Pse VV dhe PDK ndërruan qëndrimet politike me njëra-tjetrën?
Zgjedhjet e 6 tetorit nuk ishin tamam zgjedhje. Kjo sepse zgjedhjet mendohet se duhet të mbahen për ta zgjedhur drejtimin politik të vendit me anë të qëndrimeve a profileve ideologjike. Por, në vend të kësaj qytetarët u detyruan të zgjedhin thjesht se cili prej liderëve politikë ishte më “i ndershëm” se tjetri.
Këtë garë e fitoi Albin Kurti. Për shkak se u perceptua si “burrë më i mirë e më i ndershëm” se të tjerët.
E kam përmendur në të kaluarën ndryshimin radikal të qëndrimeve të PDK-së në tri vitet e fundit. Kjo parti politike dukej sikur po kopjonte një nga një të gjitha qëndrimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje pasi nisi ta kuptonte dalëngadalë se në pushtet ishte vetëm formalisht.
Ata dolën kundër Gjykatës Speciale për të cilën kishin bërë presion që të votohej me arsyetimin se “kishim nevojë të pastroheshim”. Dolën kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe [Zajednicës] edhe pse e kishin përkrahur në fillim. Ishin ngurrues për çështjen e “Demarkacionin me Malin e Zi” duke qenë kyç në mos-votimin e saj në dy vjet përpjekje gjatë Qeverisë Mustafa. E ndërruan krejtësisht qasjen ndaj luftës së Kosovës duke margjinalizuar “krenarinë për heroizmin” për të kërcyer në kukamën “e viktimës”. Dhe tashmë, e kanë ashpërsuar gjuhën ndaj faktorëve ndërkombëtarë në përgjithësi.
Por, edhe Vetëvendosje ka ikur nga idetë themeltare të saj. Iku nga koncepti themeltar i “Vetëvendosjes” që i qëndron vetëm si emër, dhe i cili u formësua nga kundërshtia e sistemit tonë politik që na ishte mbivendosur nga ndërkombëtarët, demokracisë përfaqësimore [reprezentative]. Vetëvendosje dikur ishte për demokraci direkte.
“Unë votoj, ti voton, ai/ajo voton, ne votojmë, ju votoni, ata/ato PËRFITOJNË.” – shkruanin nëpër mure ndërtesash aktivistët e VV-së para dy-trembëdhjetë vitesh.
Vetëvendosje e bëri një kërcim të madh qysh në hyrjen e saj në garën zgjedhore të demokracisë përfaqësimore pasi e kuptoi që përpjekja për revolucion ishte një ëndërr e bukur por e parealizueshme. Vetëvendosje po ashtu hoqi dorë nga Bashkimi Kombëtar si një projekt politik që mësynte ta fuste Kosovën nën Shqipëri. Tashmë, Kurti kërkon një federatë shqiptaro-kosovare që do të përbëhej nga shteti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës. Pra, edhe për Kurtin shteti i Kosovës nuk mund të shpërbëhet. Të përmendim shkurt edhe qëndrimin kundër çfarëdo negociate me Serbinë, madje edhe nëse këta të fundit do të kërkonin falje për krimet e kryera në Kosovë. Ose, edhe qëndrimin kundër bashkëpunimit qeveritar me Listën Serbe e të cilën me të drejtë e shihnin si zgjatim të Serbisë në vendin tonë.
Por, pse ndodh ky ndryshim kaq radikal i qëndrimeve te Vetëvendosje dhe PDK?
Kjo sepse ato ekzistojnë si parti politike vetëm nominalisht. Në të vërtetë janë grupe tribale [në kuptimin e funksionimit] të udhëhequra nga rrebet dhe inatet e liderëve të tyre. Secila parti politike, në përjashtim të kushtëzueshëm të LDK-së, e ka të vendosur ‘supremitetin’ e liderëve të tyre si parim udhëheqës. Asnjëri lider nuk është i prekshëm prej anëtarëve të partive politike.
“Asnjë aktivist nuk është i pazëvendësueshëm,” – thoshte dikur Albin Kurti, për të shtuar tash edhe “përveç Albin Kurtit.” [me ndërrimin e statutit të partisë që i kërkonte dorëheqjen si kryetar partie në rast se merrte pozitën e kryeministrit]
Një aktivist ‘i zëvendësueshëm’ i Vetëvendosjes mund të përmendte konceptin hegelian të negacionit/mohimit për të justifikuar këtë ndryshim radikal qëndrimesh të partisë. Ta zëmë, nga “Jo Negociata” në “sa më shumë negociata” [Kurti para dy muajsh: “Ne nuk duam asnjë marrëveshje pa negociata”] për të dalë në fund në qëndrimin e sintetizuar mes dy qëndrimesh të përkundërta: Negociata. Aktivisti i hamendësuar mund të vazhdonte duke thënë që “lëvizja” si koncept nuk mund të bëhet pa kuptuar termin e “negacionit” siç e shtron Hegeli. Për të ndodhur lëvizja, negacioni është i domosdoshëm.
Kjo nuk është dialektika hegeliane. Është dialektika e çmendjes. Kërcim nga mendja në çmendje, e pastaj në mendje-çmendje njëherësh. Nga një teke në teken e përkundërt, për të formësuar pastaj një teke së sintezë të të dyjave.
Këto kërcime në diskurs na dëftejnë qarë se sa të parëndësishëm janë liderët politikë. Se sa të parëndësishme i konsiderojnë edhe vetë qëndrimet e tyre. Mos-përgjegjësia për këto ndërrime qëndrimesh na ilustron edhe mungesën e një sfere publike krejtësisht të paaftë për të rezonuar mbi problemet e saj./Periskopi