Mjeku i luftës: Lufta ndaj koronavirusit më e keqe se lufta e përgjakshme në Siri
Një mjek i traumës që kishte operuar në disa prej zonave më të këqija të luftës në botë, ka thënë se luftimi në vijë të frontit ndaj koronavirusit ishte “eksperienca më e rëndë nga të gjitha” dhe është po aq keq “sa t’i shohësh fëmijët të hedhur në erë nga bombat në Aleppo.”
Dr.David Notti është një mjek i mirënjohur botëtor nga Carmaartheni i Walesit. Ai kishte qenë mjek konsulent në Spitalet e Chelseat dhe Westminsterit për 23 vjet.
Në një intervistë për The Sunday Times, Dr.Notti – që shpesh shkon në zona të luftës për të ndihmuar agjencitë në baza vjetore – foli për eksperiencën e tij në punën që ka për shpëtimin e pacientëve me Covid-19, raporton Independent, përkthen Periskopi.
Ai e quajti pandeminë si “armikun më të frikshëm” me të cilin ishte përballur ndonjëherë, dhe paralajmëroi se stafi i mjekëve britanikë mund të përballej me PTSD (Çrregullimi i Stresit Post-traumatik, i zakonshëm për njerëzit që e përjetojnë luftën) për shkak se lufta kundër virusit ishte “emocionalisht shkatërruese”.
Infermierët ishin “heronjtë e vërtetë” në sytë e tij, ndërsa veten si mjek e quan “një hallkë tepër tepër të vogël në këtë makinë të mrekullueshme.”
“Të jesh me pacientët që janë aq të sëmurë për 13 orë në ditë, duke bartur maska në fytyrë që shkaktojnë aq shumë parehati. Kurrë nuk kam parë njerëzit të punojnë kaq fort, kaq fort për secilin pacient që ta kalojë sëmundjen.”
“Por nganjëherë sëmundja fiton,” pranoi ai.
Mënyra e pamëshirshme se si i afekton ata që i infekton kjo sëmundje është ende një enigmë, thotë Dr.Nott.
“Shumë prej njerëzve që i kemi në njësinë tonë, janë goxha të rinj. Në të 20-at, në të 30-at, në të 40-at, dhe të 50-at. Pse disa sëmuren aq lehtë, e do të tjerë shumë më keq pa pasur asnjë sëmundje tjetër kronike, është një mister që askush nuk e kupton,” – thotë ai.