Reciprociteti?!

Reciprociteti?!

Formulimi i përgjegjes së Kryeminstrit Albin Kurti ndaj kërkesave të ndërmjetësve amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi, shpresojmë mos të ketë përfshirë qëndrimin e vetëkuptueshëm të opinionit të brengosur që e kishte krijuar në opozitarizëm.

Spektri politik kosovar i është nënshtruar një dinamike të re diplomatike që kanë ndërmarrë të emëruarit e presidentit Trump. Mbase jo vetëm me takime kurtoaze për rifillim të dialogut eventual mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe me nënshkrimin e marrëveshjes së radhës të paralajmëruar tashmë nga ambasadori Grenell.

Në gjithë këtë përshpejtim të procesit që filluan ndërmjetësuesit amerikanë diplomacia evropiane ka mbetur në vendnumërim deklarativ që mund të mbahet vetëm për skemat aspak efektive të mënyres së saj të udhëheqjes së dialogut që e kemi pa tashmë një dekadë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ata dërguan nga Munichu vetëm një mesazh, në shikim më konkret, nga presidenti Macron i cili në takimin me Presidentitin e Kosovës Hashim Thaçi, kërkoi nga pala kosovare heqjen e takses dhe njëherit nga Serbia ‘pezullimin për ç‘njohje’ për të ecë para në rinisjen e dialogut në një samit në Paris.

Krahasuar me ndërmarrjet konkrete dhe dinamike të palës amerikane në këtë dialog mesazhi i BE-së pa dyshim mbetet i hijezuar dhe pa ndonjë efekt të dukshëm. Ndërmjetësit amerikanë tashmë është evidente se janë shumë të vendosur, jo vetëm për rinisje të ndonjë dialogu të stërgjatur në pafundësi, por, një dialogu që do kurorëzohej me ‘një marrëveshje gjithpërfshirëse’, me faza konkrete të realizimit dhe implementimit nga të dyja palët, gjë që me ndërmjetësimin e BE nuk është arritur as pas një dekade bisedimesh.

Së paku kjo u bë e qartë me marrëveshjet me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, akoma pa rifilluar bisedimet e ndërprera mes Kosovës dhe Serbisë.

Përgjigja e vetëkuptueshme?

Tanimë me ndërmjetësimin amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi është krijuar një kontekst krejtësisht i ri; kemi një zhvendosje të plotë në binarë të tjerë bisedimet e deritashme. Konteksti i ri i krijuar përkon njëkohësisht me procese shumë më dinamike dhe vendimarrje efektive.

Ky kontekst i ri e la në hije shumë shpejt shkëlqimin e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Konferencën e Munich-ut. Aty ai u ballafaqua me një refuzim të prerë nga pala amerikane që të takohen me të. Arsyeja e thjeshtë: mos heqja e taksës. Për më shumë, kërkesa akoma edhe më e rëndë për kryeministrin e ri, as vendosje e reciprocitetit! Kjo përbën një sfidë të re për kryeministrin e ri.

Që nga ligjerimi i lirë opozitar qëndrimi i tij duhet të implementohet në kontekstin politik për të cilin mbanë përgjegjësi për vendin, raportet me SHBA dhe natyrisht për procesin e përmbylljes së shtetndërtimit të Kosovës që ka mbetë peng për shkak të mos arritjes së ndonjë marrëveshjeje me Serbinë. Kapja për argumentet me të cilat qetëson opinionet edhe ashtu të shqetësuara nga ligjerimet opozitare tanimë nuk përkon me kontekstin e ri. Në deklarimin e tij kryeministri i ri ende nuk duket të jetë liruar nga kjo formë e ligjerimit. Kjo për arsye që akoma nuk ka dalë me një përgjegje të formësuar qartë nga përgjegjësitë e tij si kryeministër, kur është fjala për kërkesat e SHBA-ve që po i drejtohen Kosovës.

Radhitja e pyetjeve që janë bërë pjesë e një opinioni ‘politikisht të iluminuar’, politikisht të brengosur për kërkesat e ndërmjetësve të SHBA-ve, shpresojmë të mos jenë të përfshira në formulimin e përgjegjes së tij ndaj tyre. Cili është kuptimi që Kryeministri Albin Kurti të shtroj pyetje të ngjajshme si: a është e drejtë kërkesa për heqjen e taksës? A është e drejtë që Kosovës po i bëhet trysni e madhe me këtë kërkesë? A duhet Kosova të vendosë reciprocitet me Serbinë që nuk e ka njohur ate? A duhet Kosova të mbrojë dinjitetin e saj? Pyetjet si këto imponojnë përgjegje të thjeshtë: Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të tregojë vendosmëri dhe si me vetëkuptueshmëri na del përgjegja. Reciprociteti! Kjo edhe është përgjegje në pajtueshmëri me pritjet e opinionit tonë edhe ashtu sipërfaqësor. Po kërkesa e palës amerikane? Po sikur të mendojmë në vijën argumentuese të pales amerikane? Po të hyjmë në bisedime pa taksë dhe pa vendosje të reciprocitetit?

Përgjigja e kuptueshme

Në këtë kontekst do ta përmend një marrëveshje për arsim të arritur mes presidentit Rugova dhe presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq. Kjo marrëveshje ishte arritur me ndërmjetësimin e Sant’Edigios së Vatikanit dhe natyrisht me insistimin edhe të amerikanëve. Në atë marrëveshje ishte nënshkruar Presidenti i Republikes së Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe Dr. Ibrahim Rugova.

Pra ishte nënshkruar një dokument për arsimin kosovar dhe ku nënshkrimi i Presidentiti Rugova ishte pa cilësimin e duhur gjë që shprehte një mosnjohje të dukshme të projektit të Kosovës si Republikë e Pavarur. Dhe këtu kishte filluar gjithë artileria e kritikave të drejtohet kah presidenti Ibrahim Rugova që ka pranuar diçka të tillë. Dhe natyrisht këto kritika vinin nga, ta quajmë ashtu, opinioni i brengosur, sikurse të gjitha kritikat që do të drejtohen më vonë ndaj presidentit Hashim Thaçi për gatishmërinë e tij që të hyjë në dialog me Serbinë pa kushte. Ky opinion i brengosur që tashmë deri vonë e kishte udhërrëfyesin e tij edhe tek opozitari i asokohshëmi Albin Kurti, ka vetëm një problem të thjeshtë; ai nuk di të orientojë logjiken e tij kah ajo që është vërtetë qenësore në këto procese të ndijshme politike. Sepse vetëm me qëndrim të balansuar mund të evitojmë pasojat vetëshkatërruese të logjikes së opinionit të brengosur.

Kam ende të freskët kujtimin kur asokohe profesor Fehmi Agani për marrëveshjen e arsimit mes Rugoves dhe Millosheviqit kishte qëndrim krejtësisht të kundërt me opinionin e brengosur, logjika e të ciit tregonte mangësi evidente. Pyetja nuk i duhej shtruar Ibrahim Rugoves pse është nënshkruar në atë dokument pa cilësimin e tij si President i Republikës së Kosovës, por pyetja duhej drejtuar kah Presidenti i Republikës së Serbisë Sllobodan Millosheviq: pse ai si President i një shteti nënshkruhet në një dokument me një qytetar të thjeshtë? Pse ai ka degraduar isntitucionin presidencial serb për të vënë nëshkrim me një qytetar të thjeshtë të shtetit të tij, siç pretendonte Serbia? E njëjta logjikë vlente edhe për Presidentin Hashim Thaçi. Opinioni i brengosur pjesë e të cilit ishte pa asnjë dyshim edhe vet VV e edhe kryetari i saj, kishte gabuar adresën për kritikat e tij. Nuk duhej drejtuar Presidentit Hashim Thaçi pyetje pse ka hy në dialog më Vuçiqin që nuk e njeh Kosovën. Pyetja e logjikshme është pse Vuçiqi që nuk e njeh Kosovën pranon të takohet dhe të hyjë në bisedime me Presidentin Hashim Thaçi.
Mungesa evidente e qëndrueshmerisë dhe validitetit e logjikës së opinionit të brengosur shpresojmë të brengosë vet kryeministrin dhe të hapet për këndvështrime të tjera që ia mundësojnë kryerjen e detyrave në përputhje me përgjegjësitë që ka. Pra të futet në vijën logjike të kërkesave të ndërmjetësve amerikanë dhe të vazhdojë rrugën për atje ku do duhej – në njohjen edhe formale të Kosovës nga ana e Serbisë.

Shpërndaje në: