Albin Kurti është politikan i së djathtës ekstreme
Vetëvendosje në qendër të diskursit të saj e ka dhe e ka pasur nacionalizmin. Ajo është fund e krye një parti nacionaliste e ekstremit të djathtë, që nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë lidhje të forta me shtresën e varfër në Kosovë. Ky është elefanti në dhomë që nuk po mund ta shohim. Atëherë, pse po vazhdon të ngulmojë që është parti e qendrës së majtë?
Të gjithë e dimë – sepse e përjetuam pjesërisht edhe mbi kurrizin tonë – se regjimet komuniste në Ballkan (dhe jo vetëm) e kishin prirjen e çuditshme që të kërcenin në fashizëm, të kundërtën e plotë ideologjike të vetes. Për një kohë të gjatë kam besuar – duke qenë i informuar gabimisht – që ky kërcim nga komunizmi në fashizëm ishte aq i panatyrshëm sa vetë thyerja e ligjeve të natyrës.
Një gjë e tillë, për fat të keq, ka ndodhur e po ndodh edhe në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë që është parti e majtë (e madje aktivistët e saj bënin thirrje edhe për revolucion duke përçmuar demokracinë reprezentative), e me raste thotë që është e qendrës së majtë, por në të vërtetë motori i narrativës së saj dhe motori i çdo proteste masive të organizuar prej saj ishte nacionalizmi, dhe profili i saj ideologjik, ashtu si metodologjia (populizmi, gjuha e urrejtjes, aksioni i drejtpërdrejtë politik) është identike me atë të lëvizjeve e partive të së djathtës ekstreme në Evropë.
Albin Kurti ishte kundër nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambouillet-së më 1999. Sipas tij, nënshkrimi i saj nënkuptonte tradhti ndaj luftës për liri e cila mund të mbërrihej me forca vetanake. Pra, sipas qëndrimit të tij, këtu filloi poshtërimi i dinjitetit dhe krenarisë së kombit tonë.
Por, ja çka shkruante diplomati amerikan Henry Kissinger në Daily Telegraph më 28 qershor të vitit 1999:
“Teksti i Rambouillet-së, që i kërkonte Serbisë të pranonte trupat e NATO-s në mbarë Jugosllavinë, ishte një provokim, një justifikim për t’i nisur bombardimet. Rambouillet-në nuk do ta pranonte as serbi më engjëllor e më i mirë.”
Pra, ajo marrëveshje përbënte një veprim taktik, të menduar që të çonte – ashtu siç edhe ndodhi – në çlirimin e Kosovës. Por, Kurti donte luftë.
Kurti ishte edhe kundër Pakos së Ahtisaarit, madje deri në atë shkallë sa nxiti protesta të dhunshme më 10 shkurt të 2007-s. Ky kundërshtim çoi në vdekjen e dy personave dhe në plagosjen e 80 të tjerëve. Pakoja e Ahtisaarit në anën tjetër çoi në Pavarësinë e Kosovës. Gabimi i Kurtit s’mund të ishte më i madh se kaq.
Do të mjaftonte vetëm njëri prej këtyre gabimeve që ta delegjitimonte karrierën politike të secilit politikan në një shtet me demokraci deridiku të zhvilluar. Sepse historia e kishte dëshmuar që secili prej këtyre gabimeve mbante potencë për shkatërrimin e vendit. Por, në Kosovë fjala e politikanëve, ashtu si edhe pushteti i tyre, peshon tepër pak dhe Kurtit iu dha mundësia që të ndërtonte një parti politike serioze jo-nacionaliste që do të përkushtohej në ofrimin e një alternative për shtresën e varfër të vendit.
Por, ai vazhdoi me populizmin nacionalist dhe me gjuhën e dhunës. Në vend se t’i jepte zë shqetësimeve të shumta të qytetarëve – të punësuarve të sektorit privat, të papunëve, punëtorëve të ekonomisë informale, tregut fiksional të punës, diskriminimit të grave (edhe në vendet rurale) – pra, në vend se të krijonte një lëvizje progresive, ai vendosi të luftonte për pushtet në një skenë të fëlliqur politike. Oratoria e tij u vu në shërbim të nacionalizmit. Demarkacioni, Çakorri, Negociatat, Serbia, ndarja e Kosovës, Bashkimi Kombëtar, Zajednica – këto ishin fjalët kryesore të tij.
Pra, përkundër dy dështimeve të rënda katastrofale si nacionalist ai vazhdoi të ishte kundër negociatave me Serbinë. Më pas, ndërroi qëndrim dhe u bë kundër negociatave me Serbinë pa kushte. E tash, u bë kundër marrëveshjes me Serbinë pa negociata.
E ndërkohë që e përdori edhe korrupsionin në po të njëjtën formë si lëvizjet e së djathtës ekstreme. Ai ishte korrupsion i qendrës, korrupsion i elitave të kalbura, korrupsion komandantësh – një gogol që duhej të zhdukej, në mënyrë që Kosova të rikthente mirëqenien.
“Këta (partitë e tjera përveç VV-së) e kanë shkatërru Kosovën qe njëzet vjet.” – është fjalia e rëndomtë e një mbështetësi të VV-së. Cila është logjika e një pohimi të tillë? A nënkupton kjo se regjimi i Millosheviqit e ndërtoi vendin përgjatë viteve ’90, dhe pushteti i mëvonshëm prej viteve 2000 shkatërroi ekonominë, arsimin, shëndetësinë, sportin, kulturën?
Jo. Kjo është forma tipike se si ekstremistët e djathtë keqpërdorin kritikën dhe opozitarizmin për të fituar pushtet. Një formë banale e kritikës që mbyt racionalitetin e kukamës së njerëzve të shkelur e të nëpërkëmbur të vendit. Një formë elitare e ndyrë. E vërteta është se një pjesë njerëzish në pushtet, a të lidhur me pushtetin, përfituan duke u korruptuar gjatë kohës sa vendi zhvillohej – i pavarur nga politika.
Por, Vetëvendosje nuk ofroi asnjë alternativë politike. Cili ishte kursi që duhej ta ndiqnim, ta zëmë, për negociatat me Serbinë, ose cila ishte alternative ndaj alternativave të deritashme për kompromisin final? Dinjiteti kombëtar u bë papritmas më i rëndësishëm se dinjiteti i qindra mijëra njerëzve të paperspektivë në vend. Dinjiteti kombëtar, krenaria kombëtare e shkelur – janë fjalët që ngritën partitë populiste në Itali, Hungari, Gjermani, Poloni, së fundi edhe Spanjë e nëpër vende të tjera, e i ngriti edhe Vetëvendosja.
Por, ku janë emigrantët si një armik i së djathëve ekstreme? Për pjesën elitare të Vetëvendosjes, emigrantët janë fshatarët e vendit. Ose edhe ish-fshatarët, sepse natyrisht që edhe në Kosovë pati emigracion të brendshëm, nga fshatrat e qytezat në kryeqytet – gjë që irritoi një pjesë të madhe njerëzish që kishin jetuar në mirëqenie e kishin përfituar një edukim më të lartë se sa këta të fundit.
Fshatarët e Kosovës gjatë periudhës së Jugosllavisë kishin pasur kushte më të rënda ekonomike, ishin marrë kryesisht me bujqësi e ndoshta blegtori, kishin pasur arsimim më të dobët, edukim më të dobët e nuk kishin pasur të njëjtën qasje në mjetet që emanciponin e në kulturë. Duke qenë të varfër, ose ish të varfër, pastaj të ‘keq-edukuar’, të ‘pakulturë’, ata edhe u paragjykuan nga elita e vendit.
Ta zëmë, Veton Surroi sulmon haptas gazetarin Baton Haxhiu në mënyrë raciste duke e përqeshur për theksin e tij e për të folmen e provincës që i takon – më shumë se për qëndrimet e tij. Shkruajeni në Google Veton Surroi dhe “Nukaka”. Grupi medial i Surroit, Koha, në mënyrë raciste ka përqeshur në disa reportazhe banorët e Drenicës, që votonin për PDK-në.
Por përtej këtyre, e shumë e shumë rasteve tjera, mjafton të pyesim veten për stilin e jetës së Albin Kurtit. Ai jeton si një mikroborxhez. Ai edhe mendon si elitar, e madje një gjë të tillë e thotë haptas në një emision të Rubikonit në vitin 2017. Ai bën distancimin e vetes me “masën” që ka nevojë për mesazhe të tejthjeshtëzuara.
Pse VV dëshiron ta mendojë veten si të majtë përkundër që është e djathtë ekstreme? Për mendimin tim çështja është tepër banale aq sa nuk duron shpjegime më të thelluara: snobizmi. E ndërkohë, asnjë çështje e të majtës progresive nuk u bë e rëndësishme për diskursin e tyre.
Sllavoj Zhizhek, filozofi i njohur slloven, duke qenë i keqinformuar sulmoi partitë e tjera se e kishin rrëzuar Vetëvendosjen nga pushteti duke nxitur “pasionet nacionaliste”. Në fakt, çdo qytetar i Kosovës e di se Vetëvendosje ka nxitur “pasionet nacionaliste” më shumë se çdokush tjetër. Është pikërisht Vetëvendosje ajo që po nxit sot edhe “pasionet provinciale”. Përtej këtyre, nga kjo parti që duhej të ishte rezistuese e tundimeve për diskriminim, ndodhi edhe diskriminim në baza seksiste (ndaj Vjosa Osmanit), e tash edhe ndaj orientimit seksual të një diplomati të huaj. Në vend se të bëhej gardiane e lirisë së shprehjes, ajo po e sulmon ashiqare atë duke e vënë secilin që mendon ndryshe përballë shantazhit: ose me ne, ose kundër shtetit.
Vetëvendosje ose duhet ta pranojë veten ashtu siç është, pra e djathtë ekstreme, ose duhet që të bëhet ashtu siç thotë se është: e majtë progresive. Qytetarët e analistët mund të jenë të painformuar sot, por nuk do të mbeten të paedukuar përgjithnjë. Një ditë do ta kuptojnë të vërtetën e qartë para vetes.
Nuk duhet të shantazhohemi: nuk kemi nevojë të zgjedhim mes do të korruptuarve në një anë, dhe do nacionalistëve ekstremistë në tjetrën.
E Albin Kurti, duke qenë i pushtetshëm sot, e ka mundësinë të braktis nacionalizmin. Nuk ka më justifikim.