Preke “Start”: Video-loja mizore e Vitit të Ri që vret mijëra njerëz për një ditë

Preke “Start”: Video-loja mizore e Vitit të Ri që vret mijëra njerëz për një ditë

Në orët apo minutat e para të çdo 1 janari, mediat përkujdesen të raportojnë mbi foshnjën e parë të lindur. Madje, nguten edhe t’i zbulojnë gjininë, e ndonjëherë edhe emrin, gjendjen familjare, gjendjen e nënës, emrin e nënës, babait, e kështu me radhë. Në fakt, ai nuk ka as emër, as gjini, as nënë e baba, as komb, e as kurrgjë të këtillë. Në atë moment ndodh përlyerja e tij me identitete koti, rob i të cilave do të mbetet deri në vdekje. Dhe do t’i aktrojë më sforcueshëm se asnjëherë, pikërisht në natën e fundit të vitit të vjetër, dhe në mëngjesin e parë të vitit të ri.

Sivjet, në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK lindi një djalë. Merreni me mend, veç pse e ka një penis, disa njerëz guxojnë t’i përcaktojnë qysh në frymët e para gjininë një foshnjeje ende-të-pafëlliqur me vlerat tona. Është djalë, thanë mediat kosovare në një vend që ende kryen feminicid. Të pranishme në Klinikë ishin edhe dy deputetet e zgjedhura kosovare nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci dhe Fatmire Mulhaxha apo Mullhaxha me lule në dorë. Këto dy deputete, pra jo deputetë burra por deputete gra, me gjininë e tyre në atë moment sikur përqafonin shpërthimin  e hoxhë Shefqet Krasniqit që qortonte burrat pse zgjidhnin profesionin e gjinekologut. “Kuku për ty, kuku për ty!”

Kjo është një skenë që luhet rregullisht pa asnjë ndryshim, vit pas viti, veçse me aktorë të ndryshëm. Por, regjisori mbetet gjithnjë i njëjti: Stanley Kubrick. Një lojë e palodhshme aktesh të turpshme njerëzore, paturpësisht të turpshme, një lodhje që kërkonte lojën tonë digjitale me një telekomandë në dorë, një video-lojë e versionit ‘demo mode’ [demonstration mode] ku shumica e mundësive janë të mbyllura edhe pse na shfaqen.

Bajatësia e orkestruar

Por, çka tenton të fsheh një skenë e tillë? Jo kushedi çka.  Se jeta nuk është ashtu siç e rrëfejnë fetë abrahamike. Se zoti nuk ekziston. Se babadimri ekziston. Se bash në atë ditë të parë të vitit vdesin më shumë njerëz se në çdo ditë tjetër. Të rrasemi përsëri në lojë. Janë 365 ditë në një garë kubrikiane, se cila vret më shumë, por fitues del vazhdimisht e vazhdimisht vetëm njëra: 1 janari. Të fitosh vazhdimisht ndaj 364 garuesish tjerë duhet të jesh goxha i shkathtë. Përgëzime për 1 janarin. Dhe bash me 1 janar na shfaqet dita kur lind jeta nga mediat ende-fetare, si dita kur bashkë me jetën mbështjellemi me një kallaballëk identitetesh të cilat nuk i kemi zgjedhur.

Ky shkrim përbën një homazh për të gjithë njerëzit që e vranë veten më 1 janar. Të çdo viti. Duke mos besuar te vullneti i lirë, unë jam i bindur se vetëvrasja është në të vërtetë vrasje. Veçse, një vrasje e kryer nga shumë vrasës njëherësh. Pra, ashtu siç vret shteti apo shoqëria një individ të padëshirueshëm. Është një krim që nuk mund të quhet krim. Sepse, shoqëria nuk e quan. Sepse shoqëria nuk mund të jetë fajtore. Kurrë, për asgjë! Dhe, 1 janarët vrasin bash si shoqëria: me një bajatësi të orkestruar nga shoqëritë, me pritjet që ndërtojnë duke e vizatuar me perversitet para çdo njeriu depresiv kotësinë e jetës, pakuptimësinë e saj, padurueshmërinë e saj.

Rolet familjare e shoqërore të njerëzve dobësohen aq shumë, personazhet bëhen aq bajatë e jointeresantë, sa nuk do që të jesh pjesë e një videoloje të dobët që për më tepër është thjesht në sojin demonstrativ [demo mode].

Te libri “Serotonina”, shkruar nga Michel Houellebecq, personazhi kryesor [Florent-Claude] bën përpjekje të mëdha thjesht që  të shpëtojë nga 1 janari [e edhe nga Krishtlindjet]. Ka një miqësi të trishtë me një shok të shkollës, një fermer aristokrat që nuk ka kurrfarë roli për të aktruar, sepse është i vetëm.

Kjo festë nuk promovon bashkësinë dhe nuk kultivon lidhjet mes njerëzve. Në thelbin e saj kjo festë është asociale. Kjo festë të bën konsumues bosh, aktor rolesh koti, personazh kot, duke të hequr nga mundësitë alternativën e një përjetimi të njëmendtë. Nëse rastësisht provon ta ndjekësh një rrugë të ndryshme nga të rekomandueshmet, atëherë “Game Over”. E prandaj, disa njerëzve që s’iu luhet më vendosin ta prekin “Quit” krejt të çinteresuar me garën dhe të çinteresuar nga rregullat e abrahamikëve pasivë.

Shpërndaje në: