Shtatë mësime nga Koronaviriusi. Analiza e Ivan Krastev
Nga Ivan Krastev
“Sa kohë të çuditshme po jetojmë”, më shkruante dje një miku im spanjoll. Dhe të çuditshme janë vërtet. Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë pandemia Covid-19; nuk e dimë si do të përfundojë; dhe, për momentin, ne vetëm mund të spekulojmë për ndikimin e saj afatgjatë, politik dhe ekonomik. Në një kohë krize, ne jemi të infektuar nga pasiguria. Por ka të paktën shtatë gjëra që e bëjnë këtë krizë, shumë të ndryshme nga ato të mëparshmet.
Mësimi i parë është se, ndryshe nga kriza financiare e viteve 2008-2009, koronavirusi do të imponojë kthimin e Big Government (qeverisë së fortë). Pas rënies së Lehman Brothers, shumë vëzhgues besuan se mosbesimi tek tregu që shkaktoi kriza, do të çonte në një besim më të madh tek qeveria. Ky koncept nuk ishte asgjë e re: në vitin 1929, pas fillimit të Depresionit të Madh, njerëzit kërkuan ndërhyrje të fortë të qeverisë për të kompensuar dështimet e tregut. Në vitet 1970, ndodhi e anasjellta: njerëzit ishin të zhgënjyer nga ndërhyrja e qeverisë, kështu që filluan të besojnë përsëri tek tregu. Paradoksi i vitit 2008-2009 është se mosbesimi në treg nuk çoi në kërkesën për ndërhyrje më të madhe të qeverisë. Tani, koronavirusi do ta rikthejë fort qeverinë. Njerëzit mbështeten tek qeveria për të organizuar një mbrojtje kolektive kundër pandemisë, dhe ata mbështeten tek qeveria për të shpëtuar një ekonomi që po fundoset. Efektiviteti i qeverive tani matet nga aftësia e tyre për të ndryshuar sjelljen e përditshme të njerëzve.
Mësimi i dytë është që koronavirusi ofron një tjetër demonstrim të mistikës së kufijve, dhe do të ndihmojë në rishfaqjen e rolit të shtetit-komb brenda Bashkimit Evropian. Dikush mund ta shohë tashmë këtë gjë, në mbylljen e shumë prej kufijve midis shteteve – dhe në faktin se çdo qeveri në Evropë është përqëndruar tek populli i vet. Në rrethana normale, shtetet anëtare nuk do të bënin asnjë dallim midis kombësive të pacientëve në sistemin e tyre shëndetësor, por, në këtë krizë, ata ka të ngjarë t’u japin përparësi të shtetasve të tyre mbi të tjerët (nuk flas këtu për emigrantët nga rajone të tjera, por evropianët me pasaporta të BE-së). Prandaj, koronavirusi do të forcojë nacionalizmin, megjithëse jo nacionalizmin etnik. Për të mbijetuar, qeveria do t’u kërkojë qytetarëve të ngrenë mure jo vetëm midis shteteve, por midis individëve, pasi rreziku i infektimit vjen nga njerëzit që takohen më shpesh. Nuk është i huaji por ata më pranë jush, që paraqesin rrezikun më të madh.
Mësimi i tretë i koronavirusit lidhet me besimin tek ekspertiza. Kriza financiare dhe kriza e refugjatëve në vitin 2015 krijuan një pakënaqësi të madhe tek ekspertët. Kjo tendencë, e cila ka qenë një nga sukseset kryesore të politikanëve populistë në dhjetë vitet e fundit, do të zhbëhet nga koronavirusi. Shumica e njerëzve janë shumë të hapur për t’u besuar ekspertëve dhe t’i kushtojnë vëmendje shkencës, kur jeta e tyre është në rrezik. Dikush mund të vërejë legjitimitetin në rritje që kjo u ka dhënë profesionistëve që udhëheqin luftën kundër virusit. Profesionalizmi është rikthyer në modë.
Mësimi i katërt është i hapur për interpretim, por megjithatë shumë i rëndësishëm. Fatkeqësisht, koronavirusi mund të rrisë joshjen prej autoritarizmit të Big Data, që janë përdorur aq shumë në këtë krizë nga qeveria kineze. Dikush mund të fajësojë udhëheqësit kinezë për mungesën e transparencës që i bëri ata të reagojnë ngadalë ndaj përhapjes së virusit, por efikasiteti i reagimit të tyre dhe aftësia e shtetit kinez për të kontrolluar lëvizjen dhe sjelljen e njerëzve, kanë qenë mbresëlënëse. Në krizën aktuale, qytetarët krahasojnë vazhdimisht përgjigjet dhe efektivitetin e qeverive të tyre me ato të qeverive të tjera. Dhe nuk duhet të çuditemi nëse, një ditë pas krizës, Kina duket si një fituese dhe Shtetet e Bashkuara duken si humbëse.
Mësimi i pestë ka të bëjë me menaxhimin e krizave. Ajo që mësuan qeveritë në trajtimin e krizave ekonomike, krizës së refugjatëve dhe sulmeve terroriste, ishte se paniku ishte armiku i tyre më i keq. Nëse, për muaj të tërë pas një sulmi terrorist, njerëzit ndryshonin sjelljen e tyre të përditshme dhe nuk largoheshin nga shtëpitë, kjo do t’i ndihmonte terroristët të arrinin qëllimet e tyre. E njëjta gjë ishte e vërtetë në vitet 2008-2009: një ndryshim në sjellje shpesh rriti kostot e krizës. Kështu, udhëheqësit dhe qytetarët u përgjigjën me mesazhe për të “ruajtur qetësinë”, “vazhduar me jetën”, “injoruar rrezikun” dhe “mos tepruar”. Tani, qeveritë duhet t’u tregojnë qytetarëve që të ndryshojnë sjelljen e tyre, duke qëndruar në shtëpi. Suksesi i qeverive në këtë gjë, varet shumë nga aftësia e tyre për të trembur njerëzit të bëjnë siç udhëzohen. “Mos u frikëso” është mesazhi i gabuar për krizën e Covid-19. Për të frenuar pandeminë, njerëzit duhet të panikosen – dhe ata duhet të ndryshojnë në mënyrë drastike mënyrën e të jetuarit.
Mësimi i gjashtë është se kriza Covid-19 do të ketë një ndikim të fortë në dinamikën e brezave. Në kontekstin e debateve për ndryshimin e klimës dhe rrezikun që ai paraqet, brezat e rinj kanë qenë shumë kritikë ndaj të moshuarve, duke i akuzuar se kanë qenë egoistë dhe nuk kanë menduar seriozisht për të ardhmen. Koronavirusi e anulon këto dinamikë: tani, anëtarët e moshuar të shoqërisë janë shumë më të prekshëm dhe ndjehen të kërcënuar nga mosgatishmëria e dukshme e të lindurve në fillimin e mijëvjeçarit, për të ndryshuar mënyrën e tyre të jetesës. Ky konflikt ndërbreznor mund të intensifikohet nëse kriza zgjat për një kohë të gjatë.
Mësimi i shtatë është se, në një pikë të caktuar, qeveritë do të detyrohen të zgjedhin ndërmjet frenimit së përhapjes së pandemisë me koston e shkatërrimit të ekonomisë, ose tolerimit të një kostoje më të lartë njerëzore, për të shpëtuar ekonominë.
Ende jemi shumë herët për të spekuluar mbi ndikimin politik të Covid-19. Kriza ka justifikuar frikën e anti-globalistëve: aeroportet e mbyllura dhe individët e izoluar duket se janë “ground zero” të globalizimit. Por, në mënyrë paradoksale, ky moment i ri anti-globalist mund të dobësojë aktorët politikë populistë, të cilët, edhe kur kanë të drejtë, nuk kanë zgjidhje. Kriza e Covid-19 gjithashtu do të riformulojë në mënyrë dramatike reagimin e BE ndaj të gjitha krizave të tjera me të cilat është përballur në dekadën e fundit. Disiplina fiskale nuk është më mantra ekonomike as edhe në Berlin, dhe nuk ka asnjë qeveri evropiane që, në këtë moment, dëshiron të mbrojë hapjen e kufijve për refugjatët.
Mbetet të shihet se si saktësisht kriza do të ndikojë në të ardhmen e projektit Evropian. Por është e qartë se, në fund të fundit, koronavirusi do të vërë në dyshim disa nga supozimet themelore mbi të cilat është themeluar BE-ja. / Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë – Bota.al