Albin Kurti, cyberxhemati dhe psikologjia e turmës
Për të mbajtur gjallë mitin e politikanit të pathyeshëm, Albin Kurti dëshiron ballafaqim me peshën e kundërt të kolovajzës mbi të cilën është ulur.
Ai përballë krejt botës! Përmes grupeve virtuale sektare dhe trolling, VV-ja mundohet të krijojë realitete, të cilat me çdo kusht duhet t’i përshtaten profecive të gjeniut Albin Kurti.
Ai asnjëherë nuk i përshtatet realitetit gjeopolitik që e krijon Amerika, por pret që Amerika t’i përshtatet realitetit paralel që e krijon ai!
Shkruan Artan Behrami
Hapësira e tenxhereve ishte shumë e vogël për t’i zënë krejt shpresat e thurura nga VV-ja për të zierë puçin e paqenë dhe për ta shpëtuar nga djegia Qeverinë, fillimisht e vetdorëzuar, më pas e shkarkuar.
Kur Amerika zyrtare ua rrënoi krejt piramidën e paranojave, tani shpresat i kanë futur ‘all in’ në nënklientët privatë të zëvendëskryeministrit të shkarkuar, Haki Abazi, klient i “Rockefeller Brothers”. Cyberxhemati, që synon fuqizimin e gjeniut, duke iu nënshtruar dhe përulur atij, është në kërkim të çdo zëri, qoftë ai edhe zë i izoluar, për të ruajtur gjendjen e transit dhe për t’i ushqyer halucinacionet.
Përmes grupeve virtuale sektare dhe trolling, ata mundohen të krijojnë realitete, të cilat, me çdo kusht, duhet t’i përshtaten profecive të Kurtit, duke shtypur çdo mendim tjetër të këndej botës paralele.
Kurti asnjëherë nuk i përshtatet realitetit gjeopolitik që e krijon Amerika, ai pret që Amerika t’i përshtatet realiteteve që ai i krijon.
Gjeniu, fillimisht krijon iluzionin e Kosovës së shitur, të ndarë, të humbur, të kapur, të shkatërruar, derisa detyra e papërshkruar e filozofëve, myhibëve dhe cyberxhematit është që të shndërrohen në multiplikatorë të këtij iluzioni, që më pas transformohet në hipnozë! Ata dëshirojnë të krijojnë vetëm një realitet në Kosovë – realitetin e Albin Kurtit, si një e vërtetë absolute, e patjetërsueshme dhe përfundimtare-infinite.
Kushdo që merr guximin për të kundërshtuar ‘apostullat’ dhe ‘suret’ e Albin Kurtit do të quhet antikrisht dhe shejtan! Kushdo që guxon ta kritikojë Kurtin do ta ketë ferrin e garantuar. Dhe energjia e pashtershme e Kurtit buron pikërisht këtu: nga psikologjia e masës, nga psikologjia e turmës.
Albin Kurti gjithmonë është në kërkim të mbizotërimit mbi turmën, derisa turma është në kërkim të nënshtrimit, në kërkim të udhëheqësit – të Fyrerit.
Një demagog manipulon me turmën, ku pavetëdija për veprimet e saj është shumë më e thellë sesa ndërdija racionale për ta mbështetur atë! Një turmë, e përbërë nga miliona njerëz, por që duhet të ketë vetëm një mendim – mendimin e Alin Kurtit! Energjinë ripërtëritëse Kurti e merr nga efektet e hipnozës që e prodhon vetë! Ky është cikli i mbijetesës së tij në politikë. Kurti nuk jeton nga fitoret, por nga humbjet, jo nga triumfet politike në Qeveri, por nga viktimizimi në opozitë.
Vetëm kështu mund të shpjegohet vetëdorëzimi pas qeverisjes 50-ditëshe, ku filloi numërimi teposhtë i demistifikimit të tij. Sa më shumë që do të zgjaste qëndrimi në Qeveri, aq më shumë do të binte poshtë transversalja morale që e kishte ngritur në qiell. Opozita është shtrati ku rritet dhe forcohet mistifikimi për të.
Prandaj, e braktisi dialogun Kosovë-Serbi, prandaj nuk i ktheu të pagjeturit, prandaj nuk e vendosi kufirin në Çakorr, prandaj nuk e bashkoi Kosovën me Shqipërinë, prandaj nuk e luftoi korrupsionin, prandaj nuk e zhvilloi ekonominë, prandaj nuk, nuk, nuk… Konfrontimi ideologjik me Amerikën
Për të mbajtur gjallë mitin e politikanit me kurriz të pathyeshëm, Kurti dëshiron ballafaqim me peshën e kundërt të kolovajzës mbi të cilën është ulur.
Në njërën anë Albin Kurti, në anën tjetër krejt bota. Prishja me LDK-në e përmbyll ciklin e hasmërisë me të gjitha partitë politike në Kosovë, duke u açikuar nga të tjerët, duke krijuar ndarjen iluzionare ndërmjet të mirës dhe së keqes, të bardhës dhe të zezës.
Ky është përfytyrimi, ky është këndvështrimi qysh ai sheh gjithçka që e rrethon. Ai mendon se është gjithmonë në gjendje që përmes retorikës me efekt të hajmalisë, përmes aftësisë së një magjistari të relativizojë çdo gjë, të zhdukë çdo pengesë dhe të nxjerrë nga sheshiri lepurin sa herë që i duhet!
Pra, përveç gjeniut, magjistarit dhe manipulatorit, Kurtit këto ditë iu patentua edhe epiteti i mashtruesit. Ambasadori amerikan, Richard Grenell, e vërtetoi se Kurti e kishte gënjyer në sy se do ta largonte taksën 100%. Përmes këtij triku, Kurti arriti t’i bind amerikanët e Trumpit se do të jetë bashkëpunues me ta.
Derisa amerikanët e Bidenit i gënjeu se Kosova do të shndërrohet në ferr, në dështim të politikës së Jashtme të Trumpit! Prandaj, reagimet e administratës Trump, por edhe të demokratëve të vjetër këto ditë, ishin në funksion të kësaj gënjeshtre.
Pasi në mbi 10 mijë metra katrorë nuk i ka mbetur kush që nuk është konfrontuar me të, ai i kaloi kufijtë shtetërorë për t’u kacafytur me Amerikën. Sa më të mëdhenj janë kundërshtarët dhe polarizimi me ta, aq më i fuqishëm do të jetë legjendarizimi dhe mistifikimi për të! Por, përveç kësaj, kundërshtimi ndaj Amerikës nuk është pozicion politik. Në të vërtetë është vetëm reflektim ideologjik.
Një ideologji, ku Amerika portretizohet si imperialiste dhe ku miqësia me shtetin që e çliroi dhe e pavarësoi Kosovën, nuk është më e përjetshme, por i ka ditët e numëruara. Lëvizja Vetëvendosje dhe filozofët e saj, tash e dy dekada, po mundohen të etablojnë një ideologji të tillë në Kosovë.
Prandaj, lista e amerikanëve që Kurti i ka kundërshtuar është e gjatë sa këtu e në Shkup! Po të ishte sot president i SHBA-së edhe Bill Clintoni, qëndrimi i kryeministrit të shkarkuar, Kurti, do të ishte saktësisht i njëjtë me qëndrimin e sotshëm që e ka kundër Trumpit.
Në vitin 1999, Kurti i doli kundër presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, sekretares Madeleine Albright, ambasadorëve Richard Holbrooke dhe Christopher Hill! Gjatë viteve 2006, 2007 dhe 2008, Kurti, përmes protestave të dhunshme, i shpalli tradhtarë të gjithë anëtarët e delegacionit, pjesëmarrës në negociatat për statusin e Kosovës.
Ai doli hapur kundër presidentit George W. Bush, kundër sekretares Condoleezza Rice dhe kundër ambasadorit Frank Wisner, i cili ishte i dërguar i Amerikës në negociata. Por, nga viti 2014 deri në vitin 2016 filloi edhe konfrontimi direkt i Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai doli kundër presidentit Obama, kundër mikut të madh të Kosovës, Joe Biden-zëvendëspresident, kundër John Kerrryt-Sekretar i Shtetit.
Kurti ishte në konflikt me 10 ambasadorë amerikanë, të cilët në periudha të ndryshme përfaqësonin Amerikën në Kosovë. Madje, ambasadores Tracey Ann Jacobson i kishin shkaktuar edhe lëndime fizike. Engel vs Haki Abazifeller Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, është proaamerikan vetëm me ata të cilët e ndajnë mendimin e tij.
Të gjithë të tjerët i konsideron imperialistë! Dhe, në mesin e 327 milionë amerikanëve, sigurisht që do të gjejë njerëz të tillë. Megjithatë, kongresmeni Eliot Engel nuk është në mesin e tyre. Engeli, si pak personalitete në Amerikë, ka konsistencë në mbrojtjen e Kosovës.
Kritikat e tij, me vend dhe pa vend, duhet të respektohen. Por, Albin Kurti dhe VV-ja, tash e 20 vjet, në çdo ditë të aktivitetit të tyre kanë qenë kundër angazhimit të kongresmentit Engel. Edhe pse në historinë amerikane, kongresmenet dhe senatorët, të cilët nuk e kanë mbi vete barrën e pushtetit dhe përgjegjësisë, shpeshherë kanë dalë kundër vendimeve të Administratës amerikane. Fundja, kjo është pjesë e përshkrimit të punës së një kongresmeni.
Në fund të muajit prill të vitit 1999, nja 26 kongresmenë të partisë së presidentit Bill Clinton, kolegë të Eliot Engel, kishin votuar kundër intervenimit amerikan në Kosovë, në kuadër të NATO-s. Pjesa tjetër është histori! Por, edhe në atë kohë, njëjtë si sot, besimi te presidenti dhe Administrata amerikane ka qenë shumë më i madh sesa ndaj kongresmenëve dhe senatorëtëve, të cilët shpeshherë udhëhiqen nga interesi për të forcuar partinë që e përfaqësojnë.
Por, krejt ndryshe janë nënklientët e zëvendëskryeministrit në dorëheqje, Haki Abazi. Ata, tash e një kohë, janë duke i legjitimuar paranojat dhe profecitë apokaliptike të Kurtit se në Shtëpinë e Bardhë tashmë është një marrëveshje që e ndan Kosovën dhe e shpërblen Serbinë.
Profesorët Daniel Serwer dhe Eduard Joseph, dikur të paguar nga “Rockefeller Brothers”, janë ndër amerikanët e rrallë që bëjnë thirrje të mos i besohet Amerikës, por t’u besohet atyre! Dëshirën legjitime të këtyre profesorëve për dështimin e presidentit Trump në arenën ndërkombëtare është duke e materializuar Abazi përmes mediave në Kosovë, të paguara me miliona, tash e një dekadë.
Abazi është duke u munduar që t’i shfrytëzojë ata dhe grupet virtuale sektare për të përhapur iluzionin se Administrata Trump është kundër Kosovës, se është pro serbe, derisa kushdo që bashkëpunon me Amerikën e tradhton Kosovën!
Por, shqiptarët gjithmonë shpresat i kanë vendosur te Administrata amerikane, jo te individët e as te senatorët dhe kongresmenët. Me këtë logjikë, Rugova, Thaçi dhe të tjerët nuk do të duhej t’i besonin Clinton, por qindra kongresmenëve, të cilët në prill të vitit 1999 votuan kundër intervenimit të NATO-s në Kosovë. T’u besonin më shumë profesorëve, analistëve, senatorëve dhe kongresistëve, të cilët në vitin 2008 ishin kundër pavarësisë së Kosovës, sesa presidentit Bush.
Në këto momente historike, Kosova nuk ka kohë për eksperimente që garantojnë vetëm status-quo, por duhet ta përdorim ilaçin, i cili gjithmonë ka funksionuar. Marrëdhëniet me Amerikën – ekzistenciale për Kosovën
Në situata të rrezikut, të izolimit, të mungesës së perspektivës dhe të sigurisë qytetarët e Kosovës natyrshëm shikojnë kah Amerika. Është reaksion i natyrshëm gjenetik! Është e vetmja adresë politike, e cila mund t’i përballojë, të paktën në ndërdijen tonë, sfidat para të cilave gjendemi.
Prandaj, Kosova duhet të hyjë në proces të dialogut Kosovë-Serbi, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova, me një pjesëmarrje unifikuese, si në Rambuje dhe Vjenë, do të ketë dhjetëra mundësi që mos ta nënshkruajë një marrëveshje të keqe.
Ka dhjetëra mundësi për të parandaluar që një marrëveshje e tillë mos të vijë fare në Parlament. Ka dhjetëra mundësi për të dalë nga procesi sa herë që mendohet se interesat e Kosovës po cenohen. Por, mos hyrja në proces, përveçqë është ndjenjë e frikës dhe e dorëzimit, është njëkohësisht edhe braktisje e SHBA-së si partner përcaktues për ekzistencën e Kosovës. Por, shkuarja e Kosovës në Uashington, nuk është dhe as që duhet të jetë qëllim për të dështuar. Kosova duhet të shkojë atje për të fituar sërish, për t’u bërë pjesë e sistemit ndërkombëtar dhe anëtare e OKB-së.
(Autori është këshilltar politik i presidentit Thaçi. Qëndrimet e shprehura janë personale)