Kur midis pandemisë të vret endemia politike
Kosova po shtrëngohej para dallgëve pandemike të koronavirusit që po përplaseshin brenda kufijve të saj. Uniteti shoqëror dhe politik dukej i imponueshëm dhe i domosdoshëm nëse jo i natyrshëm.
Para kërcënimit enorm shëndetësor (më vonë edhe ekonomik), hatërmbetjet dhe hidhërimet rrëzoheshin në vend të dytë – aq sa të bëhej qejfi t’i shihje Thaçin e Kurtin bashkë. Shumëfishimi radikal i çmimeve dhe blerjet e pakonsideratë të panikut ishin pasqyrë e anës së keqe të njerëzimit, mirëpo prapë në fund të duhej përbashkimi që të dilej nga katandisja prej koronavirusit.
Kur presidenti propozoi shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, e përshëndeta këtë gjë duke e pandehur se nuk do të ndodhte, mirëpo me shpresën se kjo do ta aktivizonte qeverinë Kurti që t’i ashpërsonte masat ndaj një mase qytetarësh që nuk po e respektonin karantinën dhe distancimin social.
Gabimi im këtu ndaj Thaçit ishte se mendova me parimet e mia dhe jo me trurin e tij, duke e harruar etjen e pashueshme të tij për bajraktarizëm, vëmendje, lavd e pushtet.
Këtu ndodhi çarja e parë.
Dhe pastaj pasoi veprimi i Kurtit. Në kokën e tii u futa me kohë. Ai e dinte se shkarkimi i Agim Veliut shkakton rënien e qeverisë dhe shkoi tutje duke e ekzekutuar këtë gjë. Pavarësisht shfajësimit të tij nga miqtë e vet mendimtarë, marrë parasysh situatën me pandeminë, këmbëngulja dhe kokëfortësia e tij sokratike është e papranueshme në këso rrethanash. Këtë po e harron ai: që ai e ka zgjedhur politikën para filozofisë andaj prej tij kërkojmë sagacitet dhe praktikalitet politik dhe jo veç derse poetike e veprime romantike ku ai e arrin simpatinë e masës – pra del me fitoren individuale të heroit tragjik në tragjedinë e një populli të tërë.
Dhe në fund, LDK-ja (apo kupola senile e saj) që inercionin dhe qyqarinë e vet e shet për institucionalizëm, zgjedh t’ia shprehë dashurinë Amerikës (ose ndoshta Thaçit) në kohën kur vet Amerika jonë e dashur po përballet me pandeminë që e ka kapërthyer krejt planetin.
Për opozitën nuk po lodh kokën të flas.
Për fund, të mendosh që në këtë breshëri lajmesh globale me fokus gati-absolut te koronavirusi, do të flasësh për probleme infantile politike të Kosovës është fyese për ty si gazetar, si qytetar, si qenie njerëzore. Sepse, në rrethanat aktuale nuk ka fare rëndësi se kush ka faj më pak apo më shumë. Para kolapsit potencial shëndetësor dhe qesatit pasues ekonomik, tema kryesore në vendin tonë është shpartallimi politik – një njollë kjo e pashlyeshme e historisë tonë. Midis pandemisë së koronavirusit, populli ynë po rrezikohet seriozisht nga endemia politike – ai ka mbetur i braktisur, i batërduar, i parrugë.