Si të ushqehemi në këtë kohë izolimi?
Nuk kanë qenë të paktë ata të cilët gjatë kësaj periudhe iu janë drejtuar farmacive për të blerë Vitaminë C.
Por siç bën me dije edhe dietologia Enkeleida Ferrollari është e udhës që marrja e saj të bëhet nëpërmjet ushqimeve të cilat janë të pasura me Vitamin C si portokalli, limoni, mandarina apo kivi.
Sipas dietologes, sasia e vitaminës C, që përmbajnë agrumet mund të jetë e mjaftueshme për nevojat ditore. Sa u takon atyre që iu janë drejtuar farmacive, Ferrollari ka këtë përgjigje.
“Mënyra më e mirë për të marrë vitaminën C është nëpërmjet ushqimit. Në rastet e kequshqyerjes mund të merret në formën e suplementeve, por me rekomandimin e mjekut. Marrja me tepri e vitaminës C shkakton shfaqjen e radikaleve të lira të cilat janë shumë të dëmshme për indet dhe qelizat, si dhe mund të shkaktojë gur në veshka për shkak se vitamina C eleminohet nëpërmjet veshkave në formën e oksalateve”.
Kryefjala e këtyre ditëve padiskutim është koronavirusi dhe shqetësimi më i madh që të gjithë kem sot kur gjendemi “të ngujuar” në shtëpi është si mund të mbrohemi nga ky virus.
Sa e rëndësishme është mënyra sesi ushqehemi dhe cilat janë sugjerimet tuaja për të rritur imunitetin?
Një sistem i fortë imunitar bën që të përballojmë më mirë virozat. Ushqimi është një element shumë i rëndësishëm për forcimin e sistemit imunitar. Një ushqim i shëndetshëm dhe i pasur me elementë makro dhe mikro ushqyes bën të mundur që të kemi një sistem imunitar të fortë. Duhet të ndjekim një dietë të ekulibruar duke marrë sasinë e nevojshme të karbohidrateve 55% – 60% të kalorive ditore. Karbohidratet duhet të jenë në formën e drithërave, makarona, orizi, buka e zezë, patate, etj.
Proteinat janë elementë shumë të rëndësishëm për imunitetin. Burim i proteinave mund të jenë mishi i kuq pa dhjamë (1 herë në javë), mishi i pulës (1-2 herë në javë), peshku (2 herë në javë), bulmetrat si qumështi, kosi, djathi, 3 racione në ditë).
Ndërsa, yndyrnat duhet të jenë të kontrolluara.
Çfarë rekomandohet që të shmanget?
Yndyrnat shtazore ndikojnë në lidhjen dhe dobësimin e sistemit imunitar. Duhet të eleminojmë mishin me dhjam, sallamrat, proshutrat me dhjamë si dhe të gjitha ushqimet e përpunuara. Frutat dhe zarzavatet e stinës duhet t’i kemi pjesë së menusë së çdo vakti 5 racione në ditë. Frutat dhe zarzavatet janë burim i vitaminave, kripërave minerale, elementëve antioksidantë dhe fibrave. Fokusi është vënë edhe tek vitamina C. Madje nuk kanë qenë të paktë ata të cilët u janë drejtuar farmacive.
A është e mjaftushme marrja e saj nëpërmjet ushqimeve apo nevojiten suplemente të tjera shtesë?
Vitamin C është një antioksidant shumë i mirë dhe një elementë i rëndësishëm për forcimin e sistemit imunitar. Vitaminën C e gjejmë tek të gjitha zarzavatet si dhe tek agrumet.
Nëse ndjekim një dietë të ekulibruar të pasur me fruta dhe zarzavatet është e pamundur të kemi mungesa të vitaminës C në organizëm. Agrumet kanë sasira të konsiderueshme të vitaminës C. Sasia e vitaminës C që përmban portokalli, limoni, mandarina, kivi, etj, mund të jetë e mjaftueshme për nevojat ditore të vitaminës C.
Mënyra më e mirë për të marrë vitaminën C është nëpërmjet ushqimit. Në rastet e kequshqyerjes mund të merret në formën e suplementeve, por me rekomandimin e mjekut. Marrja me tepri e vitaminës C shkakton shfaqjen e radikaleve të lira të cilat janë shumë të dëmshme për indet dhe qelizat, si dhe mund të shkaktojë gur në veshka për shkak se vitamina C eleminohet nëpërmjet veshkave në formën e oksalateve.
Së fundmi, po roli i vitaminës D në organizëm cili është, sepse kemi dëgjuar të thuhet që është po ashtu e rëndësishme?
Përveç vitaminës C, një element i rëndësishëm për forcimin e sistemit imunitar është vitamina D. Vitaminën D e gjejmë tek veza, salmon, sardelja, peshku ton, etj. Gjithashtu ekspozimi në diell është një mundësi shumë e mirë që ndihmon në sintetizimin e vitaminës D. Nëse e marrim në formën e suplementit duhet gjithnjë t’i marrim më rekomandimin e mjekut.
Gjithashtu në forcimit imunitar ruajnë një rol të madh edhe vitamin A dhe vitaminat e grupit B. Vitaminën dhe ato të grupit B kryesisht atë B12, i gjejmë ekskluzivisht tek produktet shtazore, si mishi, peshku, pula, bulmetrat, veza, etj.