Bota e futbollit post- korona
Shkruan: Andin Lokaj për Periskopin
Ashtu siç do të ndryshojnë shumë gjëra në botë, edhe futbolli do të pësojë ndryshime drastike pas korona virusit, i cili do të zgjasë me muaj të tërë dhe aty s’ka asnjë dyshim.
Sipas të gjitha gjasave, shumë klube të vogla do të shuhen dhe niveli i ligave shtetërore evropiane do të ketë rënie drastike, andaj personalisht besoj që nuk do të ketë motiv më për zhvillimin e kampionateve shtetërore.
Do të ketë shuarje të klubeve të vogla dhe mesatare edhe në ligat elitare dhe shumë lojtarë do të mbeten në qorrsokak pa e ditur se si të veprohet.
Do të krijohet huti dhe shumë mjegull. Madje ligat e dyta dhe të treta në Evropë ka gjasa që të mos funksionojnë, apo vetëm në nivelin amator ngase humbjet do të jenë të pariparueshme.
Në krejt atë tollovi që do të krijohet në epokën post-virus, zgjidhja perfundimtare do të jetë themelimi i “Ligës Elite të Evropës” ku pjesëmarrës do të jenë vetëm gjigantët më të mëdhenj të Kontinentit të Vjetër të cilët do të mbijetojnë.
Në anën tjetër, Liga e Kombeve do të ketë gjasa shumë të mira që të fuqizohet më tepër, pra Kombëtareve më të dobëta do t’u kushtohet edhe më tepër rendësi në zhvillim.
Dhe ajo që pritet të quhet në të ardhmen revolucion i futbollit global mund të jetë Superliga e Kinës, e cila pritet të jetë ndër më të avancuarat në botë viteve të ardhshme.
Shkaku i asaj që e para kaloi katrahurën planetore, Kina do të mundohet të bëjë atë që e ka synuar me vite të tëra, të krijojë ligën më të fortë në botë pasi që në nivelin e Kombëtares nuk ka forcë.
Kina si superfuqi financiare do të tërheq lojtarët më të mirë në planet, Drejtorët më të mirë Sportiv, top menaxherët e stafet më kualitative mjekësore, kompanitë më të mëdha sponzorizuese dhe çdo gje tjetër që lidhet me ngritjen e nivelit të futbollit në piadestal.