Ndikimi rus nga Coronavirusi e deri në Kosovë

Ndikimi rus nga Coronavirusi e deri në Kosovë

Sipas shumë ekspertëve të forenzikës dixhitale në SHBA dhe në disa vende të BE-së, Rusia ka filluar një fushatë agresive për përhapjen e dezinformatave për koronavirusin në të gjithë perëndimin. Me mijëra llogari fiktive janë vënë në dispozicion nga Kremlini, me qëllim të dezinformimit të opinionit publik, sidomos nëpër shtetet perëndimore e në veçanti në SHBA.

Kjo fushatë e Rusisë, nuk paraqet asgjë të re. Rusia, historikisht ka tentuar të përfitojë nga krizat shëndetësore globale me qëllim, që fillimisht të mbjellë mosmarrëveshje midis amerikanëve dhe nga brenda t’i rrenojë aleancat dhe institucionet e SHBA-ve.

Sipas Stanislav Levchenko, Ladislav Bittman dhe Jurij Bezmenov, ish- agjentëve të KGB-së, të cilët dezërtuan në SHBA, vetëm 15% e aktiviteteve të KGB-së kishin të bënin me spiunazh, kurse 85% e punës fokusohej në departamentin për dezinformata dhe akiviteteve të subversioneve ideologjike. Vlerësimi i përformances së agjentëve të KGB-së, në fakt bëhej duke u bazuar në numrin iniciativave për dezinformata që ata kishin propozuar gjatë vitit dhe sa efektive kishin qenë ato. Për t’i realizuar këto iniciativa, KGB-ja kishte buxhet multimilionesh dhe staf deri në 15.000 persona, pra dezinformata ishte zemra e KGB-së.

Shembulli më ilustrativ është kur në vitin 1983 KGB-ja lansoi lajmin në një gazetë jorelevante të quajtur “Patriot”, në Indi se, kinse SHBA-të kishin prodhuar në laborator virusin HIV për të vrarë komunitetin afrikano-amerikan dhe komunitetin e homoseksualeve. Pra, fillohet me një gënjeshtër të madhe dhe lajmi lansohet në një vend fragjil ku askush s’pyet për origjinën e tij. Pas disa viteve të “pushimit të qëllimshëm”, lajmi merret nga gazetat moskovite duke iu refereruar gazetës “ Patriot”, të Indisë dhe pastaj e boton edhe “Daily Telegraf” në Londër, kurse më 1986, përmes televizioneve, lajmi arrin të transmetohet edhe në SHBA. Ndërkohë, KGB-ja  gjen një pseudo-shkencëtar (apo “idiotin” siç identifikohet në njerën nga rregullat në manualin e KGB-së) që ta konfirmojë shkencërisht se HIV është prodhuar në laboratorët amerikanë. Këtë detyrë e bën Dr. Jakob Segal një mjek lojal ndaj BRSS-së, që jetonte në Berlin. Lajmet përsëriteshin me vite e vite edhe kur SHBA-të e dekonstruktuan se KGB-ja ishte mbrapa kësaj dezinformate, natyrisht, që rusët e mohuan. Efekti tanimë ishte arritur, mosbesimi ishte krijuar, sepse me miliona qytetarë në SHBA filluan ta besojnë lajmin ose së paku u futën në konfuzion.

Nuk janë vetëm situatat e krizave shëndetësore në nivel global që shërbimet ruse i keqpërdorin për përfitime gjeopolitike dhe nuk është që kjo është inicuar vetëm nga KGB-ja gjatë kohës së Luftës së Ftohtë.

I njëjti sistem operimi vazhdon sot e kësaj dite nga FSB-ja (Федеральная служба безопасности) e Putinit (trashëguesja e KGB-së). Me të ardhur në pushtet, Putini si ish- agjent i KGB-së, u kujdes që KGB-ja, të ketë kontinuitet përmes agjencioneve për dezinformata. Mu për këtë, në vitin 2005 e themeloi televizionin “Russia Today”, dhe agjencinë e lajmeve “Sputnik”, e më vonë edhe fabrikën e profileve të rrejshme në media sociale, e njohur si “Internet Research Agency”, e cila merret edhe me lansimin e “fake news”.

Në vitin 2016 nga kjo agjenci u lansuan dy “fake news”, në dy faqe të ndryshme të facebook-ut në Houston. Në njërën, ftonin myslimanët në protesta për mbrojtje të xhamisë në Houston (Texas), kurse në tjetrën faqe në facebook ftonin djathtistët ekstremistë në protestë para xhamisë kundër “islamizimit të Texasit”. Protestat, qëllimisht u ftuan në të njëjtën kohë. Duke qenë të manipuluara, të dy palët nuk e dinin që do të takoheshin në protestë në të njëjtën kohë dhe si rezultat, ngjarja eskaloi në dhunë. E tërë kjo u përkrah nga mijëra llogari të rrejshme në rrjetet sociale përmes “Internet Research Agency”, në Moskë.

E njëjta ndodhi edhe në rastin e “PizzaGate Conspirancy” ku hakerët rusë i hakuan e-mailat John Podestes, shefit të kampanjës presidenciale të Hillary Clinton më 2016 dhe i keqpërdorën komunikimin me pronarin e Pizzerisë “Comet” në Washington DC e pastaj e lansuan gënjeshtrën e madhe se kinse zyrtarë të Partisë Demokratike po i abuzojnë fëmijët seksualisht në podrumin e kësaj pizzerie (pizzeria nuk kishte fare podrum). Mirëpo, derisa gënjeshtra u zbulua, u shkaktua dëmi, sepse një ditë një ekstremist djathtist amerikan, duke e besuar lajmin, në shenjë hakmarrjeje shkoi në pizzerinë “Comet” në Washngton D.C. dhe gjuajti me pushkë, ndërsa kjo ngjarje ndikoi drejtëpërdrejtë në procesin elektoral në SHBA.

 

 

Cili është qëllimi i dezinformatave ruse lidhur me Coronavirus?

Në vazhdimësi qëllimi i KGB-së së dikurshme, por edhe i FSB-së së sotshme ka qenë që përmes fushatave të dezinformatave si këto më lartë t’i fut në kontradikta shtetet perëndimore. Të kontribuojë në thellimin e ndarjeve brenda demokracive perëndimore, qofshin ato politike, ekonomike, kulturore, sociale, gjeografike apo linguistike. Të tilla ndarje me nuanca të ndryshme ekzistojnë në çdo shoqëri perëndimore: të rinjë kundër të vjetërve, të varfrit kundër të pasurve,  eskremistët kundër liberaleve, kontradikta për religjionin, etj. Rusët janë koshientë se më nuk kanë mundësi të hynë në luftë të drejtëpërdrejtë me perëndimin e sidomos jo me SHBA-të, të cilat janë shumëfish më të forta ushtarakisht, prandaj pikërisht përmes lansimit të dezinformatave të tilla dhe subversioneve të ndryshme ideologjike, rusët synojnë ngritjen e tensioneve brenda shoqërive perëndimore e sidomos në SHBA ( sikur rasti i HIV, rasti në Houston apo i “PizzaGate Conspirancy”). Qëllimi është që përmes dezinformatave të ndryshoj përcepcionin e publikut për realitetin, t’i demoralizojë ata dhe të destabilizojë shoqërinë, me qëllim që t’i permbys ato demokraci nga brenda për aq sa është e mundur. Të gjitha këto fushata me dezinformime, pra me plotë “fake news”, bëhen me shumë pak investime përmes sulmeve kibernetike me llogari fiktive në rrjetet sociale e të përkrahura nga “Russia Today”, në edicionet e saj jo vetëm në gjuhën angleze. Këto fushata organizohen kryesisht nga “Internet Research Agency”, në Moskë. Qëllimi i madh i Rusisë është t’i ndryshojë balancat aktuale të fuqive botërore.

Në këtë funksion është edhe fushata dezinformuese e Rusisë për coronavirusin. Fushata e dezinformimit promovon teori të pa baza të komplotit se kinse SHBA-të janë pas shpërthimit të ri të koronavirusit, në një përpjekje të dukshme për të dëmtuar imazhin e Amerikës në të gjithë botën dhe për të futur hidhërim e mosbesim në mes të qytetarëve amerikanë. Imagjinoni se çfarë ndjeshmërie mund të ketë një qytetar amerikan i diagnostifikuar me coronavirus kur dëgjon lajmin se qeveria e tij “ e ka prodhuar”, këtë virus.

Prandaj, i gjithë ekosistemi i dezinformatave ruse është në lojë dhe përpjekje të koordinuar përmes mijëra llogarive të medieve sociale për të përhapur dezinformata për koronavirusin, duke prishur përpjekjet globale për të luftuar epideminë dhe në veçanti, duke u munduar t’i diskreditojë SHBA-të.

Këto llogari fiktive në rrjetet sociale pohojnë në mënyrë të rreme se SHBA-të po zhvillojnë “luftë ekonomike kundër Kinës”, dhe se virusi është një armë biologjike e prodhuar nga CIA. Qëllimi është ngritja e alarmit për këtë “rrezik”, të ri amerikan në nivel global. Përveç tjerash, “Russia Today”, në edicionet e saj në gjuhën angleze, të destinuar për opinionin publik amerikan, ka lansuar dezinformata se testimi i 5G shkakton kancer në tru, autizëm dhe sëmundjen e alzheimerit.

Rusia i fabrikon këto tregime për t’u distancuar nga gjendja e tmerrshme e historikut shëndetësor të saj. Alkoolizmi, HIV dhe tuberkulozi janë në nivel epidemik në Rusi, dhe përsëri qeveria nuk bënë asgjë për t’i ndihmuar njerëzit e saj, duke preferuar që t’i poshtërojë dhe burgos popullatën e saj. Nëse Rusia dhe shtetet pasardhëse të BRSS-së, do të ishin me të vërtetë të shqetësuara për gjendjen shëndetësore të njerëzve, sigurisht nuk do t’i kishin ekspozuar miliona njerëz ndaj rrezatimit vdekjeprurës, duke gënjyer dhe fshehur për katastrofën e Çernobilit. Për më tepër, Rusia vazhdon të gënjejë për një shpërthim të rrezikshëm nuklear afër qytetit Severodvinsk që ndodhi në gusht tëvitit 2019 pas një testimi të dështuar të një rakete nukleare.

Thënë shkurt, kjo pandemi solli edhe një “infodemi”, ku pjesa më e madhe e këtyre dezinformatave e kanë adresën në Moskë. Ndërkohë, ekzistojnë dallime të dukshme në strategjitë e dezinformimit të Kremlinit përballë audiencës vendëse dhe ndërkombëtare. Mesazhet që synojnë audiencën vendëse ruse e përshkruajnë virusin si një formë të agresionit të huaj, për shembull duke pretenduar se koronavirusi origjinën e ka në laboratorët sekretë amerikanë ose perëndimorë

Mesazhet që synojnë audiencën ndërkombëtare (kryesisht në anglisht, italisht, spanjisht dhe arabisht), ndjekin një qasje tjetër, e cila ka për qëllim të nxisë mosbesim tek autoritetet në SHBA dhe të shteteve të BE-së, te sistemet e kujdesit shëndetësor, institucionet ndërkombëtare dhe te ekspertët shkencorë.

Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor mbizotëruan titujt si “Virusi u zhvillua në një laborator për të dobësuar Kinën dhe Iranin “, por përtej kësaj ekzistojnë disa rreziqe që lidhen me përhapjen e dezinformimit të koronës në Ballkanin Perëndimor. Përmes coronavirusit, mund të armatosën debatet zgjedhore për të diskredituar kundërshtarët politikë me teori konspirative, për shembull në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut. Njëkohësisht kjo mund të përdorët edhe kundër migrantëve, por mund të përdoret edhe nga shërbime të huaja për të manipuluar hapësirat lokale të informacionit.

 

Konteksti gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor dhe interesi i SHBA-ve e i Rusise brenda tij

 

Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, Putini është i vetëdijshëm që SHBA-të nuk lejojnë rikthimin ushtarak të Rusisë në ujërat e ngrohta (Mesdhe) përmes Ballkanit. Kjo për faktin se SHBA-të e kanë vendosur këtë si një nga objektivat kryesore të tyre strategjike për Ballkan. Ky dhe objektiva të tjera amerikane janë brenda binarëve strategjikë amerikanë për Ballkanin Perëndimor, të vendosur në fillim të viteve të ‘90-ta dhe pavarësisht se kush vjen në pushtet në SHBA, republikan apo demokrat, politikat e jashtme amerikane nuk dalin nga këta binarë. Jo vetëm administrata e presidentit Trump, por cilado administratë që vjen, në të ardhmën do të kërkojë arritjen e marrëveshjes Kosove-Serbi sa më shpejt që është e mundshme. Kjo për arsyen se, fakti që s’ka luftë, nuk d.m.th se ka paqe në Ballkan, e kjo sidomos, është e ndërlidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi. Gjendja aktuale pa marrëveshje mes dy vendeve vazhdon të ofrojë një terren të mirë për shërbimet sekrete ruse që me ashpërsinë e tyre të shfrytëzojnë çdo përçarje të mundshme si politike dhe të tjera, për të destabilizuar Kosovën e përmes saj, mundësisht, edhe pjesë tjera të rajonit. Rrjedhimisht, çfarëdo lloj dinamike e ndonjë kaosi politik në Kosovë, i konvenon vetëm Rusisë, por jo edhe SHBA-ve. Prandaj, Rusia ka frikë që eventualisht arrihet ndonjë marrëveshje. Dhe, nëse nesër ajo ndodh, Rusia përjashtohet nga Ballkani. Përjashtohet sepse ajo ka ngelur e lidhur vetëm me serbët dhe Serbinë. Brenda këtij konteksti, tjetër qëllim ka kërkesa ruse për heqjen e tarifës,  e tjetër e partnereve perëndimorë. Pavarësisht që kërkesa është e njëjtë, qëllimet e tyre dallojnë. Madje, rusët në këtë rast kanë shpërfillur fare subjektivitetin e Kosovës dhe institucioneve, duke përdorur terminologji pezhorative. Këta janë ruset- nuk ofrojnë zgjidhje, hedhin benzine ne zjarr. Tymi i këtij zjarri ua krijon atyre prezencën në rajon.

Pikërisht kjo është një nga arsyet më kryesore pse SHBA-të insistojnë në marrëveshjen Kosovë-Serbi, sepse janë SHBA-të që kanë investuar më së shumti për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Kujtojmë që pavarësisht se a ishin republikanët apo demokratët në pushtet në tri deceniet e fundit, kanë qenë gjithmonë SHBA-të lider dhe sponsor kryesor i projekteve që Ballkanin Perëndimor e kanë futur në rrugën e normalitetit. Kjo është arritur përmes Dejtonit, Rambujesë, bombardimit të Serbisë, futjes së Sllovenisë e Kroacisë në NATO, pavarësise së Malit të Zi, pavarësisë së Kosovës, futjes së Shqipërisë e Malit të Zi në NATO dhe së fundmi, arritja e marrëveshjes Maqedoni- Greqi dhe anëtaresimi i Maqedonisë së Veriut në NATO. Për shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi dhe arritjes së marrëveshjes Maqedoni-Greqi, e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, shqiptarët kanë pasur një rol të veçantë, kurse nuk diskutohet bashkëpunimi i shqiptarëve me SHBA-të për futjen e Shqipërisë në NATO dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia. Prandaj, bashkëpunimi ynë konstruktiv me administratën Trump, për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, duhet të vazhdojë, sepse është interes i yni, por edhe objektiv strategjik i SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor. Thjesht, pra nuk është çështje e lëvizjeve të kufijve mes Kosovës e Serbisë, por çështje e lëvizjes se kufijve në mes të hemisferës amerikane dhe asaj ruse të ndikimit. Realizimi i marrëveshjes, prandaj do të minimizonte përfundimisht ndikimin destruktiv rus në rajon (përjashto Serbinë e Dodikun) e po ashtu do të minimizonte ndikimin në Ballkan të disa shteteve tjera jashtë orbitës euroatlantike.Por, meqenëse Ballkani Perëndimor është stacioni i fundit që synon Rusia në drejtimin e saj gjeostrategjik në Evropë, ekzistojnë edhe mekanizma të tjerë në dispozicion përmes të cilëve, qeveritë evropiane dhe SHBA-të mund të avancojnë interesat dhe vlerat e tyre të përbashkëta në Evropë. Njëra nga to është “Iniciativa e Tri Deteve”. Kjo iniciativë promovon projekte praktike për të afruar shtetet evropiane të kufizuara nga detet e Baltikut, Adriatikut dhe Detit te Zi në fushat e energjisë, transportit dhe dixhitalizimit të rrjeteve evropiane të komunikimit dhe si e tillë mund ta dobësojë aftësinë e Rusisë për të minuar qeveritë, institucionet, sigurinë dhe demokracinë evropiane, sepse po të shikohet harta e shteteve nënshkruese të kësaj iniciative, vizuelisht duket si një perde e cila ndan Unionin Evropian me territorin e Rusisë.Por le të kthehemi edhe njëhere te shërbimet sekrete ruse.

Nga analiza në kontekstin e mësipërm, nuk duhet të krijohet përshtypja se këto shërbime janë shumë profesionale dhe të avancuara në raport me të tjerët. Kujtojmë rastin e “PizzaGate Conspirancy”, në Washington, kur kishin dezinformuar se zyrtarët e partisë demokratike kanë abuzuar seksualisht me fëmijë në podrumin e pizzerisë “Comet”, ndërsa pizzeria s’kishte fare podrum. Ose në rastin e lansimit të dezinformatës në gazetën”Patriot”, në Indi se kinse SHBA-të kanë prodhuar virusin HIV . Në atë shkrim zyrtar të State Departmentit, menjëherë kanë vërejtur gabime drejtshkrimore, si p.sh.: aty shkruhej gabimisht në anglisht “virus flu”, në vend se të ishte“flu virus”, gjë që tregonte se shkrimi nuk është shkruar nga dikush që gjuhë amtare e ka anglishtën. Pra, nuk flasim për shërbime profesionale e të mençura, por që nuk ndalen në veprimet e tyre përmes dezinformimit e shantazheve. Ndërsa nëse flasim për profesionalizmin e tyre në rastin e Kosovës, kujtojmë se kandidati rus i KE-së për raportues të Kosovës, Aleksey Kondratyev, ishte plagosur në një incident në Kosovë në vitin 2001 si pjesë e shërbimit intelegjent të ushtrisë ruse, kurse agjentja ruse, Jana Minockina, u zu duke vjedhur në një dyqan në Kosovë. Pra, këta janë pjesëtarët e shërbimeve sekrete ruse. Me një fjalë, të ndyrë e aspak profesionalë.

Kur flasim për shantazhet, shumë autorë në perëndim kanë shkruar artikuj e analiza se ka pasur mundësi që Rusia e ka kushtëzuar Serbinë ta nënshkruaj marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit rus nëpër Serbi, vetëm 8 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, midis ish- kryeminitrit serb Koshtunica dhe nënkryetarit të atëhershëm rus Medvedev, përndryshe ata do ta pranonin pavaresinë e Kosoves. Pra, ata janë në gjendje të shantazhojnë edhe Serbinë, prandaj nuk hezitojnë të shfrytëzojnë çfarëdo situate fragjile politike në Kosovë për të destabilizuar situatën. Rrjedhimisht, rusët nuk i shikojnë interesat serbe, por interesat e veta. Aktualisht, Serbinë e kanë mjet, me të cilin e destabilizojnë jo vetëm Kosovën. Sido që të jetë, mosarritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi krijon mundësi e terren më shumë për veprimet subversive e me dezinformata të Rusisë në Kosovë e më gjerë, ngjashëm me modelet që i përshkruam me lart, pra si në situatat e dezinformatave ruse për virusin HIV, për protestat në Houston apo dhe këto të fundit me Coronavirus. Kjo nuk do të thotë se rusët i kanë bërë për vete kundërshtarët e marrëveshjes Kosovë-Serbi, por kanë gjetur mënyra që për ta mbjellur dyshimin për arritjen e kësaj marrëveshje. Në Serbi, radikalët hapur e kundërshtojnë këtë marrëveshje, porse dihet se ata janë pro rusë.

Transmetimi dhe përsëritja e dezinformatës ruse e vitit 1983 me vite të tëra nëpër medie se kinse SHBA-të e kanë prodhuar HIV virusin për të vrarë afrikano-amerikanë dhe komunitetin gay, është arsyeja pse sot e kësaj dite në SHBA, madje edhe disa artistë amerikanë janë ende në lajthitje dhe vazhdojnë t’i këndojnë këtij „fake news“-i, dhe se kjo dezinformatë po ashtu është inspirim edhe sot për seriale e produksione të ndryshme filmike amerikane. Për të njëjtën arsye të përsëritjes së dezinformimit, lidhur me protestën e vitit 2016 në Houston, për një kohë të caktuar, plot qytetarë atje vazhduan të mbesin në lajthitje dhe nuk besuan se Rusia qëndronte mbrapa asaj proteste. Transmetimi dhe përsëritja nëpër medie lokale e dezinformatave për coronavirus që burim mund të kenë Moskën pa një „fact check“ (verifikim të fakteve) mund ta ketë efektin „HIV“ dhe „Houston“, edhe te qytetarët e Kosovës. Pra, efektin e ndryshimit të përceptimit të realitetit rreth asaj se cila në fakt është e vërteta për pandeminë në botë dhe kjo nuk mund të mbetët më me pak ndikim në kontekstin tonë socio-politik. Rrjedhimisht, mediet duhet të kenë kujdes të shtuar dhe të jenë më selektive në përzgjedhjen e informacioneve që qarkullojnë në mediet ndërkombëtare rreth coronavirusit.

(Autori është politolog dhe profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës).

 

 

 

Shpërndaje në: