A ka ardhur koha t’i ndajmë rrugët me SBAShK-un?
Edhe pse me kohë e kemi mësuar se SBAShK-u më shumë i ngjan një partie politike, madje jo të atyre që dolën nga pluralizmi politik, por të atyre që dolën nga “MANIFESTI I PARTISË KOMUNISTE”. Ajo na e riktheu kohen e diferencimeve dhe kujtimet e hidhura të së kaluarës kur: “Një fantazmë sillej nëpër Evropë, fantazma e komunizmit”.
Fatkeqësisht edhe aktualisht një fantazmë po sillet në institucionin më të shenjtë që quhet arsim e kjo quhet fantazma SBASHK.
Sikurse në komunizëm kur nën petkun (llogon) e barazisë sociale, diktatura e organizoi masën (të cilën e bëri për vete) dhe filloi t’i eliminojë (madje edhe fizikisht) zërat që ishin kundër padrejtësive që bëheshin, po ashtu sindikata duke i parë dobësitë e institucioneve qeverisëse të cilat e lanë me një anë sistemin arsimor si diçka të pavlerë, ata e shfrytëzuan këtë vakum dhe i bashkuan mësimdhënësit në emër të shpëtimtarit të vetëm, ku në krye të saj erdhën matrapazët, dallkaukët e kopukët pa tru të cilët në një formë a në formën tjetër ushtrojnë trysni tek të gjithë ata që e ngrenë zërin e së vërtetës.
Ne jemi të vetëdijshëm se nga e përgjithshmja nxirret individualja e jo në të kundërtën, por ama duhet ta kuptojmë se individët japin idetë dhe më pas ato përqafohen nga masa. Nga kjo rezulton se zërat ndryshe nuk janë kundër por janë sinjale që duhet ndryshuar veprimi. Thënë troç, zërat ndryshe janë sikurse alarmi që sinjalizon mobilizim. Andaj duhet t’i kushtojmë vëmendje të gjithë atyre zërave, sepse individi e zgjon masën e jo masa individin. Masa e ndrydhë individin, a individi e zgjon masën.
Statuti i SBASHK-ut apo më mirë po tingëllon “manifesti i partisë” është aq mirë i hartuar sa që edhe keqpërdorimet financiare brenda saj e ke të vështirë t’i ndjekësh, sepse statuti e parasheh se vetëm anëtarësia nëse sheh parregullsi mund të kërkojë sqarime. Por ndodh që edhe atëherë kur individi ngre zërin për parregullsi, i menjëhershëm është reagimi sindikal që e përjashton individin nga organizata dhe e pamundëson zbardhjen e çështjes, që do të thotë se vazhdojnë me avazin e vjetër.
Që nga themelimi i SBASHK-ut e deri më sot, asnjëherë nuk kemi ndonjë raport financiar, ku është raportuar se ku kanë shkuar ato mjete, duke filluar nga njësia më e vogël shkollë, komunë e deri në qendër.
Loja e fundit e SBASHK-ut me mësimdhënës është organizimi i trajnimeve të paguara nga mësimdhënësit në mënyrë të dyfishtë. Një herë paguajmë SBASHK-un e herën e dytë, trajnimet e organizuara nga SBASHK-u. Në këtë rast bëjnë diskriminim në përzgjedhjen e mësimdhënësve pjesëmarrës duke i përzgjedhur ata të cilët janë të dëgjueshëm, ndërsa duke i eliminuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe.
Po ashtu kanë filluar të ushtrojnë dhunë psikologjike duke zhvilluar propagandën se të gjithë ata që dalin nga sindikata nuk e kanë të drejtën të marrin pjesë në trajnime, madje edhe më keq se kjo, të gjithë ata mësimdhënës që janë të padëgjueshëm apo largohen nga sindikata do të jenë në regjistrin e inspektorëve të arsimit për t’i hospituar në orë dhe më pas nuk do të kenë mbrojtjen nga sindikata. E kjo na bënë të kuptojmë se “manifesti i partisë” nuk është për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve, por për të i shfrytëzuar ata për nevoja klanore dhe duke e kultivuar ndjenjën e MENTALITETIT TË ROBIT. Dhe sa herë që ju duhen klaneve për ta bllokuar sistemin arsimor e bëjnë atë duke u thirrur në të drejtat e punëtoreve për paga apo diçka tjetër.
Kushdo që i ka përcjellur me vëmendje, qoftë debate televizive qoftë kur i kanë shkruar kërkesat e veta dhe i kanë bërë publike as edhe një herë të vetme nuk kanë pas ndonjë argument bindës për palën tjetër, por gjithmonë e kanë përdorur grevën për ta bllokuar sistemin arsimor. Kjo do të thotë se nuk janë njohës të problemeve për të sjellë argumente në tavolinën e bisedimeve.
Kohëve të fundit sikur sindikata po i bënë politikat në arsim, tashmë ka filluar me bachelor e që nuk dihet se a do të sjellë argumente apo do të kërkojë grevë.
Por duket se më në fund e kanë kuptuar se më nuk do ta kenë përkrahjen e mësimdhënësve.