Kjo është pasuria e Dua Lipës

Kjo është pasuria e Dua Lipës

Ajo është një prej yjeve më të suksesshme të momentit. Pamja dhe zëri i saj unik kanë arritur që gjatë këtyre vjetëve të fundit, ta pozicionojnë në maje të top-listave muzikore anembanë botës dhe baza e adhuruesve të Lipës është ndër më aktivet në industri.

Edhe pse përgjatë vjetëve kishte bërë punë të ndryshme, si modele dhe mikpritëse restorantesh, në vitin 2017, ajo arriti të bëhet e famshme ndërkombëtarisht me lansimin e hitit të padiskutueshëm, “New Rules”.

Lipa, po ashtu shquhet për këngët “Be The One”, “One Kiss”, “Hotter than Hell” dhe të tjerë, që ishin pjesë e albumit të saj debutues.

Pavarësisht se këngëtarja nuk e ndjekë stilin e zakonshëm jetësor të një pop ylli, sërish ajo ka arritur ta vërtetojë se i ka të gjitha tiparet për të qëndruar në maje të industrisë së muzikës.

Dua Lipa u lind në vitin 1995 në Londër. Prindërit e saj janë nga Kosova, por të cilët ishin zhvendosur në Britani të Madhe, tri vjet para lindjes së këngëtares. Duke qenë se babai i saj, Dukagjin Lipa, ishte një këngëtar i suksesshëm në vendlindje, Dua qysh në moshë të re ishte rrethuar me muzike, duke e trashëguar nga I ati dashurinë dhe talentin për të kënduar.

Si tinejxhere, Lipa kishte filluar të këndojë ‘covera’ të artistëve të famshëm si, Pink dhe Nelly Furtado. Dhe me ëndrrën për t’u bërë një këngëtare e suksesshme, Lipa kishte filluar të merrej me modelizëm, me qëllim që të depërtojë në industrinë e showbizit dhe kështu të fitojë famë botërore.

Suksesin më të madh në karrierë, Lipa e arriti me këngën “New Rules” me të cilën edhe depërtoi në tregun amerikan të muzikës. Deri më tani, ky hit i numëron më shumë se 2 miliardë klikime në Youtube dhe vazhdon të dëgjohet kudo në botë, edhe sot. Që nga publikimi i këtij videoprojekti, Dua duket se nuk e ka ndërmend të ndalet dhe fama e saj vetëm sa vazhdon të rritet.

Por, sa është pasuria e këngëtares kosovaro-britanike?

Dua Lipa sapo ka filluar ta eksplorojë potencialin e famës së saj, dhe nuk ka fare dyshim se e pret një karrierë e suksesshme në të ardhmen. Pop ylli i muzikës tashmë e posedon një pasuri impresionuese, që besohet të jetë rreth 3 milionë dollarë. Edhe pse sipas disa burimeve të këngëtares, besohet se pasuria e Lipës e kap shifrën prej 6 milionë dollarësh, transmeton Koha.net.

Pavarësisht shumës së saktë, kjo konsiderohet një pasuri e mahnitshme për një këngëtare 25-vjeçare.

Është e qartë se me rritjen e famës dhe sukseseve të saj, do të shtohet edhe pasuria e këngëtares.

Shpërndaje në: