Misteri i ‘shoferit të çrregullt të autobusit’ nga Kamenica që ‘u shëtit’ nëpër Kosovë me koronavirusin në trup
Para dy ditëve është paraqitur rasti i parë i të infektuarit me koronavirusin e ri Covid-19 në Komunën e Kamenicës. B.M (emër i njohur për redaksinë) me datë 13 mars kishte hyrë nga Gjermania në Kosovë. Mirëpo pavarësisht udhëzimeve të institucioneve për vetizolim, i njëjti një ditë nuk u gjend në shtëpinë e tij me arsyetimin se ishte në Klinikën Infektive në Prishtinë.
B.M nuk ka përfillur udhëzimet për vetizolim dhe kështu me datë 25 mars ai ka udhëtuar për në Prishtinë duke rrezikuar shëndetin publik.
Policia e Kosovës për Periskopin ka konfirmuar se personi në fjalë me datë 25 të muajit mars nga dy vizitat në orë të ndryshme që i janë bërë nuk ka qenë në shtëpi.
“Që nga data 21 mars 2020, deri me datën 27 mars 2020, personi B. M. i vetizoluar është vizituar, së paku katër herë, i njëjti gjendej në shtëpi, ai është njoftuar nga policia e Kosovës njësiti patrollues që ishin aty se duhet tu përmbahet rregullave të vet izolimit dhe në as një rrethanë nuk duhet të largohet nga shtëpia. Po me 25.03.2020, në ora 11:25, dhe në ora 18:45, është vizituar personin B. M. i njëjti deklaron se ka qenë në Prishtinë në Qendrën Infektive dhe është udhëzuar të vazhdoj të qëndroj i vet izoluar në shtëpi”, ka thënë për Periskopin Zyra për Informim e Policisë Regjionale të Gjilanit.
Policia po ashtu ka konfirmuar se i njejti ka viziturar edhe QKMF në Kamenicë.
I infektuari me koronavirus nga fshati Topanicë e Komunës së Kamenicës, ka qenë shofer në kompaninë e udhëtimeve “Maxhari Tours” gjë të cilën e ka konfirmuar kompania për Periskopin.
Përfaqësuesit e kësaj kompanie në përgjigje për Periskopin kanë thënë se në ditën kur i infektuari është futur në Kosovë nuk ka qenë duke vozitur, por në cilësinë e udhëtarit dhe se ai iështë nënshtruar kontrolleve mjekësore në kufi.
“Është e vertetë se i njëjti ka qenë shofer por jo i rregullt… vetem praktikant dhe sezonal, me datën 19 ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë, po jo me atuobus po në cilësinë e udhëtarit… po i njëjti ka bërë kontrollën e nevojshme nga mjekët në pikën kufitare, dhe me udhëzim te mjekëvë ka hyrë në vetizolim për 14 dite, masë të cilen e ka respektu”, kanë thënë nga Maxhari Tours.
Ndërkohë, Periskopi ka kontaktuar edhe Komunën e Kamenicës, të cilët kanë thënë se janë duke verifikuar për informata të tjera dhe se nuk kanë të dhëna nësë B.M nuk i ka respektuar urdhëzimet e institucioneve shëndetësore.
“Ky person ka hyrë në Kamenicë më datë 18 mars përmes pikës kufitare “Dheu i Bardhë”, ku pas kësaj edhe ka hy në karantinë. Sipas njoftimeve të policisë, i njëjti ka qenë në shtëpi gjatë vizitave që i janë bërë, por informatat e tjera jemi duke i hulumtuar për verifikim”, kanë thënë për Periskopin nga Zyra për Informim e Komunës së Kamenicës.
Gjithashtu, Komuna e Kamenicës ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për këtë situatë të pandemisë së koronavirusit.
“Ne si komunë kemi marrë të gjithë hapat e nevojshëm për menaxhimin e kësaj situate, përfshirë institucionet e sigurisë dhe atij shëndetësor. Stafi mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, është duke shërbyer edhe në kontejnerin që kemi vendosur jashtë objektit për trajtimin e simptomave të para të këtij virusi. Gjithashtu, ekipa mobile është gjatë gjithë kohës ne terren aty ku ka nevojë dhe ekipa tjetër që po qëndron në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”. Nuk duhet të mendojmë se të prekur nga ky virus janë vetëm rastet tashmë të konfirmuara, por duhet të bëjme kujdes maksimal dhe të bëhen me shumë teste”, thuhet në përgjigjet dërguar Periskopit.
Ndryshe fshati Topanicë i komunës së Kamenicës me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës është vendosur në karantinë.
Qytetari në fjalë nga Kamenica ka shqetësuar shumë qytetarë të Kosovës ndërkohë që rasti i tij mbetet i paqartë edhe për instituticionet e vendit.
Kujtojmë që deri më tani numri i të konfirmuarve si të infektuar me koronavirus është 112, prej të cilëve vetëm një i vdekur. /Periskopi/ SH.B