçin e pasluftës që i vetëm, i përqeshur e i poshtëruar i dilte kundër urrejtjes dhe sulmeve shqiptare ndaj serbëve.
Megjithëse mund të thuhet se fjala e këshilltarit ishte e drejtë, qëllimi i tij i derivuar nga ky pozicion politik ishte krejtësisht i padrejtë. Ky këshilltar ka akuzuar Rugovën që nuk e nisi luftën para këtyre komandantëve të luftës të cilët i cilësonte si “banditë” e “të pashkollë”. Ja që disa prej këtyre komandantëve qëlluan edhe kundërshtarë politikë të tij. Qëllimi fisnik i mbrojtjes së civilëve të pafajshëm të të gjitha etnive komprometohet nga qëllimet e politikës ditore dhe urrejtja klasore e provinciale. Sidoqoftë, sulmi i tij politik nuk u izolua vetëm te komandantët që ishin kundërshtarë politikë të Vetëvendosjes, dhe kështu u njollos në tërësi lufta çlirimtare dhe UÇK-ja ndërsa vetë këshilltari humbi mbështetjen e popullit të VV-së. Më pas, populli u bë jopartizan dhe nisi ta linçonte e ta fyente në mënyrë të papranueshme. Dhe, bash kur ai duhej të mbrohej nga Kurti dhe të rilegjitimohej fjala e tij që mbronte viktimat e pafajshme të luftës, ai u shkarkua.
Kurti mund të thoshte thjesht se “po, ne jemi për dënimin e të gjithë kriminelëve të luftës, pa dallim etnie” por nuk tha i trembur se mos e humbte ndonjë votë.
Unë kam qenë vazhdimisht kritik i mënyrës se si po kultivohej narrativa e luftës. Ishte e qartë se prapa saj kishte qëllime partiake elektorale. Në vitin 2017 Ramush Haradinaj ishte ndaluar në Francë pasi Serbia kishte ofruar prova të reja për krime lufte, dhe në Kosovë kishte nisur një fushatë tmerruese që thoshte “Ramush Haradinaj është Kosova” e të cilën nuk e kishte kundërshtar as Vetëvendosja. Të bëmat individuale, potencialisht kriminale, të këtyre individëve u panë gjerësisht si të bëmat e krejt UÇK-së. Ata papritmas u bënë “UÇK”-ja dhe “Kosova”. Njollosja e tyre nënkuptonte njollosjen e UÇK-së, lirisë dhe pavarësisë së vendit. Por, kur dhjetëra luftëtarë të ‘parëndësishëm’ të UÇK-së bënë vetëvrasje pas lufte, askush nuk tha “bëri vetëvrasje UÇK-ja”. Pra, UÇK-ja u privatizua për përdorim elektoral.
Fjala e këshilltarit të Kurtit është e drejtë nëse heqim nga ekuacioni pozicionin e tij politik dhe social/klasor. Civilë të etnive të ndryshme janë vrarë gjatë luftës megjithëse nuk dihet numri i tij. Por në anën tjetër, edhe trajtimi i robëve të luftës nuk ka qenë konform rregullave të luftës. Sepse, nuk është që luftëtari duke qenë luftëtar përnjëherë humbet të gjitha të drejtat civile e njerëzore. Megjithatë, si duket ne ende nuk arrijmë ta kuptojmë një gjë të tillë.
Kemi dëgjuar për çmimin Nobel për Paqe. E ka fituar Marti Ahtisaari, finlandezi që e konsiderojmë si “arkitekt të Pavarësisë”. E ka fituar Bashkimi Evropian. E ka fituar edhe Nënë Tereza. Por edhe disidenti rus i bombës me hidrogjen Andrei Sakharov (emër që mbante çmimi të cilin e fituan Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi). Sidoqoftë, dyshoj se kemi dëgjuar për fituesin e çmimit të parë Nobel për Paqë që u dha në vitin 1901. Emri i tij ishte Henry Dunant, një biznesmen nga Gjeneva që kishte qëlluar në Solferino të Italisë me punë të vetat kur kishte ndodhur beteja historike mes Perandorisë Franceze dhe Austrisë në vitin 1859. Ai kishte lënë ato punë të vetat dhe ishte bërë dëshmitar lufte. Kishte përshkruar krimet e bëra, që në fakt nuk ishin njohur deri atëherë si krime, dhe kishte dhënë vizionin e tij në një libër monumental të quajtur “Kujtimet e Solferinos”. Dunant qëndron në themelet e Kryqit të Kuq dhe të Konventave të Gjenevës.
Duke e denoncuar Gjykatën Speciale, filozofi Blerim Latifi kishte deklaruar se “ajo po gjykonte traditën e luftës së Skënderbeut”. Në fakt, ‘tradita skënderbeiane’ e luftës nuk ekziston sepse në të nuk ka asgjë autentike. Përgjatë gjithë historisë janë kryer krime lufte. Janë vrarë civilë. Janë trajtuar mizorisht të plagosurit e edhe të vrarët e palës armike. Por, kjo traditë lufte është thyer pikërisht nga Dunant – i cili propozoi që të trajtoheshin si njerëz edhe luftëtarët e palëve armike.
Por, pse këshilltari i mëshon pikërisht fjalës “civilë të pafajshëm” dhe nuk përmend aspak trajtimin që potencialisht çnjerëzor të policëve e paramilitarëve serbë? Pse humanizmi i tij nuk shkon deri aty sa të kërkojë drejtësi edhe për këta policë e ushtarakë serbë – potencialisht kriminelë? A s’kanë edhe kriminelët të drejta? Ndoshta bëjmë mirë t’i lexojmë Konventat e Gjenevës.
Sot, shoqëria jonë duhet të kërkojë përgjegjësi për të gjithë ata që derdhin gjuhë të urrejtjes e të mosdurimit. Për të gjithë ata që në kuadër të luftës politike i trajtojnë të gjithë të tjerët me të cilët kanë mospajtime radikale në formë çnjerëzore.
Lufta është e përhershme. Ajo mund të ndërrojë mjete, mund të kalojë nga lufta me mjete demokratike në luftë me armë por në thelb mbetet një proces i përhershëm rivendosjesh. Kështu thotë Niçe. Dhe edhe lufta demokratike, ashtu si ajo e armatosura, kërkon rregulla. Gjuha e urrejtjes e dhunës nuk është dhe nuk do të jetë e lejueshme. Trajtimi poshtërues e çnjerëzor i tjetrit nuk është dhe nuk duhet të jetë i lejueshëm.