HELM & GJAK
1. Vdekja e autonomisë dhe helmi i koncentruar
Pas një serie demonstratash të fuqishme, të 25 dhe 26 marsit si dhe të 1 dhe 2 prillit 1981, më 2 prill në Kosovë u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Me datën 3 prill 8 tanke të kazermës së Prishtinës qarkullonin nëpër rrugët e zemrës së kryeqytetit. Në radio, me një zë prej gjysmë analfabeti, vetë Xhavit Nimani fliste për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ku ushtria jugosllave dhe policia e të gjitha niveleve e kishte marrë situatën në dorë.
Dita e 3 prillit 1981 në mendjen time hyn në radhën e ditëve më këqija të jetës si student i vitit të dytë, vit në të cilin banoja në konviktin numër katër. Gjatë rrugës për në stacionin e autobusëve në rrugë dhe udhëkryqe shihje qytetarë të hutuar dhe të heshtur. Prania e policëve të të gjitha viseve të Jugosllavisë dhe tanket në qarkullim e rëndonin qytetin dhe, gjykuar sipas meje, trysnin çdo zemër dhe mendje të shumicës shqiptare.
Për t’u kthyer në vendlindje linjat e autobusëve ishin çrregulluar. Gjatë rrugës, nga brenda autobusit lokal të Fushë Kosovës të mbushur përplot udhëtarë, në pikat kyçe shiheshin policët dhe ushtarët. Një tensionim i pashpërthyer lexohej në autobus, sepse brenda kishte edhe udhëtarë serbë të cilët manifestonin reagime emocionale kur shihnin ushtarët dhe policët në vendqëndrime. Helmetat e policëve dhe uniforma ushtarake e atyre viteve për mua mbeten gjëja më e urryer dhe imazhi klasik i sundimit serb dhe jugosllav.
Përse ky evokim?
Së pari jemi në muajin prill. Ashtu si nuk po shënohet asgjë si duhet, po ashtu nuk u shënua asgjë më rastin e 39 vjetorit të ngjarjeve të Pranverës 1981.
Së dyti, togfjalëshi “gjendje e jashtëzakonshme” është aktual dhe i pranishëm që nga koha kur Kosova u desh të reagojë për mbrojtjen nga pandemia “Covid-19”.
Së treti, për të bërë dallimin e kohëve të ndryshme të “gjendjeve të jashtëzakonshme” midis 1981 dhe 2020. Janë qasje rrënjësisht të ndryshme dhe të pakrahasueshme. Gjendja e 1981 ishte me aktor Beogradin. “Gjendja” 2020 është me aktor Prishtinën e çliruar këtu e 21 vite më parë nga Beogradi.
Së katërti, a ka diçka që të shtyn të gjesh një paralele midis 1981 dhe 2020?
Do të përpiqem të jem i qartë dhe jo ngatërrues i kohëve për hir të pranisë së një elementi problematik në vetë dukurinë. Dita e 2 prillit 1981 është dita simbolike sepse periudha e “lulëzuar” e frymës liberale autonomiste prej vitit 1970, pas 11 viteve, përfundon. Nëse këtë periudhë e personifikojmë me emrin e liderit autonomist, me Mahmut Bakallin, atëherë mund të themi me se me rënien e tij vdes autonomia e Kosovës, “vdesin” personazhet e saj.
Kushdo nga aktorët tjerë politikë shqiptarë brenda sistemit jugosllav, vetëqeverisës që u angazhua me mish e me shpirt për Jugosllavinë e mëtutjeshme, që në fund të fundit u përcaktuan me vetë vullnetin e tyre për të bërë karrierë, gjithçka mund të jenë, por kurrë personazhe dhe aktorë pozitivë që kontribuuan për të mirën e Kosovës.
Kjo botë personazhesh e cila ka qenë pjesë e sistemit jugosllav, që ka bërë luftë politike dhe ideologjike kundër “irredentizmit shqiptar”, që demonstratat e vitit 1981 i konsideron të ujdisura nga shërbimet për ta shkatërruar autonominë e Kosovës, që ka përfituar në të gjitha fushat e jetës nga ai sistem, që nuk ka besuar në çlirimin e Kosovës, sot vjen e ripërtërirë nga pinjojtë e tyre, të cilët aq mirë e kanë gjetur vetveten te filozofia politike anarkiste dhe revolucionare e Lëvizjes Vetëvendosje.
Si mund të shpjegohet ndryshe potenciali i pakufishëm i urrejtjes që demonstrojnë këta pinjoj ndaj klasës politike e cila me aq mund dhe sakrificë qëndron në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Duhet të jesh shumë i verbët dhe i helmuar për të pasur kaq kondicion dhe energji për ta bërë këtë luftë kundër themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër atyre që deshe ose jo, janë themeli dhe etërit e shtetit të Kosovës. Kjo energji dhe dozë helmi ka një shpjegim shkollor. Thuhet se kafsha e cila ha ushqimin e kontaminuar e merr helmin e shkallës së parë. Kafsha ose njeriu që ha mishin e kafshës që ka ngrënë ushqim të helmuar, e merr helmin dyfish më të rëndë.
2. Gjakderdhja financiare dhe enja qumështore
Shprehja “gjakderdhje financiare” për disa ditë qarkulloi e vetmuar si shprehje metaforike për vrasjen e financave. Sado e thënë bukur me petk metaforik, kur kjo shprehje del nga goja e zyrtarit më të lartë të shtetit, fillon t’i ndërrojë shija dhe bëhet metaforë keqe për veshin e athët nga shija dhe cinike në relacion me “distancën sociale”. Fjalën “gjakderdhje” Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e baras vlerëson me fjalën vrasje: “vrasje e shumë njerëzve në një përleshje a luftë, vrasje” të cilën për herë të parë e shikova sot. Në filmat e përkthyer gjithmonë më ka penguar trajta e foljes “po gjakos” për rrjedhën e gjakut nga lëndimi “gjakosja”. Por, tmerri fillon kur fjala “gjak” del ose tentohet të nxirret nga konteksti frazeologjik e metaforik, në jetën reale.
Një kryetar komune mobil, shëtitës, tash i stacionuar, i ngujuar në shtëpinë politike të “Lëvizjes vetëvendosje” e nxori lakuriq dhe pa ambiguitet fjalën gjakderdhje. Madje e pasuroi atë. Fjalës “vrasje” ia shtoi emrin “vëlla” dhe foli për vëllavrasje, në rast se nuk shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme pas shkarkimit të kryeministrit, që i përket partisë së tij. Përtej çdo kuptimi nxitës, ngucës, provokues, acarues, kjo fjalë shënon shkallën më të lartë të ndotjes së leksikut politik të Kosovës. Kufiri semantik dhe ai faktik i derdhjes së gjakut dhe i vëllavrasjes nuk është i blinduar. Mbi gjuhë ngrehet lufta mbi gjuhë bëhet paqja.
Të gjitha shprehjet metaforike marrin kuptim tjetër, varësisht se kush iu referohet dhe nga cili pozicion. Aq më shumë kur atyre iu referohet njeriu i parë i shtetit. Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 Vetëvendosje doli e para në zgjedhje. Kushtetuta e Kosovës ia jep të drejtën partisë fituese ta themelojë qeverinë. Në mbrojtje morale kësaj të drejte ia kam dalë në gjithë postimet e mia në FB gjatë kohës së VLAN-it, (2013). Nuk është mirë të instalohet kultura e formimit të qeverisë nga humbësit. Pikë.
Pas rezultatit zgjedhor të 6 tetorit 2019 më në fund me 3 shkurt 2020 u formua qeveria e re nga Vetëvendosja dhe LDK. Çdo gjë korrekte. Fituesit nuk iu prish romanca as nuk u zbatua algjebra politike, por legjitimiteti. Lëvizja Vetëvendosje u mbush vrull dhe arrogancë gjatë “bashkëjetesës” me AAK dhe NISMA, të cilat iu bënë, thënë me metaforë, krah ushtarak. Ky vrull së bashku me populizmin u bënë masë kritike gati e padurueshme në skenën politike. Le të kujtohen skenat e gazit lotsjellës në parlament. Me muaj të tërë u penguan seancat në Kuvend. Me çdo veprim Lëvizja Vetëvendosje shprehu gatishmëri, vullnet dhe vendosmëri për ta penguar funksionimin normal të pozitës.
Me të gjitha veprimet Lëvizja Vetëvendosje jepte mesazhin dhe pamjen e asaj turmës e cila kur ia mësyn dikujt t’i hyjë në shtëpi, ditë e natë i rri mbi gardh, gjersa ta thyejnë dhe pushtojnë oborrin me gjithë shtëpi.
Lëvizja Vetëvendosje ndër vite ka akumuluar aq shumë energji negative kundër pushtetit sa për asnjë çast nuk do ta linte të qetë çfarëdo qeverie që do të dilte pas 6 tetorit. Ajo është partia politike me më së shumti etje dhe ethe për pushtet. Për 40 ditë qeverisje tregoi gjithë simptomat e një partie revolucionare që në një shtet në Evropë, të krijuar nga SHBA-ja do të qeveris me dorë të hekurt. Që ia pret kokën kur të dojë ministrit të partisë aleate, që ia pret kokën zëvendësit të tij të parë nga partia e koalicionit, që shkarkon borde para mbarimit të afatit ligjor etj.
Për shkak të dorës së hekurt kryeministri Kurti u shkarkua nga pozita e tij me 85 vota kundër. Me këtë numër votash ai mori goditjen më të madhe politike, e cila u pasua edhe me valën e dytë, shkeljen e Kushtetutës. Është interesant nga aspekti psikologjik: kryeministri dhe eksponentë e tij fanatik bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë. As njëra as tjetra nuk i kanë prekur në lëkurë se lëre më në sistemin nervor. Ata dhe vetëm ata kanë të drejt. Ata më së miri e sprovojnë thënien se “më e madhja drejtësi është padrejtësia e madhe”, duke besuar në të vërtetën dhe të drejtën e tyre absolute, pavarësisht se rrethanat dhe kushtet jetësore çdo drejtësi absolute e kontestojnë e zhvlerësojnë dhe ia shpalosin kufizimet.
Numri i votave aq të mjaftueshme sa për ta ndryshuar Kushtetutën e Kosovës e bëjnë jo “në detyrë”, por plotësisht të shkarkuar kryeministrin Kurti. Prandaj, si nga aspekti moral edhe nga ai kushtetues më bëjnë të ndërroj mendje dhe t’i jap të drejtë algjebrës politike: qeverinë mund ta themelojnë edhe të tjerët, partitë me mbi e më shumë se 61 deputetë.
Kur bie jemi te loja e fjalëve për një kryeministër se a është i dorëhequr, a është në detyrë, në ikje, i shkarkuar, më vjen parasysh një shprehje e bukur shqipe për kafshët shtëpiake të cilave u ka ngordhur i vogli. Një lopë, dele ose dhi quhen ENJA, sepse edhe kur e kanë humbur të voglin, ato japin qumësht. Kryeministri dhe në një farë mënyre edhe në dorëheqje, edhe pse të shkarkuar, e kanë në dispozicion buxhetin e Kosovës.
Midis buxhetit, gjakut dhe qumështit, më e lehtë fjala qumësht.
Prishtinë, 10 prill 2020