Prirja diktatoriale e ‘kryeministrit Kurti’ në shekullin 21
Shkruan: Adil Behramaj
Dje, kryeministri i shkarkuar i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, me prepotencë dhe krenari u pa në krah të ministres Rozeta Hajdari, të cilës sapo i kishte vdekur babai. Por, minimalisht dy gjëra që shkelin kodin themelor të sjelljes njerëzore që të dy na bënë t’i shohim.
E para, kryeministri i shkarkuar shkarkoi anëtarët e një bordi para afatit të rregullt, vendime që i kishte kundërshtuar shumë ashpër pak muaj më herët kur qeveria e kaluar ishte në dorëheqje.
Dhe, e dyta, pranë kryeministrit qëndronte e pikëlluar Rozeta Hajdari, të cilës sapo i kishte vdekur prindi.
Njëra ishte parregullsi e veprimit politik dhe tjetra antihumanizëm nga ana e Albin Kurtit në kurriz të ministres së tij.
Ky qëndrim morbid rigoroz gjithsesi që na e kujton kohën e rrëfimeve të vendeve komuniste, kur njeriu i ri socialist paraqitej më i fortë se vdekja. Artisti, këngëtari, aktivisti ose kushdo nga vidhat e sistemit socialist, nuk e prishte asokohe solemnitetin e asnjë aktiviteti zyrtar, heshte, përmbahej dhe nuk tregonte për vdekjen e anëtarit të ngushtë të familjes, derisa kryhej pjesa teatrale, koncerti, kongresi ose një manifestim tjetër zyrtar.
Pra, kryeministri i dorëhequr dhe vartësja e tij, dje shkelën dhe injoruan një kod të respektuar nga lashtësia e shoqërisë njerëzore.
“Ante mortem non beatus”, thotë një thënie e njohur, që në shqip i bie ”Përballë vdekjes nuk ka lumturi”.
Ndërsa, në traditën e lashtë shqiptare, heshtja dhe respekti përballë vdekjes respektohej edhe nga njeriu më i thjeshtë, malësori, i cili kur haste në kortezhin e vdekjes, nëse qëllonte me qerre dhe qe, ndalej dhe e hiqte nga zgjedha njërin ka.
Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, edhe para kësaj mizorie shquhej në raport me vdekjen dhe manipulimin me të. Ju kujtohen rastet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit apo edhe të Arbnor dhe Astrit Deharit. Me vite të tëra i përdori politikisht, pa fije kodi njerëzor, aq sa i duheshin dhe kurdo që kishte nevojë ta sillte në vëmendjen e publikut viktimizimin e tyre.
Gjatë tërë kohës sa ishte në opozitë, Albin Kurti gjithnjë përpiqej të viktimizonte dhe viktimizohej, duke ndërsyer militantët e tij kundër organeve të sigurisë, me protesta mjaft të dhunshme. Me këtë natyrë morbide, duke injoruar kodin themelor të vdekjes, nderimin, heshtjen, respektin, me prirjen diktatoriale të shprehur edhe në rastin e shkarkimit të ministrit të LDK-së, Agim Veliut, thjesht për shprehje të mendimit të lirë, Albin Kurti po bëhet figurë edhe më e egër në ambientin tonë politik.
Demokracia në Kosovë ka një histori normale dhe shoqëria jonë nuk mund t’i durojë shenjat diktatoriale në fillimin e dekadës së tretë të shekullit 21.
(Autori është këshilltar politik i presidentit Thaçi. Qëndrimet e shprehura janë personale.)