Brexit-i: Ambicja e pakuptimtë në historinë e Britanisë
U krye. Një triumf i negociatave të vështira dhe Boris Johnsoni, arriti ta përmbushte ambicien më të pakuptimtë e mazokistike që është ëndërruar ndonjëherë në historinë e këtij vendi ishullor. Pjesa tjetër e botës, me përjashtimin e presidentëve Putin dhe Trump, shikonte e habitur pa e fshehur zhgënjimin.
Një shumicë votoi në dhjetor për partitë që mbështetën një referendum të dytë. Por, palët e përfshira aty dështuan të prodhonin një kauzë te përbashkët. Tani ne duhet të mbledhim çadrat, mbase edhe nën tingullin e kambanave që bien, e të shpresojmë se do ta nisim këtë çapitjen 15-vjeçare duke na u fanitur gjithmonë përpara syve ajo çfarë kishim deri dje: marrëveshje të shumta tregtare, sigurinë, shëndetësinë, bashkëpunimin shkencor e mijëra gjëra të tjera të dobishme.
E vetmja gjë e sigurt tani është se do t’i bëjmë vetes pyetje për një kohë shumë të gjatë. Lërini mënjanë për një moment gënjeshtrat e kampit pro-largimit, financimin marramendës, përfshirjen ruse apo Komisionin Zgjedhor që nuk pati dhëmbë për të treguar. Mendoni në vend të kësaj pluhurin magjik. Si u arrit që një çështje e pasojave të tilla kushtetuese, ekonomike dhe kulturore të zgjidhej me një votim të thjeshtë e jo një super mazhorancë?
Një raport parlamentar (shiko Brifing 07212) në kohën e Ligjit të Referendumit në 2015-tën, nënvizonte arsyen: “Sepse referendumi ishte thjesht këshillues”! Ai i krijonte elektoratit mundësinë që të shprehte një opinion. Si u shndërrua nga “ këshillues” në “ detyrues”? Me atë pluhurin verbues pra, qe e hodhën në sytë tanë duart populiste nga e majta e nga e djathta. Kemi dëshmuar një bashkëfajësi mpirëse mes qeverisë dhe opozitës. Derën e daljes nga Ecropa e mbajti hapur kreu i opozitës, Jeremy Corbyn që Johnson, të kalonte aty qetësisht. Në këtë rast, po të kishe udhëtuar mjaftueshëm majtas, do të ishte takuar me të djathtën që vinte nga ana tjetër.
Çfarë mësuam nga verbëria jonë? Se ata që nuk po lulëzonin brenda status quo-së, nuk kishin asnjë arsye të mirë për të votuar për të; që kaosi ynë i zgjatur parlamentar rrjedh nga një pyetësor i keq Po-Jo; që ekologjia e evolucionit të gjatë të BE-së e ka formuar thellësisht florën e peizazhit të kombit tonë dhe shkulja e këtyre bimëve, do të jetë brutale; se ai që dikur quhej Brexit i vështirë u bë i butë pas kërcënimeve të daljes pa marrëveshje dhe se në çdo mënyrë që të ndodhë, largimi nga blloku do ta rrudhë ekonominë tonë e do të shkaktojë përçarje të thella e të hidhura, se të gjitha marrëveshjet e ardhshme të tregtisë do të jenë një kompromis me sovranitetin dhe se ajo shprehja: “Të marrim mbrapsht kontrollin”, është premtimi më i zbrazët dhe cinik i këtij sezoni keqardhjesh. /Përktheu: Gazeta “Shqip”