Ana e panjohur e kryeministrit Kurti: Aleatët dhe armiqtë e tij

Ana e panjohur e kryeministrit Kurti: Aleatët dhe armiqtë e tij

Kryeministri i ri i Kosovës e ka emrin Albin dhe mbiemrin Kurti. Është i përcaktuar si ‘burrë’ sa i përket gjinisë, dhe shqiptar i Kosovës sa i përket kombësisë në identitetin e tij. Këto identitete të parëndësishme janë të vetmet gjëra që unë i di për të. Guxoj të them se këto identitete të parëndësishme janë të vetmet gjëra që edhe njerëzit më të afërt të tij i dinë për të. Një njohje tepër sipërfaqësore dhe banale.

Unë kam besuar që Kurti do të vinte në pushtet në shumë shkrime të ndryshme në dy-tri vitet e fundit. Kjo sepse pushteti i mëparshëm u ekspozua si krejtësisht i çorganizuar e i çrregullt, banalisht abuziv dhe krejtësisht i nënshtruar ndaj ligjërimit të Kurtit.

Për vite me radhë kishim dy qëndrime politike në raport me temat e mëdha kombëtare. Atë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe atë të Albin Kurtit. PDK-ja deri në vitin 2017 mbante ato qëndrime që i diktoheshin nga ambasada në fjalë, ndërsa pas 2017-s përvetësoi qëndrimet e Vetëvendosjes.

Gjykata Speciale, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe [Zajednica], Demarkacioni me Malin e Zi, Korrigjimi i Kufijve që çlironte mundësinë historike për Bashkim Kombëtar, e të tjera. Të gjitha këto qëndrime u ndërruan nga PDK-ja. Në fillim besoi Ambasadën dhe më pas e besoi Vetëvendosjen.

Dhe, nga kjo humbëtirë ligjërimore në të cilën ndodhej, ajo u ekspozua si një parti në krizë të thellë identitare. Pse duhej ta votonte një qytetar i rëndomtë i Kosovës për ta, nëse nuk kishte asnjë interes direkt material prej tyre? PDK-istët nuk dinin se si të reflektonin për rrethanat e ndërlikuara politike që krijoheshin nga jashtë e nga brenda. Nuk dinin as se në çka besonin. Dhe kështu, filluan të kopjonin qëndrimet vazhdimisht-në-ndryshim të Albin Kurtit pasi mbetën me një pushtet gati të njëjtë me AKR-në në qeverinë e fundit.

Protesta e djeshme e deputetëve të PDK-së ndaj Kurtit për ndryshim qëndrimesh nuk ishte krejtësisht e pasinqertë. Në fakt, PDK-ja po protestonte duke ndjerë ankthshëm atë krizë identitare në të cilën i kishte lënë pikërisht Kurti, si një prijës i përkohshëm ideologjik e të cilin e kishin menduar përnjëmend si parimor. Kurti i mbante ngrohtë dhe të sigurt në një situatë tepër dinamike politike në të cilën ishin çkuptimësuar. Kurti mbronte vlerat dhe sakrificën e luftës. Kishte ringjallur dëshirën për bashkim kombëtar. Kishte ringjallur protestën ndaj presioneve nga mediokriteti ndërkombëtar. Edhe ata ndoshta e donin një vend sa më funksional, siç e donte edhe Kurti. E besonin dhe fshehtas e donin. Por, ndryshimi i qëndrimeve nga Kurti bëri që PDK-ja të ndihej sërish boshe dhe e pakuptimtë në skenën tonë politike. Nuk dinte se çka të thoshte më. E prandaj, dje i përsëriti pambarim qëndrimet politike të Kurtit. I bëri homazh Kurtit të dikurshëm duke treguar se si fshehtas kishte besuar në të. Në shumë prej qëndrimeve që ai i kishte mbajtur.

Ne duhet të shpresojmë që PDK-ja të gjejë ‘gjuhën’ e saj, të gjejë qëndrimet në të cilat beson, sepse Kosovës i vyen një opozitë e fortë.

Në anën tjetër, nuk mund ta mohojmë faktin se edhe Kurti i ka shkelur shumicën e qëndrimeve politike në të cilat besonte dikur. Me ndonjë fjalë nëpër televizione të linte përshtypjen se ishte progresiv, por më pas e shihnim këmbëkryq nëpër oda burrash. Pastaj, të linte përshtypjen se do të mbante qëndrim të kundërshtues ndaj Listës Serbe që kishte terrorizuar qytetarët serbë të Kosovës në vitin që parapriu zgjedhjet e 6 tetorit, por më pas e pamë vartësin e tij të ulur me Gjuriqin për kafe dhe vetë Kurtin duke u takuar me të e duke i bërë pjesë të Qeverisë. Mos t’i përsëris të tjerat sepse tashmë u bënë bajate nga seanca e djeshme.

Nga kjo pikë, nuk mund të themi se dimë diçka për të si kryeministër. Çdo maskë [nuk kam asgjë kundër maskave] që mbante dikur ka rënë. Ai u votua në një formë tepër religjioze duke besuar se ishte “më i mirë” apo “më i mençur” se të tjerët. Por, ajo që ne nuk e dimë është se me cilën pjesë të shoqërisë do të thurë aleancë sepse fjalët e tij janë krejtësisht të paqarta, ashtu si plani i tij ekonomik.

Në ekspozenë e djeshme në foltoren e Kuvendit ai vazhdoi retorikën religjioze në ndarjen mes “të mirës” dhe “të keqes”. Pra, do të ishte aleat i çdokujt që ishte i mirë dhe armik i çdokujt që ishte i keq. Por, ne e dimë se ekonomia e tregu i punës nuk kanë logjikë të tillë. Qëndrime religjioze ndaj korrupsionit ta zëmë, kanë pasur vetëm vendet totalitare komuniste ose edhe totalitare të së djathtës ekstreme. Janë angazhuar seriozisht si ‘donkishotë’ në zhdukjen e korrupsionit, dhe e kanë zhdukur korrupsionin, por duke i minuar liritë dhe të drejtat e njerëzve.

Interesat janë të kundërvëna me njëra-tjetrën, bile në shumicën e rasteve të kundërvëna ashpërsisht. Ekziston struktura sociale edhe në Kosovë si në çdo vend tjetër, dhe favorizimi i një shtrese a nënshtrese mund të lëndojë pashmangshëm tjetrën.

Unë kam dyshime të forta se Kurti do të mbetet aleat i njerëzve të varfër e të shtypur. I “popullit” siç i pëlqen ta thotë me raste. Ai edhe dje hapur e qartë tha se do të luftonte “korrupsionin në shoqëri”, një shpallje lufte kjo që unë për vete nuk e kam dëgjuar më herët prej tij. Është shpallja e rëndomtë e luftës që e bëjnë politikanët progresivë të qendrës nëpër vende të zhvilluara, por jo edhe në vende në zhvillim si Kosova.

Për më tepër, para disa javësh si një pushtetar në ardhje, Kurti iu drejtua edhe të diplomuarve në Kosovë që nuk kishin marrë shkathtësitë e nevojshme si “akademikë”. Shihni thonjëzat te termi i përdorur. Në profilin e tij në “Facebook” ai i tallte të diplomuarit në vendin tonë derisa bëhej paqëllimshëm me dhunuesit e tyre, profesorët dhe me dhunuesen kryesore, sistemin arsimor. Ja një aleancë që lindet natyrshëm, fare natyrshëm, duke mos qenë as e qëllimshme. Një aleancë e farkëtuar nga pozicionet sociale e politike që mbajnë palët.

Për Kurtin, mijëra studentë të Kosovës që harxhuan shumë kohë, para e shpresë për të marrë në këmbim vetëm dije idiote nga profesorët e tyre, nuk janë më viktima të sistemit tonë arsimor por shkelës që duhen ri-orientuar e disiplinuar. Ata duhej të vendosnin që të bëheshin zanatçinj.

Ngjashëm do të çelen para Kurtit një nga një të gjitha fushat e tjera të interesave të kundërvëna të palëve. Fusha konkrete që nuk do të kërkojnë prej tij fjalë të ëmbla por anim të vendosur.

Dhe, duke mos qenë rob i qëndrimeve të tij, Kurti mund të përfundojë edhe më keq se Aleksis Cipras që rrënoi edhe më keq të varfrit në Greqi dhe u bash me pasanikët që i luftonte si opozitar. Mund të bëhet shok i ngushtë i Agim Bahtirit, bile shpirti i tij siç e cilësoi ky i fundit, por jo edhe shok i ngushtë i punëtorëve të tij.

Programi i Kurtit për qeverisje nuk ofron absolutisht kurrgjë përmbajtësore në njohjen tonë me qeverisjen e ardhshme. 400 inspektorët e punës në fund të ditës mund të inspektojnë thjesht nëse kompanitë private po vazhdojnë shtypjen e punëtorëve sipas ligjit.

Shpërndaje në: