Trumpi, dhe Marrëveshja e tij për Ballkanin
Po vijnë rusët! Kjo dëgjohej më shpesh, kur Bashkimi Evropian në vjeshtën e kaluar me “Jo”-në e tij për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut lejoi t’i ikte nga dora leva më e rëndësishme në rajon – perspektiva e anëtarësimit. Kush do të shtyhej të futej në boshllëkun që po linin evropianët? Disa tregonin me gisht edhe nga Kina. A nuk tregojnë kinezët prej vitesh interes edhe për Ballkanin me tentativën e tyre për të zënë vend në Evropë, ekonomikisht dhe politikisht? Po ashtu, si sekret konsiderohej edhe Turqia, një fuqi rajonale. Por, realisht vendin e evropianëve po e zë një fuqi, me të cilën evropianët nuk kishin llogaritur: SHBA.
Dy të ngarkuar të posaçëm emëroi Uashingtoni në muajt e fundit për një rajon, për të cilin mendohej se prej kohësh e kishte humbur interesin. Që atëherë rajoni i lodhur ballkanik është kthyer edhe në një fushë loje të politikës së jashtme trumpiane. “Deal” – marrëveshje kërkon të lidhë presidenti amerikan, kjo është doktrina e tij: Në çdo konflikt në botë, grindavecët, shpesh “burrat e fortë”, duhet të bien në ujdi sipas përfytyrimit të tij. Dhe, nuk kanë nevojë të vrasin mendjen për rregulla ndërkombëtare, ujdi të mëparshme, të drejtën ndërkombëtare, interesat e të tretëve. Me këtë strategji, Trumpi nuk ka pasur sukses në ndonjë cep të botës. Por, Ballkani, kështu ndoshta mendojnë në Shtëpinë e Bardhë, mund të jetë një shesh i mirëpritur për të ushtruar. Aktorët aty janë të dobët, dhe kanë një respekt të paimagjinueshëm për Amerikën.
Ende pa u emëruar mirë, i ngarkuari i Trumpit, ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, filloi me diplomacinë e fortë: Në Kosovë duhet një “burrë i fortë” sipas modelit të Trumpit, i bie të jetë Hashim Thaçi që të marrë sërish stafetën në dorë. Që partia e tij në zgjedhjet e fundit në tetor dështoi dhe Thaçi vetë është një figurë jo e dashur në Kosovë, nuk prish asnjë punë për Shtëpinë e Bardhë. Nëse SHBA kanë fituar plotësisht në Kosovë, këtë do ta tregojë e hëna kur fituesi i zgjedhjeve parlamentare para katër muajsh të dalë në Parlament. Amerikanët nuk e duan atë dhe, në vend të kësaj punojnë për një koalicion disapalësh, të pasigurt, kundrejt të cilit Thaçi nuk e ka të vështirë. Që janë ambasadorët e huaj ata që vendosin kush vjen e kush nuk vjen në qeveri, me këtë janë mësuar kosovarët. Nga 45 për qind që shkojnë në zgjedhje, gati një e treta e bën për të ruajtur punën: humb partia në sajë të cilës e ke postin, të ikën puna.
Kosova dhe Serbia duhet të këmbejnë territore, ato të populluara me shqiptarë në Serbi kundrejt atyre me serbë në Kosovë. Ky është “deal”-i që Thaçi dhe presidenti serb, Vuçiq, do të arrinin me dëshirë me njëri-tjetrin. Vetëm në shikim të parë, këmbimi i territoreve do të ishte një zgjidhje për çështjen ende të hapur të Kosovës. Të gjitha përvojat me krijimin e gjoja “zgjidhjeve të pastra” në Ballkan, janë për t’i pasur frikë: Kur popullata e një vendi është mjaftueshëm “e pastër”, liderët autoritarë nga të dyja krahët e pakicave nuk kanë nevojë të kujdesen më për ta e sidomos për fuqitë që i mbrojnë ato. Ata mund të ndjehen zotërinj në shtëpitë e tyte dhe mund të bëjnë e të lënë çfarë të duan.
Në Kosovë nuk ka simpati për “deal” dhe as për politikanë autoritarë e diktimin nga të huaj. Por, nëse kjo antipati mjafton për t’i rezistuar joshjeve dhe kërcënimeve nga Uashingtoni, për këtë mund të dyshohet. Edhe nëse Albin Kurti, i njohur si rebel, bëhet kryetar i Qeverisë kundër vullnetit të SHBA-së, presioni nga SHBA-ja do të mbetet. Evropianët që dominojnë ekonomikisht nuk ndihmojnë dot. Ishin madje politikanë nga parti të ndryshme, që papritur menduan se do shkruanin histori, dhe e sollën në skenën ndërkombëtare një këmbim fatal territoresh mes Thaçit dhe Vuçiqit: Një president liberal nga Franca, një i gjelbër nga Austria, një kryetar komisioni konservator nga Luksemburgu dhe një e ngarkuar socialdemokrate nga Italia – për tmerr të gjermanëve dhe britanikëve dhe diplomatëve të tyre dhe të gjithë atyre që e njohin rajonin.
Evropa ka dështuar sërish në Ballkan dhe sërish janë amerikanët ata që hyjnë në këtë vakum – si atëherë në luftën e Bosnjës dhe dy herë në Kosovë. Lajmi i mirë ky nuk është, nëse sheh rezultatet: Bosnja është deri më sot e ndarë, Serbia është një kandidate e lëkundur që luan me Evropën, Putinin dhe të tjerët që duan të kenë influencë në Ballkan. Kosova është një protektorat fuqish që nuk e durojnë njëra-tjetrën. Interesi që e drejton SHBA-ja të le të mendosh më keq: Presidenti amerikan kërkon në vitin zgjedhor një triumf në politikën e jashtme dhe e përdor këtë rast të dobësojë edhe më shumë BE-në, për të cilën ai nuk ka ndonjë respekt. Që nga “Jo”-ja për hapin tjetër të zgjerimit, evropianët qëndrojnë të pafuqishëm në anë të fushës së ndeshjes. Nëse grinden apo jo aty ku janë, kjo nuk luan më rol për Ballkanin. /DW/