Aktori i “Game Of Thrones” me fjalë emocionale për ekipin që po çmend Evropën (Video)
Nikolaj Coster-Waldau ishte pa fijen e dyshimit një ndër aktorët më të preferuar në serialin e famshëm “Game Of Thrones” ku luante rolin e Jamie Lannister. Ai bëri bujë edhe gjatë shfaqjes së episodeve të fundit të serialit ku ‘tregoi’ se kush do të fitonte në fund, duke thënë “Marcelo Bielsa”.
Së fundi, BBC ka përgatitur një varg serish dokumentaresh të shkurtëra për LEEDS UNITEDin dhe momentin e mirë nëpër të cilin po kalon ky klub i madh i rënë tash e tri dekada në margjinat e historisë së futbollit anglez.
Dhe, natyrisht që nuk mund të mungonte një prej tifozëve më të famshëm të këtij ekipi, Nikolaj Coster-Waldau nga Danimarka.
I ftuar te Jimmy Kimmel para disa muajsh ai bëri bujë duke thënë se e dinte kush do të bëhej “Mbreti i 7 Mbretërive”, e ky ishte Marcelo Bielsa, trajneri i famshëm argjentinas.
Periskopi më herët përgatiti edhe një artikull tjetër në të cilin tregonte për filozofinë e tij të lojës dhe sukseset e deritanishme me LEEDS duke i bërë tifozët e këtij ekipi të ëndërronin sërish për gjëra të mëdha.
Leeds aktualisht ndodhet në vendin e parë në Championship dhe është rrugës për të siguruar promovimin direkt në Premier Ligë, ligën më të fortë në botë nën udhëheqjen e z.Bielsa, një trajner mjaft frymëzues.
Ja se çka shkruan një tifoz kosovar i ekipit të Leeds United në një prej grupeve të klubit në Facebook pas një ndeshjeje të fituar me rezultat 4-5.
“Bielsa na ka kthyer neve në një roman të realizmit magjik. Sa shumë kthesa të papritura, drama të bukura, dhe pasion. Ekipi ynë është më shumë se një ekip futbolli. Është një rrëfim, i mbushur plot me rrëfime tjera. Madje edhe ndeshja kundër Cardiffit ishte e jashtëzakonshme. Lojtarët janë ekstra-profesionalë, të mbushur me pasion, të etur për të luajtur. Ndonjëherë tepër të etur. Të gjithë kanë realizuar potencialin e plotë të tyre. Nuk mund të ngihen me lojën e tyre ashtu si fëmijët e vegjël. E çka për rezultatet? Nuk ma merr mendja se iu bën shumë. Është në rregull të fitojnë, por është domosdoshmëri për të luftuar, Për shembull, nëse rezultati është 3-0 për ta, kjo është tepër e mërzitshme dhe pavetëdijshëm duhet ta prishin rezultatin vetëm për të luftuar sërish. Si fëmijët. Nëse po fitojnë lehtësisht, loja nuk ia vlen të luhet.
S’ka rëndësi çka ndodh në vazhdim, dua t’i them falemnderit Marcelo Bielsas! Tash mund ta kuptoj përnjëmend pse një stadium më i madh se Elland Road mban emrin e tij. Stadiumi i ekipit që rriti Lionel Messin. Dhe tash mund ta kuptoj përnjëmend pse Guardiola mendon që Bielsa është trajneri më i mirë në botë!”
Ndërkohë, më poshtë e keni të përkthyer edhe atë që thotë z.Coster-Waldau për ekipin e tij të dashur.
https://www.facebook.com/BBCMOTD/videos/3330684936957875/
Gjërat që unë bëj për dashurinë. “Game of Thrones” dhe Leeds kanë më shumë gjëra të përbashkëta se që mund të mendoni. Dramë, intrigë, dashuri dhe humbje, dhe betejë për fronin. Tifozë nga Arktiku në Amazonë, nga Belfasti në Buenos Aires. Leeds United nga rrjedh nëpër venat tona, si një virus që na konsumon krejtësisht. Unë jam rritur në një fshat në Danimarkë, babai im ishte tifoz i Arsenalit. Babai donte që unë të isha topçi [tifoz i Arsenalit], por unë kisha plane më të mëdha. Në fillim të viteve 90, erdha në Angli, vizitova Elland Roadin [stadiumi i Leedsit] dhe sapo dëgjova tifozët e Leedsit duke kënduar, u mboll fara e dashurisë. Ani që për 30 vjet Leedsi kishte ngritjet dhe shumë e shumë rëniet e saj. Humbje pikësh, lojë në ligë të tretë, një listë e gjatë dështimesh. 21 trajnerë më vonë, ja shihni se kush na erdhi. Ka një tjetër “Mbret të Veriut!” [King in the North]. Mund ta nuhatni në ajër. Trajneri më i mirë në botë erdhi të na shpëtonte nga dëshpërimi. Tash po e pëshpëris ngadalë para jush se mendoj që Marcelo Bielsa është njeriu YNË. Kumbara që e trajnoi Leedsin të luante sërish, ashtu siç luanin për Donin [Revien, trajnerin legjendar të ekipit].