Bob Dylan dërgon fjalë të ngrohta, por mungon në ceremoninë e “Nobelit”

Bob Dylan dërgon fjalë të ngrohta, por mungon në ceremoninë e “Nobelit”

Siç e kishte paralajmëruar këngëtari, ai nuk shkoi atje për ta pranuar çmimin prestigjioz për letërsi, por e dërgoi një deklaratë të ngrohtë e modeste me rastin e pranimit të shpërblimit, deklaratë kjo që u lexua nga Azita Raji, ambasadori amerikan në Suedi, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e NYT.

Duke u mbështetur në William Shakespearen, të cilin Dylan e paramendon se ka qenë shumë i konsumuar nga çështjet praktike –“Si duhet inskenuar kjo”, “Ku do ta gjej një kafkë njeriu” – me të cilat ka qenë më i brengosur sesa në atë se a po bënte letërsi, Dylan në fjalimin e tij ka shkruar: “Shpeshherë jam i okupuar me ndjekjen e bindjeve të mia kreative dhe duke u marrë me të gjitha aspektet e çështjet e botës jetësore. ‘Kush janë muzikantët më të mirë për këto këngë?’, ‘A jam duke incizuar në studion e duhur?’ ‘A është kjo këngë në tastin e duhur?’ Disa gjëra nuk ndryshojnë asnjëherë, as pas 400 vjetësh”.

“Asnjëherë nuk kam pasur kohë ta pyes veten ‘A janë këngët e mia letërsi’”, ka konkluduar Dylan, 75 vjeçar. “Kështu që, e falënderoj Akademinë Suedeze që ka ndarë kohë ta shqyrtojë këtë pyetje dhe që në fund ka gjetur një përgjigje kaq të mrekullueshme”. Në fillim të ditës, kur u mbajt ceremonia, Akademia Suedeze e ka mbrojtur përzgjedhjen jotradicionale të përzgjedhjes së një muzikanti – e që duket krejtësisht një muzikanti të painteresuar – për këtë çmim letrar. (Dylan për dy javë ka qenë i heshtur pas shpalljes së çmimit në tetor për të deklaruar më vonë: ‘Isha jashtë në rrugë kur e pranova këtë lajm befasues, dhe m’u deshën më tepër sesa disa minuta për ta procesuar atë si duhet’). Në fjalimin e tij, që u lexua para më shumë se 1 mijë e 500 mysafirëve, përfshirë edhe anëtarë të familjes mbretërore suedeze, Horace Engdahl, anëtar i Komitetit të “Nobelit”, ka thënë se “nëse njerëzit e botës letrare rënkojnë, duhet t’ua kujtojmë atyre që Zotat nuk shkruajnë, ata vallëzojnë dhe këndojnë”. Fjalimi i Engdahl është shoqëruar nga Patti Smith, e cila shpalosi një pjesë të këngës së vitit 1963 të Dylanit, “A Hard Rain’s a-Gonna Fall”, por gjithashtu e ndali në gjysmë performancën duke thënë: “Më falni. Jam shumë nervoz”. Megjithatë, disa njerëz në publik u panë tek qanin, derisa ajo e përfundoi këngën, e shoqëruar nga një formacion harkor. Dylan e kishte mohuar ftesën e “Nobelit” për shkak të angazhimeve të paracaktuara. Se ku ishte këngëtari të shtunën mbrëma derisa po zhvillohej festa skandinave – që përfundoi me banketin e mbrëmjes, me paradën tradicionale të ëmbëlsirave, pas ceremonisë së mesditës – mbetet mister. Ai nuk ishte aty ku shumica mund të gjenden ditëve të sotme – në skenë – duke qenë se turneu i tij më i afërt që e kishte në agjendë kishte përfunduar para festës së Falënderimeve. Të shtunën në mëngjes, gjatë mbajtjes së ceremonisë “Nobel’, shtëpia ku mendohet se jeton Dylan kishte pranuar vizitorë, përfshirë edhe një veturë të bardhë me reklamat e shërbimit hidraulik. Megjithatë, Dylan nuk i ka përfunduar krejtësisht hesapet me Akademinë Suedeze. Për ta marrë çmimin që ka vlerën monetare rreth 870 mijë dollarë, laureatëve të çmimit “Nobel” u kërkohet të japin një ligjëratë brenda gjashtë muajve të parë pas mbajtjes së ceremonisë. Dhe megjithëse nuk ka asgjë të caktuar, brenda Akademisë ka shpresë.

“Ka shanse që Bob Dylan do të performojë në Stockholm vitin tjetër, sipas të gjitha gjasave në pranverë”, ka thënë Akademia në një njoftim, “që do të ishte rasti ideal që ai të mbajë ligjëratën e tij. Do të publikojmë informacione shtesë sapo t’i kemi”.

Shpërndaje në: