A bën me lind në QKUK?

A bën me lind në QKUK?

Kam kaluar nëntë muaj shtatzëni shëndosh e mirë. Për një moment, gjendja ime u përkeqësua dhe e pashë veten të shtrirë për t’iu nënshtruar anestezionit e më tej operacionit.

Ja si rrodhi ngjarja:

Për ta marrë me qetësi atë që po më ndodhte, pra një nënshtrimi urgjent të operacionit për të lindur fëmijën që prisja, vendosa të mos mërzitem shumë. Hyra në sallën e operacionit duke qeshur dhe duke bërë shaka me një ekip që përbëhej, nëse nuk gaboj prej rreth shtatë vetash. Derisa unë i isha nënshtruar një procesi që mjekësia e njifka si anestezion, po bënim llaf me ekipin. Dikur, unë kisha filluar të kaloja në një gjendje të pavetëdijshme. Ama, kam dëgjuar disa gjëra, megjithëse nën ndikimin e anestezionit.

Ja cilat janë ato gjëra:

Ekipi i mjekëve prej rreth shtatë vetave, ishte ora 15:oo dhe ende nuk kishin ngrënë asgjë. I kam dëgjuar duke thënë se nuk kanë ngrënë asgjë, për shkak të fluksit të madh të rasteve urgjente (ndoshta si unë, ndoshta më rënd, ndoshta më pak të rënda…)

Ekipi i mjekëve ma shpëtoi jetën mua dhe vajzës time. Një ekip i hareshëm, që nuk kishte ngrënë asgjë deri në ora 15:oo.

Ata po e kryenin punën me një mjeshtri të përsosur. E ndjeja këtë. I kam dëgjuar teksa flisnin për një mungesë mjeti, nuk e di ç’mjet duhet të ketë qenë. Ndoshta kushton dhjetëfish më pak se kollarja e ministrit të Shëndetësisë ai mjeti.

Më pas, kujdesi në sallën intensive të Gjinekologjisë ishte i jashtëzakonshëm. Çdo gjë ishte me rregull. Pastërtia, ishte në nivelin më të mirë të mundshëm. Nganjëherë, edhe në këtë sallë i dëgjoja se si flisnin për mungesë elementare mjetesh, ama nuk e di se si ia dilnin. Nuk e di se si ia dalin, që megjithatë, ajo mungesë të mos vërehet nga pacientët.

A bën me lind në QKUK?

Pas rreth shtatë ditësh qëndrimi në QKUK, me t’u kthyer në shtëpi, shëndosh me beben time, lexova një letër në Facebook. Një shoqe më kishte shkruar gjatë, e shqetësuar, me kryepyetjen: (Tung Dafinë) A bën me lind në QKUK?

Për të gjitha nënat e ardhshme, për të gjitha nënat e shqetësuara: po, bën me lind në QKUK. Njëmend, kam dëgjuar për luksin e komoditetin që ofrojnë spitalet private. Televizorat? Toaletet hotelerike? Burrin ta lënë me ty në spital, a po? OK.

Por ju premtoj, se dy përvojat e mia, dy lindjet e mia në QKUK, kanë kaluar shumë mirë. Ju premtoj se në QKUK ka heronj me mantilë të bardhë që s’do t’i gjeni askund. Objekti i QKUK’së nuk ka faj që e vuan funksionimin e keq të shtetit. Mantilbardhët e QKUK’së, nuk kanë faj që e vuajnë mungesën e sistemit të mirëfilltë shëndetësor. S’kanë faj që nuk ka shiringa në repartet e tyre.

Ajo se si një pacient dëgjon ekipin mjekësor që po e operon, duke folur për një ‘mjet që mungon’, le të mbetet në ndërgjegjen e atyre që kanë udhëhequr dhe udhëheqin me Shëndetësinë, nëse kanë ndonjë lloj ndërgjegje.

P.S. Këtë copë shkrim, që ngjan në lëvdatë, nuk ia kam borxh askujt, por ia dedikoj ekipit mjekësor, emrat e të cilëve nuk i di, por do t’i mësoj shpejt 😀

 

 

 

Shpërndaje në: